Kulturë

Dy maestrot e instrumenteve japoneze sjellin udhëtimin nëpër traditë

Sumie Kaneko (shamisen, koto) dhe Takuya Taniguchi (taiko) kanë një dashuri të madhe për muzikën tradicionale japoneze. Janë mjeshtër të instrumenteve tradicionale japoneze. Përmes kompozimeve origjinale ata kanë arritur që instrumenteve tradicionale t’u bëjnë vend edhe në muzikën bashkëkohore dhe eksperimentale.

Këtë e dëshmuan të mërkurën mbrëma në “Kino Armata”, në hapje të “Javës së kulturës japoneze në Kosovë”. Një ngjarje e tillë, sivjet organizohet edhe për të shënuar 10-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë dhe Kosovës. Është edicioni i parë në format të “Javës së kulturës...”.

Takuya Taniguchi e nisi koncertin me “Umi no Hana”, këngë tradicionale japoneze. Loja e tij në instrumentin tradicional “taiko” erdhi fuqishëm që në fillim. Taniguchi, i cili ndjek rrugën e mësuesit të tij Eitetsu Haysashi, është solisti më i njohur japonez i daulleve. Herë pas here ritmin e fortë e shoqëron edhe me vokal.

“Sot udhëtoj nëpër gjithë botën dhe kudo që shkoj pyes nëse kanë parë daulle të ngjashme dhe ka të ngjashme për nga struktura, mirëpo tingulli i ‘taikos’ është komplet ndryshe, shumë i thellë dhe i ngrohtë”, ka thënë ai.

Pas solos së tij, Taniguchi fshihet prapa daulleve dhe nuk largohet nga skena. Ai e lë artisten Sumie Kaneko të performojë veprën “Komorebi” të kompozuar nga Shin Myashita në “koto”, instrumentin kombëtar të Japonisë. Mbrëmjen e kanë vazhduar bashkë duke sjellë edhe shtatë këngë të tjera, kompozime të tyre origjinale.

“Sonte e nisëm me muzikë tradicionale në pjesët solo dhe pastaj sollëm kompozime të miat dhe kompozime nga Sumie, pra një përzierje”, ka thënë Taniguchi. Kompozimet e tij kanë një lidhje të veçantë me elementet e natyrës.

“Kishte goxha shumë njerëz dhe kjo na lumturoi shumë. Në fillim nuk dinim se çfarë të prisnim pasi që po vinim për herë të parë dhe nuk dinim shumë për Kosovën, mirëpo mendoj se ka shkuar shumë mirë”, ka thënë Kaneko. Gjatë koncertit, herë pas here ka komunikuar me publikun duke u treguar detaje për kompozimet që po sillnin e përmes të cilave vihej në pah edhe lidhshmëria që Kaneko ka me muzikën jazz. Ajo është pioniere e përdorimit të instrumenteve tradicionale japoneze “shamisen” dhe “koto” në jazz.

Në hapje të manifestimit “Java e kulturës japoneze në Kosovë ”ambasadori i Japonisë në Austri, Kiyoshi Koinuma, i cili është ambasador jorezident edhe në Kosovë, ka theksuar raportet shumë të mira të dy vendeve dhe ka nënvizuar rëndësinë e vendimit për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë. Përveç shkëmbimeve kulturore theksoi edhe sportin.

Mbrëmja pas koncertit vazhdoi me shfaqjen e filmit japonez “Mori. The Artist`s Habitat” nën regji të Shuichi Okita. Filmi ka në fokus jetën e një artisti shumë të njohur në Japoni, Morit.

Deri të dielën, më 10 nëntor, çdo ditë nga ora 18:00, Ambasada e Japonisë në Vjenë dhe Japan Foundation me përkrahjen e “Kino Aramata” në hapësirën e kësaj të fundit do të shfaqin filma japonezë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)