Prof. dr. Ramiz Abdyli është studiues i mirënjohur për historiografinë shqiptare, për publicistikën shkencore, për veprimtarinë dhe kontributin profesional në shkencën e historisë, mësimdhënies dhe ligjërimit universitar. Ai është autor i monografisë shkencore “Hasan Jakup Ferri - një jetë për atdhe”, e cila këto ditë doli nga shtypi dhe u botua prej Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve - Shkup.
Monografitë kushtuar personaliteteve e figurave historike karakterizohen me dy elemente përbërëse që zhvillohen të ndërthurura paralelisht me njëra-tjetrën. Elementi i parë ka të bëjë me njohjen e portretit biografik e historik të personalitetit, ndërsa elementi i dytë përfshin ngjarjet dhe rrethanat e përgjithshme, që e kanë veçuar kohën kur ka jetuar dhe hapësirën ku ka vepruar personaliteti historik. Në këtë kontekst autori prof. dr. Ramiz Abdyli ka arritur me sukses t’i evidentojë qartë e të gërshetojë këta dy komponentë themelorë për shkrimin e kësaj monografie, shkruan sot Koha Ditore.
Monografia “Hasan Jakup Ferri - një jetë për atdhe” ka këtë strukturë: recensionet, parathënia, hyrja, katërmbëdhjetë kapituj, përfundimet, shtojcë dokumentesh, të dhëna biografike për autorin, burimet e literaturën dhe indeksin e emrave personalë dhe gjeografikë. Konsiderojmë se materiali i paraqitur në këtë monografi është sa i freskët dhe aq interesant, e pak i njohur për historiografinë. Baza burimore është në tërësi e shëndoshë dhe mbështetet në argumente të bollshme, kryesisht dokumente arkivore, të dhëna nga shtypi i kohës, literatura relevante historiografike, memoaret, burimet alternative etj.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)