Vjollca Robelli, këngëtarja e cila njihet me emrin skenik AJO do vijë në ekranin e Kohavisionit me koncertin i cili promovoi EP albumin që e riktheu në skenën muzikore. Koncerti i cili zuri vend shtatorin që lamë pas në “Kino Armata” do vijë në versionin televiziv ekskluzivisht për shikuesit e KTV-së të hënën nga ora 20:00.
Ky album vjen për dëgjuesin e muzikës shqiptare pas një pune dyvjeçare që AJO ka bërë me muzikantë të ndryshëm nga vende të ndryshme të Evropës. Një pjesë e muzikantëve me të cilët ka punuar këngëtarja për realizimin e albumit edhe e kanë shoqëruar në skenë, përfshirë Aram Zarikian, Danny Rico, Aurel Qirijo, Rhys Lovel, Alessio Marsio dhe Xhemil Gjini, derisa për pjesën vizuele dhe projeksioneve të performancës është kujdesur artisti Laurent Azemi.
Ndryshe AJO është kantautore me bazë në Londër. Si shqiptare nga Kosova, rrënjët e saj janë ngulitur thellë në muzikën dhe performancat e saj. Ajo merr frymëzim nga trashëgimia e saj shqiptare, duke e ngritur zanatin dhe emocionin e muzikës tradicionale popullore në një territor inovativ, të futur në xhaz.
Në vitin 2002, AJO për herë të parë u paraqit në Kosovë dhe Shqipëri me lansimin e këngës “Ajo” nën emrin e saj të vërtetë Vjollca Robelli. Kënga i ishte dedikuar ndërgjegjësimit ndaj pandemisë së AIDS, e cila kryesoi toplistat në shumë TV dhe radiostacione, u rendit e dyta në rajonalen “BBC Top of the Pops”, fitoi “Video Best Rock” në “VideoFest” dhe Vjollca u emërua si ambasadore e muzikës rinore po atë vit.
Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, kënga ruan popullaritetin e saj, gjë që bëri që Vjollca të adoptojë emrin skenik AJO.
Vjollca u transferua në Londër në 2004 për të studiuar vokalin, muzikën dhe menaxhimin e mediave.