“Mbledhësit e puplave” hap maratonën e filmave me Bekim Fehmiun

“Mbledhësit e puplave” hap maratonën e filmave me Bekim Fehmiun

20 October 2019 16:12

“Mbledhësit e puplave” do të shënojë nisjen e transmetimit të serisë prej tetë filmave të Bekim Fehmiut në KTV. Çdo të diel nga ora 20:00, Kohavisioni do të transmetojë një film në të cilin luan aktori i madh.

Krejt kjo bëhet në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” në Kosovë, i cili fuqizohet nga organizata “Integra”.

“Mbledhësit e puplave” nën regji të Aleksandër Petroviqit është prodhim i vitit 1967 dhe konsiderohet njëri prej filmave më të rëndësishëm të kinematografisë jugosllave. Ai paraqet ekzotikën e mënyrës së jetës së romëve në një fshat të Vojvodinës. Bekim Fehmiu në të paraqitet në rolin e Borës dhe konsiderohet si një prej paraqitjeve më të dalluara të aktorit shqiptar në ekranin e madh jugosllav.

Ndryshe “E diela me Bekim Fehmiun” është aktivitet i dizajnuar për një publik të gjerë dhe synon që përmes transmetimit të filmave të Bekim Fehmiut në KTV të arrijë një numër të madh të audiencës së re, e cila nuk ka pasur mundësi t’i shohë filmat e aktorit me nam. Filmat të cilët do të shfaqen në këtë cikël janë: ”Gjethet janë të gjera”, “Mos të përmendet shkaku i vdekjes”, “T'ia dalësh para muzgut”, “Tufa”, “Kush gjuan, i del fati”, “Vajza” dhe “Sasha”, i cili edhe do ta përmbyllë këtë cikël transmetimi.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është iniciativë unike që kontribuon në dialogun dhe shkëmbimin kulturor në mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve sociale, politike dhe kulturore në mes dy shoqërive. Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, që është simbol i së kaluarës së përbashkët, përmes të cilës, me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e kësaj ngjarjeje.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” fuqizohet nga “Integra” (Kosovë) në partneritet me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Iniciativat Qytetare (Serbi), Fondacioni për Shoqëri të Hapur (Serbi), Rockefeller Brothers Fund, Ministria e Kulturës në Kosovë dhe Kohavisioni (KTV).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme