Kulturë

Kristaq Dhamo: Historia le të kritikohet, por duhet respektuar

Në premierën e filmit “Inane”(Vera pa kthim) të Besnik Bishës ishte i pranishëm edhe regjisori i njohur shqiptar, Kristaq Dhamo. Si një ndër emrat që i ka dhënë portretin asaj që qe kinemaja jonë, ai kishte ardhur për të parë, punën e ish-studentit të tij. Në një bisedë të shkurtër me gazetarët, Dhamo tha se paçka kohës kur ai bënte filma, paçka presionit së ushtronte sistemi politik komunist, filmat përcillnin me gjuhën e imazhit atë që mbase gjuha e folur, nuk e thoshte dot.

Ju kam mësuar studentëve të jenë vetvetja, tha ai, duke e ditur se vetëm e vërteta do t’i shpëtonte. Sa i takon qasjes mbi filmat e xhiruar gjatë regjimit komunist, Kristaq Dhamo, që është regjisor i “Tanës”, “Fortunës”, “Detyrës së posçme”, “Vitet e para”, “Brazdat”, “Mëngjese lufte”, etj, thotë se filmat le të kritikohen, por historia duhet respektuar. “Arti është art, në çdo epokë. Mirë apo keq, ai është shenjë e historisë. Historia duhet respektuar, të kritikohet por duhet respektuar. Ajo që të ndalohen filmat më duket një idiotësi, sepse do t’i vësh kryq një historie”, thekson Dhamo.

-Cilat janë përshtypjet e para për filmin e Besnik Bishës?

K. Dhamo: Unë e njoh që nga filmi i parë, “Sinjali i dashurisë” e deri tek ky film. Më pëlqen se ai ka guxim të ndryshojë vetveten dhe ky ndryshim shikohet në tërë filmat. Dhe këtë mendova, ki guxim gjithnjë të ndryshosh. Kush ka guximin të ndryshojë vetveten, do të ecë dhe ky ka ecur. Është një nga filmat më të mirë që ka bërë ai dhe të viteve të fundit.

-Pra, a kemi shpresë te kinemaja e sotme, se kemi besuar se vetëm kinemaja e dikurshme, ka autorë, ka emra?

K. Dhamo: Këtë nuk e ka thënë asnjeri. Përkundrazi gjithë ne të vjetrit, kemi pasur besim të madh tek të rinjtë. E janë po këta të rinj, që u kanë dhënë guxim edhe të rinjve të tjerë. Sot ne kemi të talentuar shumë. Sot ne kemi të rinj shumë, por që fatkeqësisht, duhen ndihmuar më shumë.

– Profesor, po kur të rinj të sotëm kërkojnë që filmat e dikurshëm, duhen shfaqur me një shënim, si për të shmangur ideologjinë e kohës?

K. Dhamo: Këta e thonë më tepër ata që duan të bëjnë një politikë jo të drejtë. Arti është art, në çdo epokë. Mirë apo keq, ai është shenjë e historisë. Historia duhet respektuar, të kritikohet, por duhet respektuar. Ajo që të ndalohen filmat më duket një idiotësi, sepse do t’i vësh kryq një historie. Por historisë nuk mundet që t’i vësh kryq. Mundet që ta kritikosh, historia duhet njohur, sepse kur e njohim mirë na çon përpara. Por filmi është një nga mjetet më të mira të historisë. Sot edhe sociologët edhe historianët po i rikthehen filmit, se shohin se si mendonte, si kanë qenë njeriu, si ka qenë veshur edhe si hante edhe si pinte me të mirat e të këqijat. Le të shikojmë dokumentarët që i kritikojnë më shumë. Hiqi tekstin, sepse dihet që ai më së pari i shërbente propagandës së kohës, por fotografia është reale, ajo nuk gënjen; si ka jetuar me të mirat, të këqijat edhe vuajtjet. Është pjesë e historisë. Edhe si pjesë e historisë duhet trajtuar si histori, me të mirat edhe të këqijat. Por jo t’i vihet kryq.

– Përtej ideologjisë që kanë pasur filmat, siç e thoni ju, tek tekstet. Megjithatë, edhe tek tekstet, autorët kanë mundur të përçojnë mesazhe që kanë vullneti i autorëve?

K. Dhamo: Po ka pas shumë filma, natyrisht që kishte kufizime, por regjisorët tanë gjenin mënyrën më të mirë, skenaristët tanë më të mirë, arrinin pra, që të shprehnin mendimin më përparimtar që ishte lejuar të thuhej për në atë kohë. Madje, më tepër këtë mendim e thoshin përmes personazhit negativ, kritikat që dalin, indirekt ishin për atë regjim. Sot natyrisht që ka mundësi shumë më të mira, vetëm duhet ndihmuar më shumë, se me kaq pak para që jep shteti, edhe me mungesën e sponsorizimeve, të atyre që kanë mundësi ta bëjnë. Të bësh dy filma në vit është pak.

– Ajo që u mungon filmave tanë, është edhe shpërndarja. Shpërndarja për të shkuar te publiku në mbarë vendin, duke qenë se s’kemi kinema, apo e shihni ndryshe?

K. Dhamo: Ajo është zero. Edhe është e çuditshme, sepse nuk e kuptojnë. Mbase në këtë mes, kineastët e rinj, kolegët e mi duhet të punojnë më shumë, që ta detyrojnë qeverinë ta bëjë. Për shembull, unë bisedoj me shumë të rinj, që e kanë harruar kinemanë. Ta shohësh këtë film në shtëpi e ta shohësh në kinema, janë dy gjëra të ndryshme. Kinemaja jep emocione të tjera, në shtëpi në televizor, nuk ndodh e njëjta gjë. Do të ndërpritesh në shtëpi, nga disa gjëra. Në kinema, jo. Kjo nuk është se nuk i jep kinemasë të ardhura, por nuk e mëson brezin e ri, që të mësojë të çmojë atë që duhet çmuar. Filmi e ka vendin në kinema. Televizioni luan rol shumë të madh, por Shqipëria është i vetmi vend që nuk kemi kinema. Ky është turp. Edhe është i vetmi vend në botë që ne mburremi se bëjmë një film në vit. Edhe ky është turp.

– Çfarë këshille i keni dhënë studentit tuaj dikur, një këshillë që mbase e gjetët sonte në ekran?

K. Dhamo: Nuk kam dhënë këshilla, ne kemi biseduar. Kemi shkëmbyer mendime.

– Cili ka qenë besimi juaj në art? Çfarë ishte kinemaja për ju?

K. Dhamo: Ne në atë kohë e donim edhe çmonim shumë kinemanë, sepse e donte edhe populli. Përpiqeshim që të ishim vetvetja. Kush është vetvetja, ai do të bëhet diçka, ndryshe do të ktheheni në një profesionistë të thjeshtë, zanatçinj si thotë populli. Edhe është kënaqësi që shumë të rinj kanë ecur.

– E ka bërë kjo filmin “Tana” të jetë më jetëgjatë? A janë këto elemente që i kujtoni edhe sot, vërtetësia?

K. Dhamo: Po, unë kisha vite 30 apo 40 vite që nuk e kisha parë. Përpara dy muajsh m’u dha rasti. Më kujtoi atë kohë, ma kujtoi në shumë drejtime, sepse kur bëmë atë nuk kishte absolutisht asgjë. Vetëm unë dija diçka, por e bëmë diçka së bashku. Edhe më duket se me ato pak mundësi që kishim, bëmë diçka së bashku/Gazeta Shqiptare