Kulturë

Vendimi për laureatin nuk tërhiqet, thotë fondacioni “Nobel”

Komiteti 18-anëtarësh, përgjegjës për zgjedhjen e laureatëve të çmimit të madh letrar, është i prerë në vendimin e tij. “Nobeli” nuk tërhiqet. E kjo vlen edhe për rastin e Peter Handkes, që të enjten u shpall fitues.

Në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Koha Ditore”, Mikael Östlund, menaxher i Marrëdhënieve me Publikun në fondacionin “Nobel”, ka thënë se Fondacioni nuk përzihet në punën e institucioneve të pavarura si Komiteti e nuk i komenton përzgjedhjet e laureatëve të “Nobelit”. Por as që mund të bëhet fjalë për tërheqjen e çmimit.

“Fondacioni ‘Nobel’ asnjëherë nuk komenton mbi përzgjedhjet e institucioneve të pavarura mbi laureatët e çmimit 'Nobel’”, ka thënë ai.

Pyetjes nëse Komiteti i “Nobelit” mund të rishqyrtojë çmimin e Handkes, ai i është përgjigjur duke thënë se statutet e fondacionit “Nobel” nuk e parashohin një gjë të tillë.

“Statutet e Fondacionit ‘Nobel’ nuk përmendin një mundësi të tillë. Asnjë prej komiteteve të ndarjes së çmimeve në Stockholm apo Oslo nuk e ka konsideruar ndonjëherë revokimin e çmimit të dhënë”, ka thënë Östlund të premten në përgjigjet me shkrim. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)