Kulturë

“Njeriu në fokus” në Stacionin e Trenave në Ferizaj thur fate nëpër kohë

Ferizaj, 10 tetor – Pothuajse secila prej tyre mund të ishte fotografi që do të ilustronte një vepër dokumentuese që trajton shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin, luftën apo edhe viktimat në masë. Janë portrete e pamje të grupeve të vogla njerëzish e që flasin shumë. Deri në masën që vështirë se përshkruhet e asnjëherë nuk i shkohet deri në fund. Janë 31 fotografi të varura në një hapësirë me jo më shumë se 20 metra katrorë. Por historia që shpalosin e tejkalon Ballkanin.

Ekspozita “Njeriu në fokus”, që është hapur të martën mbrëma në Stacionin e trenave në Ferizaj, ofron një rrugëtim të fateve njerëzore që përthekohet brenda objektivit të fotoaparatit. Vija hekurudhore në Ferizaj ishte ndërtuar më 1978, duke ia hapur mundësinë vendbanimit që të nisë të shndërrohet në qendër urbane. Ndërtesa e gurtë që shërben si Stacion i trenave është dëshmitare e historive të shumta. Por edhe e asaj të luftës së fundit në Kosovë, kur përmes Ferizajt kaluan trenat që transportuan mijëra refugjatë nga Kosova për në Maqedoni. Si objekt rreth të cilit lidhen shumë histori të fateve njerëzore, një pjesë e hapësirës për pesë ditë do të jetë edhe “galeri”. Por kësaj radhe do të jetë dëshmitar i dokumentimeve me imazhe. Alban Bujari, Blerim Demolli, Bardha Goga, Laura Hasani, Visar Kryeziu nga Kosova, Osman Emiri, Arbnora Mehmeti e Ognen Teofilovski nga Maqedonia, Nikola Sholiq nga Kroacia, Goran Tomasheviq nga Serbia e shumë kolegë të tyre fotografë e fotoreporterë janë bërë bashkë për të paraqitur fate njerëzore.

Organizatori i ekspozitës, fotoreporteri i njohur Hazir Reka ka folur për atë se si Stacioni i trenave në Ferizaj është dëshmitar i shumë kohëve.

Me gjithë vështirësitë në organizimin e saj, Reka pretendon që fotografitë të ekspozohen edhe në Prishtinë. Për këtë llogarit edhe në ndihmën e kuratorit, Bekim Blakaj, i cili drejton Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Vendi i parë i ka takuar Ognen Teofilovksi nga Maqedonia. Fotografia e tij paraqet një person me gojë të qepur duke ilustruar mungesën e lirisë së fjalës. Vendi i dytë i ka takuar kroatit Nikola Sholiq e i treti fotografit Arben Llapashtica, njëherësh kameraman në Kohavision. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në ngjarje. Krejt në hyrje të ekspozitës në anën e majtë ndodhet fotografia e fotoreporteres Laura Hasani. Aty paraqitet një familje nga Drenica pakë kohë pas luftës. Varfëria është emëruesi i përbashkët i krejt pamjes që shpalos objektivi i Hasanit. Familjarët e ulur në hyrje të dhomës e mbajnë të varur një sofër.

"Sot e kësaj dite kur e shoh këtë fotografi rrëqethem”, ka kujtuar Hasani e shoqëruar nga kolegu Alban Bujari, fotoreporter i “Kohës Ditore”. E përballë fotografisë së Hasanit, ajo e Bujarit paraqet gazin lotsjellës të një proteste.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")