Kulturë

Çfarë shkruante më 1944 gazeta 'Lidhja e Prizrenit'

Në vazhdim do të paraqesim për lexuesin e gazetës “Mapo” një shkrim të publikuar më 27 gusht, 3, 10 dhe 17 shtator 1944, në gazetën e kohës “Lidhja e Prizrenit”, që dilte në Prizren (Kosovë), sqaron autori Veli Haklaj. “Lidhja e Prizrenit” ishte një gazetë e përjavshme politike, kulturore, shoqërore, organ i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Shkrimi është nënshkruar nga Mërgimi, pseudonim i përdorur nga autori i shkrimit, që në mundësinë më të madhe duhet të jetë vetë drejtori-përgjegjës i gazetës, Tahir Zajmi, i cili ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Objekt i shkrimit janë ngjarjet tronditëse që ndodhën në Prizren në javën e fundit të muajit gusht 1878 dhe revolta që shpërtheu në Gjakovë në javën e parë të muajt shtator, e cila përfundoi me vrasjen e Mehmet Ali Pashës, Abdullah Pashë Drenit, Bajram agë Batushës, Shaqir agë Currit (baba i Bajram Currit), Hoshit të Nurë Zenelit dhe shumë të tjerëve që mbështetnin pashain turk, por pati dhe 437 të vrarë e të plagosur nga luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këto ngjarje patën një jehonë të thellë jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Kemi ruajtur titullin dhe nëntitullin e shkrimit dhe, në përgjithësi, edhe gjuhën e autorit.

Tragjedia e Abdullah Pashë Drenit

Dokument historik mbledhë nga goja e popullit

Shqipëria ishte në rrezik, pse Kongresi i Fuqive të Mëdha, i mbledhur në Shën Stefan më 1878, kishte vendosur cungimin e Shqipërisë, duke i dhënë Malit të Zi Hot, Grudë, Plavë e Guci.

Perandoria Osmane, e dobësuar nga qeverimi i keq i Sulltan Hamitit, heshtte e ishte gati të zbatonte vendimin e marrë nga Fuqitë e Mëdha në Shën Stefan vetëm që mos t’iu grabitte ndonjë copë tokë tjetër e saj.

Shqipëria, ndonëse e vuajtur nga robëria pesëqindvjeçare turke, u revoltua nga padrejtësia e Shteteve të Mëdha e lidhi Besën në Prizren, më 17 Qershor 1978, që të ruajnë me çdo kusht Truellin Kombëtar nga cungimet e padrejta.

Porta e Lartë, e frikësuar prej ngatërresave që mund të lindshin në Ballkan nga vendimi që morën shqiptarët, dërgoi në Kosovë Mehmet Ali Pashë Maxharin, për me vendosë kufijtë e rinj, me u marrë vesh me Krerët e Shqipërisë që të mos kundërshtojnë edhe mâ fort dhe me e prishë Lidhjen e Prizrenit.

Ishte Ramazan, që ra në kohë të vjeshtës, posa kishte dalë rrushi. Bënte një i nxehtë i madh. Prizreni, Gjakova e Peja me Nahije kishin dalë në kufi për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.

Vilajeti ishte aso kohe në Prishtinë. Mehmet Ali Pasha, i dërguar i posaçëm i Stambollit, erdhi prej Prishtine në Prizren, për t’i mbledhur Krerët e Kosovës në Kuvend, për t’i marrë me të mirë me dhurata e grada nëpunësie, që të heshtin.

Në kuvendin e Mehmet Ali Pashës, shkuan nga ana e Gjakovës Abdullah Pashë Dreni, Ahmet Efendi Koronica, Ismail Efendiu i Vesel Efendisë, Sulejman Agë Vokshi, Latif Agë Luzha e Mullah Hamza i Sul Osos. Nga ana e Prizrenit morën pjesë shumë zotni e agallarë, por nga ata që mbahen në mend ishte Abdullah Aga i Prizrenit me famë në atë kohë.

Kuvendi filloi me fjalën e Mehmet Ali Pashës duke thënë: “Selam keni prej Babës Mbret, që iu don shumë e iu shikjon pa nda, me ia pasë hatrin e me e dashtë, pse kohët kanë ardhë të vështira për të gjithë popujt ashtu edhe për të. Krajlat e Europës e kanë lut Sulltanin me i dhanë tokë Malit të Zi, edhe deri diku e kanë shtrëngue. Sulltani, mbasi ka mendue shumë, vendosi me i dhânë malazezëve Hot, Grudë, Plavë e Guci, e me vue kufinin këtej nga ana e juej deri në Qafë të Çakorit.”

Krerët e Shqipërisë, sidomos ata të Gjakovës, menjëherë fillojnë të kundërshtojnë e të ngurojnë, por edhe çdo fjalë e flasin me masë e pa u nxe se kishin frikë se mos arrestohen.

Pashai, duke parë se pamja e të gjithve ishte e zymtë, filloi menjëherë me u nda grada nëpunësie, rroga e pasuri.

Kështu fillon me folë: “Nëse me ndigjoni mue, ju rrini urtë e punët kanë me iu dalë mirë. Ti, Abdullah Dreni ke me qenë vali në Manastir; Ahmet Efendi Koronica do të jetë Vali në Prishtinë, Sulejman Agë Vokshi do të jetë Mytesarif (Prefekt) në Senicë”. Por Sulejman Agë Vokshi menjëherë ia kthen: “Të falem nderës Pashë, unë nuk dij me këndue e me shkrue, e për këto do të Ju lutesha me m’lânë rahat në shtëpi”. Por Pashai nuk ia vuri veshin e vazhdoi: “Ismail Efendiu ka me pasë dhetë lira në muaj; Latij Agë Luzha e Mullah Hamza i Sul Osos kanë me pasë nga pesë lira në muaj”.

Thuhet se të paktë qenë ata që iu qeshi fytyra, por shumica mërmërisnin të zbehtë, edhe ai që u dukte më i mërzitur, kur sheh se po mbaronte kaq keqas vendi i vetë, ishte Sulejman Agë Vokshi, që për fat të keq na kishte qëlluar qel. Sulejmani nuk fliste me gojë, por largonte mizat e nganjëherë kruante kryet nën qeleshe.

Abdullah Dreni e njeh mërzinë e vëllait të tij e menjëherë i thotë: “Sylçe e dreq, mos e kruej qelen se na bâne horë para Myshir Dovletit e agallarëve të Prizrenit”.

Sulejman Aga ia kthen: “kam qillue qel e s’po më lân mizat rahat moj shtëpija e Drenit, prandaj mos piskat. Shif se këtu po më hajn mizat mâ shumë se tjetër herë edhe nuk po kam dert për Myshir (Pasha) e as për agallarë”. E menjëherë heq kësulën edhe e kruan kryet me të madhe.

– Ah more Syl, s’bân mirë, se mue s’më bjen në mend për juve.

– Ty nuk të bjen në mend për ne, por unë ta djeg majen e kresë.

– Unë për juve e vë kufinin në Piskot (vend një gjysmë ore larg Gjakovës).

Kuptohet se biseda në mes Sulejman Agë Vokshit dhe Abdullah Pashë Drenit bâhej në gjuhën shqipe.

Në këto fjalë hynë në mes Sulejman (Ismail) Efendiu duke thanë: “Nuk na vyen me folë këto fjalë këtu, prandaj çohuni ç’âsht Gjakovë e të shkojmë.”

Dolën të gjithë nga mbledhja veç Abdullah Pashë Drenit, i cili qëndroi me mysafirin e tij, [Mehmet Ali] Pashën. Kur mbërritën në Qafë të Pazarit, te Hani i Baltës, u takuan me Ramadan Sulejmanin [Ramadan Sulejman Zaskoci, nga Mamzi i Lumës, Kukës], një lumjan, djalë i ri e trim me zâ.

– Oj Ramadan, a po na vret telegrafin e Pashës?

– Ku ta gjej se nuk e njoh, ia kthen Ramadani.

– Shko në Marash Kafe e përvet për të se e gjen duke pi me shokë.

Në këto fjalë nxjerrin e i japin pesëqind grosh, se të tjera nuk kishin patur me vete, e i thonë: “Merri këto pare nji herë, vraje telegrafin, dil në mal e mandej hajde në Gjakovë. Por shikjo, mos qit pushkë deri sa ne të dalim te Livadhi i Kadisë (vend përmbi Lanovicë, në krah të djathtë).

Ramadani u suall pak kohë e pastaj shkoi e vrau telegrafistin, bash n’atë kohë kur ata kishin kapur Krushën.

Parija mbërrini në Gjakovë të mërkurën mbrëma, mbas iqindije, e menjëherë dërguan dy djem në Malësi (Malësia e Gjakovës-Tropoja), duke i porositë për me u thânë:

“Të bâhen gadi me dalun sa mâ shpejtë në Gjakovë, pse na vjen murtati i Vatanit (tradhtari i Atdheut), të cilin po na e bjen me vedi Abdullah Pashë Dreni”. Një djal tjetër dërguen tek Ali Pashë Gucia, me porosi të Ismail Efendiut, duke i thânë për me na ra mbrapa se kena bâ mend me u fikë.

Ali Pashë Gucia u dërgoi katërqind lira të kuqe. Paret i ranë në dorë Ismail Efendisë, por Sulejman Agë Luzha i thotë: “Mos i prek e shpërndaj këto pare kund, se po deshte me ia humb faren Maxharit hudhi në grykë të Malsis.” Si thanë, ashtu bânë.

Të shtunën mbrama, mbas iqindije, mbërrini në Gjakovë Abdullah Pashë Dreni me Mehmet Ali Pashë Maxharin. Disa zotërinj të qytetit të Gjakovës shkuan me i thanë mirëseardhjen. E gjithë nata kaloj e qetë. Të dielën ishte një farë përzimllëku, por kërkush nuk merrte vesh gjë. Natën e së dielës, megjithëse ishte Ramazan, qenë pak dugaj (dyqane) të hapura dhe jo si zakonisht. Duke u falë Teravija, qenë mbyllë të gjitha dugajt; e pa dalun populli prej xhamisë, u rrethua pazari, ranë do pushkë e prapë pushuan.

Abdullah Pashë Dreni, duke parë se populli ishte çue shumë kundër, vetëm për shkak të mysafirit të tij, lypi besë deri të mërkurën në katër sahati allaturka të ditës. Ndërmjetësia u pranua. Qenë thirrë prej Abdullah Drenit të gjithë miqtë e dashamirët për ndihmë, që të mos turpërohej para pashës turk. Kështu shkoj Shaqir Agë Curri, Rustem Ali Batusha [bëhet fjalë për Bajram agë Batushën], që kishte qenë yzbash i zabtive (kapetan i xhandarmërisë), por Vilajeti e kishte pasë hequr e ndërkohë ai rrinte në Batushë pa punë. Ai të hënën në mbrëmje u duk nëpër pazar dhe të martën hyri në Saraj. Patën hyrë edhe shumë Fanë, ndër të cilët më në zë kah trimërija pat qenë Osho Nurja. Njerëz pa masë patën hy në Saraj, por edhe mâ shumë e rrethuan atë. Populli qe ndarë keqas, sa nuk mbahet mend ndër vende tona, nga askush deri më sot. Aty e rrethoi edhe e vrau bash i vëllaj të vëllanë, baba të birin e anasjelltas, po kushuriri të kushuririn aty s’janë numëruar.

Lufta filloi në agim të ditës së mërkurë. Pa dalë mirë drita, ishte dyndur Peja, që me Malësi të Gjakovës u ranë të dy taborreve të ushtrisë turke, duke i plaçkitë e vra më të shumtit, të cilët Mehmet Ali Pasha i kishte rregullue ndër çadra një ditë më parë, në breg të Fushës së Bajram Pashës (ku âsht sot -1944- barnatorja).

Në të njëjtën kohë qe rrethuar edhe Saraji prej Gjakovës me Malësi, Pejës me Nahi edhe Rekës e Hasit, të cilët ishin rregulluar kështu:

Komandant i Dushkajës ishte Mehmet Ali Pazhari (Pozhari), komandant i Rekës e i Malësisë ishte Islam Agë Batusha, kushëriri i Bajram Agë Batushës që ishte në Saraj.

Pa ra katër sahati (allaturka), koha e zgjidhjes së besës, Ahmet Koronica hyri i vetëm në saraj, për t’u marrë vesh për të fundit herë me Abdullah Drenin, për dorëzimin me dorë të popullit të Mehmet Ali Pashës, që ishte tradhtar i Atdheut.

Abdullah Dreni iu përgjigj: – A âsht a s’âsht trdhtar mue nuk më përket me e dijtë, mbasi më ka ardhë mik te shtëpija, ku ka hângër bukë e krypë; edhe si zanat e ka shqyptari, miqtë për të gjallë nuk i dorëzon. Tokë, lopë e çdo pasuni po iu a fali veç erz (nder), shpirt e mik unë nuk iu jap!

– Mos bre Abdullah Pasha, mos e fik Sheher, Malsi e popullin e Atdheut tënd, pse për Zotin s’ka të dalun kush i gjallë pa u dorëzue tradhtari i Atdheut.

– Jo nuk e koris unë Besën Shqyptare or Ahmet Koronica me e qitun mikun prej shtëpijet edhe sa për juve nuk më bjen në mend a jeni gjallë apo të vdekun.

N’atë kohë Mehmet Ali Pasha e sheh veten shumë keq e duke qenë aty Ahmet Koronica, dërgoi Javerin e tij me gjashtëdhjetë suhari, bashkë me Hasan Agën e Sadik Agën, në Prizren për të dërguar një telegraf në Stamboll për të kërkuar ndihmë.

Pa ra katër sahati, Ahmet Koronica del prej Sarajit e porsa mbrrini te vorri i Babas Din, në breg të përroit, ndihen prej Sarajit dy pushkë në drejtim të tij; porsa kap urën ndihen edhe dy të tjera, por shpëton. Sa hyn mbas shtëpisë së Ahmet Begut të Kurt Pashës, bërtet Koronica: “Bini burra se kaur ishte, Pashë Maxharri don me e lëshue Atdheun në duer të Shkjaut. Kush âsht Shqyptar sot e tregon vedin!”

Atëherë lufta plasi e tmerrshme. Plumbat, zjarri e tymi shkojshin e vijshin. Britma kishte mbulue kupën e qiellit. Shenjonte mirë shqiptari me vra vëllau të vëllanë, vetëm për një njeri të huaj. Të vdekurit e të plagosurit filluan të pikojnë për tokë.

Kur âshtë bërë tetë sahati të enjten mbrëma, Osho Nurja e vrau Islam Agë Batushën, të kushëririn e Bajram Agës, që rrinte në atë çast në gur të oborrit të Sarajit. Ka qitë Oshja në atë kohë e i ka thânë:

– Çou bre Bajram Aga e shihe Islamin si ta shtrina si lisin për tokë.

– Oj Fanë e të marrtë dreqi, tash pasha Zotin nuk ka kush që shpëton i gjallë, mbasi ai ka qenë shum i dashtun në popull.

Populli, duke parë Islamin të vdekur, tash duke vikatë e mësynë Sarajin me pushkë, sakica e zjarrë në dorë. Gjaku shkonte përrua. Luftuesat e Sarajit luftojshin burrërisht, por etja i kishte lodhur së tepërmi, pse tymi i barotit i çonte etje të madhe edhe ujë nuk kishin. Ushtari më i vogël jepte çdo gjë çka kishte vetëm për një gjysëm litre ujë. Mujtën me e lehtësue vuajtjen e ujit duke thithë gjakun e tetëdhjetë pëllumbave, që djali i Abdullah Pashë Drenit i kishte pasë rritur në Saraj.

Mbas vrasjes së Islam Agës, lufta vinte gjithnjë duke u bërë mâ e egër dhe, kur mbërriti kulmin e saj mâ të madh, Osho Nurja u duk në dritare e si lidhi shokën për hekura të saj u thirri anës kundërshtare me sa zâ kishte:

“Or milet ku jeni, se tash Osho Nurja po bjen në tokë e kush âsht burrë le të më presin.”

Si nisi të lëshohet për të rrëshqitë nëpër shokë, më së njëmijë pushkë u dëgjuan në drejtim të tij dhe Osho Nurja, pika e trimave, ra në tokë i vdekur.

Burrat që mësyjshin morën atëherë edhe mâ zemër edhe u afruan fare afër Sarajit dhe u mundojshin me i dhânë zjarr me duqe sane të ndezun. Shtatë burrat nga më të zotët mbetën të vrarë tek dera e Sarajit duke i dhânë zjarr, por i teti e ndezi derën. Zjarri filloj të përhapej me furi në të katër anët. Nuk u dëgjonte tjetër veç krisma e pushkëve, britma e komandave e kërcëllima e zjarrit. Kur ra kaush kulla në dorë të Malësisë, pushka pushoi.

Lufta zgjati dy ditë e pak, filloj të mërkurën e mbaroj në sillë të xhumasë (të premtes). Kur ka thirrur dreka, luftuesat lanë pozitat e luftimit.

Një hije vdekje kishte mbuluar qytetin e Gjakovës. Nuk u dëgjonte gjë tjetër veç rënkimet e të plagosurve dhe kërcitja e trarëve të Sarajit duke u djegur. Në atë heshtje e pamje të vdekurish hapen dyert e Sarajit e filluan me i nxjerrë të gjallët e të vdekunit.

Në një kënd duke luftuar kishte mbetur vdekur Abdullah Pashë Dreni, të cilin e zhveshin lakuriq e i vendosin një tullë mbi vehte dhe e fusin në nevojtore, ku e lânë tridhjetë e gjashtë orë pa guxuar kush për ta marrë. Një grup burrash shihet duke qitë Bajram Agën e Batushës lakuriq. I kishin pas shpue me thika pulpat e llangëve të duarve e të kâmbëve, dhe për këto plasje mishi e kishin kapur dhe e çojshin peshë. Mulla Ryshiti, një hoxhë i respektuar i vendit, u del përpara dhe u thotë malësorëve: “Ma falni mue trupin e Bajram Agës, pse ka qenë miku i babës edhe due unë vetë me e varrosë.” Malësorët e dëgjojnë dhe ia japin pa fjalë. Trupi i Bajramit u varros po atë ditë në Xhami të Hadumit.

Mbas pak shihet një grup i madh malësorësh të Krasniqes, nja pesëqind a gjashtëqind vetë, të cilët kishin mbështjellë në qylym Shaqir Agë Currin, dhe e çojshin peshë, që të mos u diktonte a ishte gjallë a i vdekun. Në krye të pazarit u del para Pajazit Aga, që kishte marrë komandën e Islam Agë Batushës, dhe u bërtet:

– “Kush âsht aty?”

Qerim Delia i Gegëhysenit, krasniqas, ia pret: “Kemi Agë Currin”.

– “Pse aj në qylym”?

– “Âsht Zotni shehrit e kështu i ka hije”.

– “Mirë, po shihni zotnitë e tjerë të Gjakovës ku janë: Abdullah Pashë Dreni lakuriq e âsht në nevojtore. Edhe Bajram Agën po ashtu e kam çue për të gjatë pazarit. Atëherë a iu duket juve e hijshme me e çue Shaqir Agën në qylym?”

Me të mbaruar fjalën Pajazit Aga, Qerim Delija ka vikat: “Largo gjind (njerëz) e dhé, na jemi të një fisi me të edhe na përket neve çdo gjâ”. Krasniqasit e tjerë e lëshojnë qylymin përtokë dhe e grijnë në vend Shaqir Agë Currin. Kjo vrasje bëhet rreth Teqes së Hafiz Sylës, bash tek dera. Mos t’u grinte Shaqir Curri, aty do të bâhej një vrasje e hata më e mynxyrshme se sa ishte bâ deri në atë çast, pse do t’u vritshin në mes tyre.

Mbas kësaj tragjedie, na del te dera e Sarajit Mehmet Ali Pashë Maxharri me një shkop, në majë të të cilit kishte vu një shami të bardhë duke thirrë: “Aman Shqyptar, në besë tuej jam, teslim unë iu kam bâ.”

Aty te dera na kishte qëlluar Isuf Krajki i Junikut, i cili menjëherë heq jataganin e ia pret kryet me aq furi sa kryet i bjen përtokë para së trupi të takojnë përdhé. Përnjëherë ia marrin kryet e ia vendosin në majën e një huri, nën qafë i goxhdojnë një dërrasë mbi të cilën vendosin një gotë verë. Ashtu e marrin e si e shëtisin nëpër Pazar e vendosin në breg, ku janë krojet e gjata.

Populli i kishte dënuar me vdekje të gjitha ata që kishin qenë brenda në Saraj e kishin luftuar për Pashën, mbrojtësin e tradhtarit të Atdheut, prandaj u ruajshin mirë dyert e sarajit që të mos shpëtonte kush i gjallë. Vetëm djali i Abdullah Pashë Drenit bashkë me nja dymbëdhjetë ushtarë turq u shpëtuan prej popullit të Gjakovës.

Si u pastrua çdo gjë, brenda e jashtë sarajit, u mblodh populli e paria e vendit me pa se sa e kush mbeti i vrarë në qytetin e Gjakovës, të Malësisë së Gjakovës, Pejës me Nahije, Rekës e Hasit, veç ushtrisë turke, edhe dolën 437 (katërqind e tridhjetë e shtatë) të vdekur e të plagosur rëndë.

Pleqnia kuvendoi si me bâ për të gjitha këto gjaqe, pse herët a vonë do të lypeshin e atëherë do të vritej populli edhe më keq. Mejtuan për me i mbytë në Dri

Sulejman Agë Vokshi thotë: “Mirë keni mejtue, nesër kemi me i mbytë në Dri të gjithë këto gjaqe”.

Qesin tellallin me lajmue se ç’âsht popull, që ka rrethue Sarajin, me u gjetë nesër në orën 12 sahati allaturka në Fushën e Ali Begut.

Në të nesërmen Sulejman Agë Vokshi, tue pasë përpara popullin e krahinave të naltpërmendura, fillon fjalën:

“A po ndien more popull i Gjakovës, Pejës me Nahi, Malësis, Rekës e të Hasit; gjaqet që mundemi me i pasë në mes tonë, pse kemi bâ nji luftë që nuk âsht ndigjue ndoj herë, tue vra vëllaj të vëllaun, do t’i mbysim në Dri. Nuk âsht e mirë e nuk ka kush që kërkon sot e mbrapa me marrë gjakun që mundet të jenë derdhun këtu, pse për Din e Imam e baj hi e pluhun; për këtë punë kam mbrapa meje Gjakovën e te tânë burrat që jeni këtu.

Edhe selam kemi me i çue Babës Mbret, nëse ka ndër mend prap me çue veqil për me nda e me falë tokat e Shqypnis, që nga gjyshit e kemi pasë të trashigueme, ta dijnë mirë se prap mâ së miri kemi me i shkurtue kryet. Na lidhëm Besë në Prizren me ruejtë Vatan e me rujtun nder, e për këto edhe me dekun, pra na kjem të parët në të gjithë Kosovën, që realizuem vendimin e marrun në Lidhjen e Prizrenit; prandaj shtrëngonju burra me qenë mbas sodit edhe mâ të gatshëm se puna mâ e vështirë âsht tue na pritun.”

Në mbarim të fjalës së tij, populli filloi me qitun pushkë nga gëzimi, që zgjati një orë e gjysmë. Nuk âsht pa as diell e as qiell, veç tym e flakë.

Mbas asaj dite nuk u vra e as s’u folë mâ se ç’u pa e se ç’u bâ.

Mërgimi.

{gallery}