Menekshe, veprimtari që hapi një kapitull të ri për romët

Menekshe, veprimtari që hapi një kapitull të ri për romët

18 September 2019 08:47

Prizren, 18 shtator – Dramaturgu, gazetari, arsimtari dhe aktivisti i shquar rom, Nexhip Menekshe, që ndërroi jetë gjatë fundjavës, është përkujtuar të martën në sallën ku me vite të tëra kishte realizuar shfaqje të ndryshme në gjuhën rome.

Kësaj here bashkë me to është vlerësuar vepra e tij jetësore në shërbim të komunitetit rom, por edhe fuqizimit të bashkëjetesës në Prizren. Përfaqësues institucionalë kanë thënë se Prizreni e humbi një lule që ka pasuruar qytetin e moçëm, familjarët kanë vlerësuar energjinë e tij të shpenzuar për të mirën e romëve dhe të tjerëve, teksa miqtë e bashkëpunëtorët kanë pohuar se ai me kohanikët e vet kanë kontribuar në krijimin e një gjenerate të re të romëve me më shumë mundësi për edukim e përparim, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se Nexhip Menekshe “ka dhënë shumë për rrethin, qytetin dhe gjithë Kosovën”.

“Ai ka qenë ndër dramaturgët e rrallë, gazetar, arsimtar i gjuhës rome, drejtor i radios ‘Romano Avazo’, drejtor i shoqërisë kulturo-artistike rome ‘Durmish Asllano’ dhe gjëja më e rëndësishme ndoshta në jetën e tij, ai ka qenë një aktivist i palodhur për të drejtat e romëve dhe për zhvillimin e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Haskuka. Ai ka kujtuar se si në takimet me komunitetin rom, ka gjetur gjithmonë gjuhë të përbashkët me Menekshen për projektet, të cilat janë për të mirën jo vetëm të komunitetit rom, por edhe të Prizrenit në përgjithësi.

“Prandaj, humbja e tij e hershme, është humbje jo vetëm për komunitetin rom, por edhe për gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit dhe gjithë Kosovës”.

Haskuka ka shtuar se ka shumë pak njerëz që punojnë në heshtje, mirë, në mënyrë profesionale, me etikë dhe që mundohen të japin më të mirën prej vetes, për të mirën publike. “E një njeri i tillë ishte edhe Nexhip Menekshe. I heshtur, por punëtor. Nuk ka qenë ndoshta gjithmonë në ballë, por ai ka qenë aty prapa shumicës së proceseve që kanë të bëjnë për të drejtat e romëve. Ashtu siç thotë edhe mbiemri i tij ‘Menekshe’, Prizrenit i është humbur një lule, e cila e ka pasuruar qytetin e Prizrenit dhe Komunën e Prizrenit”, është shprehur Haskuka.

Ish-deputeti rom në Kuvendin e Kosovës, Albert Kinolli, ka shprehur qëndrimin se “Nexhipi ka lënë gjurmë të pashlyeshme si regjisor, profesor, si drejtor në radion rome ‘Romano Avazo’, si kryetar në shoqatën ‘Durmish Asllano’, por mbi të gjitha me virtytet si njeri”. “Do të mbahet në mend kontributi i tij për ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës rome dhe luftën kundër asimilimit, duke dhënë mësim fakultativ në gjuhën rome”, ka thënë Kinolli.

Ndërkaq djali i të ndjerit, Fatmir Menekshe, ka pohuar se babai i tij ka jetuar shpejt dhe ka vdekur herët. “Akoma pa na lënë më merrte malli për ty, për energjinë tënde të paarritshme që e ke shpenzuar kaq dekada për të mirë, për të mirën e romëve, të shoqërisë dhe të familjarëve. Por, s'le aspak energji për vete be babë...”, ka thënë Menekshe, i cili kohë më parë kishte luajtur rolin e Kujtim Paçakut në shfaqjen“Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçak”, shkruar nga autori Nexhip Menekshe.

“Më përdore si vegël për t’i treguar botës kontributin e mikut tënd. Por aty e paske fshehur edhe veten që të na përgatitësh me ndjenjat e të humburit një njeri të madh”, ka thënë Fatmiri, duke iu referuar shfaqjes.

Drejtori i teatrit amator rom në Prizren, Bardhyl Vesho, ka thënë se veprat e tij e puna e palodhshme do të kujtohen gjithë kohën. Sipas tij, Menekshe, për gjeneratat e ardhshme dhe dashamirët e artit ai ishte dhe do të mbetet frymëzim për atë se si duhet të punohet me përkushtim, vëmendje e artdashje. Vesho ka deklaruar se Teatri rom do ta ketë të vështirë që të vazhdojë punën, por se këtë do ta bëjë me qëllim që ta çojë në vend amanetin e Nexhipit.

Aktori nga Prizreni, Xhevdet Doda, ka thënë se ka qenë nder dhe kënaqësi e veçantë që përgjatë viteve ka qenë pjesë e ndërtimit të një teatri të fuqishëm e unik, jo vetëm në Republikën e Kosovës, jo vetëm në Ballkan, por më gjerë, në kuadër të cilit “Nexhipi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për teatrin e kulturën rome, dhe jo vetëm”.

“Vdekja e tij e hershme është humbje për qytetin e Prizrenit, sepse ka humbur një aktivist të devotshëm”, ka thënë Doda.

Ares Shporta nga RrOK ka shtuar se Nexhipi përvojën e tij shumëvjeçare e ka vënë në dispozicionin të Rrjetit prej ditëve të para dhe ka qenë frymëzim. “Përmes tij kemi njohur teatrin rom, kulturën rome, kujtesën kolektive të komunitetit rom”. Ai ka thënë se humbja e Nexhipit, një vit pas vdekjes së Kujtim Paçakut është tronditëse për kulturën e qytetit të Prizrenit.

“Angazhimi i tyre dhe i gjithë asaj gjenerate ka kontribuar në zhvillimin e një gjenerate të jashtëzakonshme të vajzave e djemve romë, të shkolluar e të angazhuar që të luftojnë për të mirën publike dhe që janë pjesë integrale e shoqërisë”, ka thënë Shporta, duke shtuar se kësisoj “kanë lënë një gjeneratë më të mirë sesa ajo që e kanë trashëguar”.

Nexhip Menekshe u lind më 15 dhjetor të vitit 1966 në Prizren, ku edhe është shkolluar. Aty ka kryer edhe Fakultetin e Edukimit. Ka qenë pjesëmarrës i shumë konferencave për të drejtat e njeriut dhe për kulturë. Në vitin 1984-1988 është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Kulturo-Artistike "Durmish Asllano", për të pushuar deri në vitin 2002, ku nga ai vit e deri më 2019 është rizgjedhur sërish në krye të saj.

Përveç që ishte autor i dramave të gjuhës rome në Teatrin Amator të Romëve në Prizren, ai ka bërë regjinë e dhjetëra shfaqjeve, e po ashtu ka shkruar poezi të ndryshme, të cilat, në fokus kishin romanipen apo jetën e romëve. Ka punuar edhe si gazetar dhe ka qenë ndër themeluesit e Radios “Romano Avazo” në vitin 2007. Prej vitit 2011 ka filluar punën si arsimtar i gjuhës rome në mësimin fakultativ. Menekshe ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare në një Klinikë të Maqedonisë, pas një sëmundjeje të shkurtër. Prapa vetes ka lënë gruan, dy djem dhe dy vajza/ Fisnik Minci.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme