Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Meritat kombëtare të Fadil Hoxhës, plani i Enverit për t'iu bashkuar Jugosllavisë

Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Meritat kombëtare të Fadil Hoxhës, plani i Enverit për t'iu bashkuar Jugosllavisë

16 September 2019 09:33

Në moshën 100 vjeçare dje është shuar gjenerali Rrahman Parllaku, i cili gjatë Luftës Çlirimtare luftoi edhe në Kosovë, ndërsa vuajti shumë vite persekutim nga diktatori Enver Hoxha.

Ai ka lënë pas kujtime të shkruara, të vlefshme për historinë në Shqipëri e në Kosovë. E ribotojmë këtë intervistë të tij, të huajtur nga gazeta "Panorama", botuar ditë më parë.

Frika për një puç ushtarak duket se e ka shtyrë Enver Hoxhën që të sulmojë drejtuesit e lartë të Ushtrisë. Duke dënuar ata, Enver Hoxha dobësonte pozitat e forta që Mehmet Shehu kishte në Ushtri, ku në Shtabin e Përgjithshëm kishte emëruar 7 komandantë dhe gjeneralë të Brigadës së parë.

Jugosllavët ishin ata që e mbështetën Enver Hoxhën që të merrte fuqinë e plotë në krye të PPSH-së dhe pse në Pleniumin e Beratit, ai kishte marrë kritika të forta. Në vijim të rrëfimit të tij, gjeneral lietenant, Rahman Parllaku, tregon se në mënyrë të përsëritur, Enver Hoxha ishte shprehur për t’iu bashkangjitur federatës jugosllave, duke pranuar Titon si sekretar të parë të Partisë dhe ai vetë me Koçi Xoxen të ishin sekretarë të një prej republikave të federatës.

-Gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë shqiptare nuk kanë munguar tezat se PKSH u formua nga jugosllavët dhe të dërguarit e Titos, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Ju keni qenë pjesë e strukturave drejtuese, çfarë roli kanë patur jugosllavët?

Për hir të së vërtetës, nuk kam qenë në grupet komuniste dhe as i ndikuar nga ata, por kam mësuar se në mbledhje, nismat për krijimin e PKSH ka qenë e grupeve komuniste, grupi i Korçës, i Shkodrës dhe i të Rinjve. Ka qenë grupi i Zjarrit që nuk u përfshi në krijimin e partisë. Këto grupe morën iniciativën për të krijuar PKSH. Në mbledhje ka qenë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Unë me Dushanin jam njohur gjatë viteve 1943, se kam qenë në Vlorë. Me Miladinin, jam njohur fillimisht në Shtabin e Përgjithshëm në Elbasan. Kur kalova në Kosovë me formacionet tona, me Miladinin u takuam dhe u miqësova se më priti shumë mirë. Komanda e Brigadës u thirr nga Komanda e korparmatës së Parë në Priskë të Tiranës dhe na njoftoi Urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për kalimin në Kosovë të brigadave 3 dhe 5 me këto detyra:

1-Të ndihmonim në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit nazistë

2-Të nxisnim kosovarët të merrnin pjesë masivisht në luftë kundër nazistëve gjermanë, që të shkëputeshin nga boshti fashist dhe t’i bashkoheshin Aleancës antifashiste të popujve, se vetëm kështu lindte e drejta për vetëvendosje pas luftës

3-Të godisnim forcat e grup-armatës ERE që po tërhiqej nga Greqia e Maqedonia, për të shkuar në Frontin e Perëndimor kundër Aleatëve.

4- Të këshillonim kosovarët të merrnin pjesë masivisht në ngritjen e pushtetit popullor, si shumicë e popullsisë që ishte. Në plotësimin e këtyre detyrave, për fat të keq u përballëm jo vetëm me forcat gjermane, por edhe ato mercenarëve që ishin vënë në shërbim të nazistëve, Divizioni SS Skënderbej, Regjimenti Kosova dhe Xhandarmëria, si formacione që siguronin rrugët nga Greqia dhe Maqedonia për tërheqjen e forcave naziste në Kaçanik, Prizren, Kukëz, Gjakovë, Pejë e Rugovë.

-Sa ndikoi Brigada e 3 dhe 5 në kthimin e formacioneve kosovare, pra aleancës?

Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, dua të sqaroj se kosovarët pushtimin fashist e cilësuan çlirim, çlirim nga shtypja serbe. Pushtuesit fashistë e bashkuan Kosovën me Shqipërinë, hapi shkolla shqipe, u dha pushtetin, u krijuan prefekturat shqiptare, u larguan shumë familje serbe që ishin vendosur në Kosovë në tokat e tyre.

Dhe kjo në fakt ishte çlirim, krahasuar me shtypjen serbe. Kur erdhën gjermanët, pas kapitullimit të Italisë fashiste, ata shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe thanë se jemi kalimtarë. Kosovës iu bashkuan dhe Prefektura e Mitrovicës me krahinat e Vuçiternës e Podujevës, të cilat gjatë pushtimit, gjermanët i kishin mbajtur të varura nga Beogradi, për minierat e Trepçës.

Kështu që kosovarët e kishin të pamundur të bashkoheshin me serbët për të luftuar fashizmin. Fashizmi gjeti mbështetje dhe organizoi formacione luftarake me kosovarë. Kur shkuan brigadat tona në Kosovë, atje vepronin Divizioni SS Skanderbej, një divizion shqiptar, i cili ishte rreshtuar në krah të gjermanëve dhe Hitleri u kishte dhënë gradën SS, të gardës, pra u kishte dhënë pushtet.

Kishte krijuar Regjimentin Kosova që bëri krime edhe në Shqipëri më 4 shkurt në Tiranë dhe krime në Shkodër, kishte krijuar xhandarmërinë, pra një forcë ushtarake solide për të mos lejuar serbët që ta rimerrnin përsëri. Kjo ishte në shërbim të gjermanëve. Më 18 tetor, mora urdhër të shkoj në ndihmë të Brigadës së Pestë që luftonte për çlirimin e Gjakovës. Me mua në brigadën e tretë ishte dhe Manush Myftiu, i deleguari i Korparmatës për brigadën e 3 dhe të 5.

Kaluam në Kosovë, ndërkohë që Brigada e 5 ishte tërhequr nga luftimet e Gjakovës, sepse ishte sulmuar nga Prizreni dhe Peja, e kishte rrezik të rrethohej. Qëndruam në periferi të Gjakovës dhe morëm kontakt me Brigadën e Parë të Kosovës. Manushi kishte detyrë të takonte Gani Kryeziun, i cili me çetën e tij ishte në Devë të Gjakovës. Shkuam e takuam Ganiun të nesërmes e hyrjes në Kosovë. Manushi i kërkoi Ganiut në emër të Shtabit të Përgjithshëm që të dorëzonte forcat e tij te divizioni ynë. Telegrami i Enverit ishte që të vepronim me Gani Kryeziun si me Muharrem Bajraktarin.

Ishte Fadil Hoxha që u fut në mes të forcave tona dhe Gani Kryeziut, se përndryshe do të kishim një vëllavrasje. Ne arritëm që t’i përfshinim kosovarët në luftë kundër pushtuesit. Duke marrë pjesë masivisht në luftë, Titoja nuk mund t’i përzinte kosovarët, sepse ata ishin bërë pjesë e armatave jugosllave dhe kjo e shkëputi Kosovën nga lidhjet me Boshtin dhe e bëri pjesë të aleancës antifashiste.

Por luftimet në Kosovë kanë qenë të ashpra për çlirimin e rrafshit të Dukagjinit, Prizrenit, Gjakovës e Pejës. Në veçanti ato në Junik, Deçan e Pejë, gjatë të cilave vetëm nga Brigada 3 pati 42 të vrarë dhe 64 të plagosur, në mes tyre isha dhe unë. Me gjithë këto humbje, partizanët u sollën në mënyrë vëllazërore me popullin. Në Junik, na u vranë 32 partizanë nga mercenarët dhe ne zumë 27 prej tyre robër, por nuk i pushkatuam. Prandaj me krijimin e Divizionit të Pestë mbi 1600 kosovarë iu bashkuan vullnetarisht dhe ne i trajtuam si partizanët e vjetër.

-Cili ka qenë roli i Fadil Hoxhës në këtë luftë?

Për mua, Fadil Hoxha është më i madhi i të gjithë shqiptarëve, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë. Më i madhi duhet të ishte Enveri, po të mos kishte pushkatuar të vetët si Pol Poti. Fadil Hoxha ka meritën se e krijoi atë Ushtri, e udhëhoqi, e la Kosovën të banuar nga njerëzit. Nuk fitoi atë që kishte vendosur Konferenca e Bujanit, e vetmja konferencë kombëtare që i jep të drejtën Kosovës për vetëvendosje dhe atë e realizoi UÇK-ja. Turqit nuk vendosën kufij etnikë, sepse nuk e njihnin Shqipërinë, kur erdhën fashistët nuk vendosën kufij se Mitrovica ishte pjesë e Serbisë.

Kufijtë etnikë i ka caktuar Kushtetuta e 1973 e Jugosllavisë, e cila i caktoi kufij Krahinës Autonome. Fadil Hoxha nuk e la Mitrovicën me Beogradin, siç e kishin lënë pushtuesit, por vendosi dhe dy komuna serbe nga sipër që Trepça të ishte e Kosovës dhe jo e Serbisë.

Këtë mund ta bënte vetëm Fadil Hoxha dhe ekipi i tij udhëheqës me ndikimin që kishte tek Titua. Titoja nuk e bënte për Fadilin këtë, ai e bëri për vete. Sepse ishte kundër shovinizmit serb. Pasi rrëzoi Rankoviçin, kroatët ishin kundër serbëve, boshnjakët ishin kundër serbëve, atëherë dhe shqiptarët bëheshin kundër serbëve e në këtë mënyrë bënte balancimin e forcave kundër serbëve.

U ul fuqia e serbëve dhe kështu Titoja krijoi barazinë e kombeve të Jugosllavisë. Titoja nuk e quajti Republika e Kosovës, sepse as Enveri nuk e donte, se kishte frikën se Republika e Kosovës do të zbriste edhe më në jug, tërhiqte dhe Shqipërinë. Titoja e la krahinë Autonome, e cila kishte qeverinë e vet, Policinë e vet, Ushtrinë e vet, gjykatat e veta. Po të studiosh Kushtetutën e Jugosllavisë, shihej qartë se Kushtetuta e Kosovës nuk mund të zhbëhet pa vendimin e Kuvendit të Kosovës. Veç kësaj, Kushtetuta e federatës së Jugosllavisë, nuk mund të ndryshohej pa vendimin e kuvendit të Kosovës.

6 republika dhe 2 krahina autonome ishin të barabarta për federatën jugosllave. Gjatë udhëheqjes së Fadil Hoxhës dhe ekipit të tij, u hapën Universiteti i Kosovës, Biblioteka kombëtare, Instituti i albanologjisë etj. Merita e Fadil Hoxhës është se nuk lejoi shpërbërjen e Kosovës, ruajti gjuhën, kulturën, vendosi kufijtë e Kosovës, kufij të cilët nëse prishen, prishet i gjithë Ballkani. Ky është Fadil Hoxha. Le të thonë ç’të duan për të. Erdhi Fadil Hoxha në Tiranë më 1947, u takua me Enver Hoxhën për të marrë libra për shkollat. E pyet Enveri, si është gjendja në Kosovë? ‘Serbët, po sillen më keq se Karagjeorgjeviçi’, tha Fadili. Kjo deklaratë e Fadilit shkoi në Kosovë te serbët para se të shkonte Fadili atje. Sepse kur shkoi në Kosovë, e thirrën në Komitetin e Partisë dhe i kërkuan llogari pse ishte shprehur ashtu. U akuzua Koçi Xoxe, por Enveri ishte më i lidhur me jugosllavët, sepse Fadili kishte takuar vetëm Enverin. Këta që akuzojnë Fadilin e shitën Kosovën. Sa herë shkoi Enveri në Jugosllavi, shkoi dhe në Vojvodinë, por asnjëherë në Kosovë. Sepse nuk kishte çfarë përgjigje t’u jepte kosovarëve. Kur mora urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm që të emërohesha komandant i Divizionit të 5, më 22 nëntor 1944, urdhërohesha që në përbërje të kisha brigadën e 3, 5 dhe të 25 të Malësisë së Gjakovës, të përqendroja forcat në rajonin e Mitrovicës, Vuçiternit dhe Skënderajt. Urdhrin e parë si Komandant Divizioni e kam bërë kur marshonim diku afër Istogut, njoftoja Shtabin e Përgjithshëm se si po lëviznin brigadat e divizionit tim dhe kisha marrë urdhër që të takohesha me komandantin e divizionit 22 jugosllav. Shkova në Mitrovicë, shtabi ishte vendosur në zyrat e Prefekturës së Mitrovicës. Aty gjeta një gjeneral rus, dy kolonelë të gjithë me grada ushtarake, unë isha i veshur keq e më keq, me opinga. Takova komandantin dhe i thashë që të bashkëpunonim për të bashkërenduar forcat dhe veprimet. Të tjerët mbetën indiferentë nga vajtja ime. Në dhomë vjen Miladin Popoviçi, më takoi me përzemërsi. Nga ai moment aty situata ndryshoi krejtësisht, patëm më shumë vlerësim. Këtu u njoha më shumë me Miladinin. Ai u interesua se çfarë po ndodh në Shqipëri, unë i thashë se nuk kam informacion, por jemi çliruar/Panorama.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme