Kulturë

"Manchester by the Sea’’ dhe perspektiva e humbjes

Heroi i filmit “Manchester by the Sea” është Lee Chandler (Cassey Affleck), një burrë rreth të 40-ave, i cili punon si hidraulik. Shikuesit i duhen vetëm pak minuta për ta kuptuar se ai është një njeri i vetmuar dhe totalisht i shkatërruar.

Lee, vite më parë aksidentalisht ka vrarë tre fëmijët e tij. Kjo situatë, afërmendsh, ka lënë pasoja të pariparueshme në jetën e tij. Shtëpia dhe familja i janë zhdukur brenda natës, përderisa njeriu më i dashur, gruaja e tij, e ka braktisur. Pas tragjedisë, Lee ka dështuar të kthehet në botën sociale dhe kësisoj ai ngjan me një të vdekur që ecën mes të gjallëve.

Ditët e tij janë monotone dhe pa ndodhi. Ai është seksualisht pasiv edhe pse gratë i tërheq fiziku i tij. Komunikimi me të tjerët është i shkurtër, i rrallë dhe i vështirë. I trajton myshterinjtë me shpërfillje dhe për më tepër, nuk është i interesuar të ndërtojë as edhe një raport të vetëm me qenie njerëzore. Ta zëmë, në një skenë, Lee gjendet në bar, duke pirë një birrë të ftohtë dhe një vajzë tenton të fillojë bisedën me të, duke ia derdhur birrën në këmishë, qëllimisht. Sidoqoftë, Lee nuk gjen asgjë tërheqëse në këtë mundësi dhe disa minuta më pas fillon një zënkë me grushte me dy tipa, për arsye se ata nuk ia hiqnin shikimin.

Një ditë prej ditësh Lee merr një telefonatë, ku mëson se vëllai i tij ka vdekur. Duke ditur se Lee nuk do të pranonte të merrte përkujdesjen për Patrick (Lucas Hedges), djalin e tij 15-16 vjeç, vëllai ka përgatitur gjithçka para vdekjes me avokatin, duke e lënë Lee para aktit të kryer. Kësodore, si pasojë e vdekjes së një personi të tretë, Lee dhe Patrick detyrohen të fillojnë jetën së bashku nën të njëjtën çati.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.