Kulturë

Kompania nga Serbia me ekskavator rrezikon Kalanë e Novobërdës

Një ekskavator që ka rrënuar fasadën e gurtë në pjesën e jashtme në strukturat e Kalasë së Novobërdës ka alarmuar edhe një herë për problemet në restaurimin e këtij monumenti. Institucionet e trashëgimisë kulturore kanë vepruar që në fillimjavë e publiku është njoftuar të enjten, kur është publikuar videoja ku kompania serbe me ekskavator shihet duke gërryer muret e Kalasë. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte marrë vendim për anulimin e punimeve të martën, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Kulturës këtë çështje e ka ngritur deri te Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Deri në këtë nivel gjendja kishte ardhur pasi zyrtarët e IKMM-së e kishin parë ekskavatorin duke gërryer muret. Kompania “Koto”, me seli në Beograd, i ishte rikthyer Kalasë për të sanuar shembjen e fasadës së gurtë që kishte nisur qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, dy vjet pasi aty kishte implementuar projektin 1.1 milionë eurosh financuar prej Komisioni Evropian.

Ka qenë UNESCO-ja që e ka përzgjedhur kompaninë e që po ashtu edhe kishte pasur përfaqësues si mbikëqyrës. Shiritat që ndalojnë hyrjen në hapësirën afër Kalasë tash janë vendosur gjithandej. Të tillë kishte pasur edhe kur kishte nisur shembja e fasadës. Për çështje sigurie, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dalë në terren të enjten. Inspektori Pajtim Zogaj ka vënë një shirit edhe afër Kalasë.

Mbikëqyrësit të punimeve në kuadër të kompanisë serbe “Koto” ia ka tërhequr vërejtjen se nëse vazhdojnë me punime do të bëjnë vepër penale. Sërgjan Gjorgjeviq nga kompania “Koto”, që është një lloj mbikëqyrësi i punonjësve, të enjten nuk ka pranuar të flasë për media. Ka refuzuar të flasë edhe me Inspektoratin. “Nuk jam në vend të punës e nuk jam duke punuar”, ka qenë arsyetimi i tij. Policia e Kosovës i ka dalë në ndihmë Inspektoratit për të mbledhur disa të dhëna elementare sa i përket problemit që ka dalë në pah. Gjorgjeviq ka thënë se ka marrë direktiva që të punohet me ekskavator. Ai nuk ka pranuar të nënshkruajë asgjë për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Pos policisë, ekipi i gazetës ka marrë vesh se në vendngjarje ka pasur edhe zyrtarë të Inteligjencës së shtetit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)