Veseli e Gashi nuk kanë të drejtë ta shkarkojnë drejtorin e Muzeut

Veseli e Gashi nuk kanë të drejtë ta shkarkojnë drejtorin e Muzeut

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 26 August 2019 10:02

Prishtinë, 26 gusht – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, në kuadër të trumbetimit se do t’i luftojnë korrupsionin e nepotizmin, i kanë dhënë vetes të drejta që nuk i gëzojnë ligjërisht.

Veseli e Gashi janë shndërruar në vlerësues të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil të Kosovës. Pa kurrfarë kompetence ligjore, kanë thënë se kanë anuluar procedurën nëpërmjet së cilës javën e kaluar Ajet Leci është zgjedhur drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas deklarimit të tyre për këtë çështje, Ministria e Kulturës nëpërmjet një vendimi ka anuluar konkursin, nëpërmjet të cilit Leci është zgjedhur drejtor.

“Unë e kam pranuar një raport nga anëtarët që e kanë monitoruar këtë proces dhe pas konsultimeve dhe në koordinim me kryetarin Kadri Veseli për drejtorin e Muzeut kemi vendosur që të gjitha procedurat të kthehen në pikën zero. Këshilli që ka proceduar me këtë mënyrë të përzgjedhjes së drejtorit do të shkarkohet”, ka thënë ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, të premten.

Ajet Leci është zgjedhur me një procedurë të bazuar në Ligjin për shërbimin civil, Ligjin për institucionet e Kulturës, statutin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Rregulloren për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil. Në asnjë prej këtyre akteve ligjore e nënligjore nuk përcaktohet se një ministër, kryetar partie a kryetar Kuvendi mund të vlerësojë procedurat e zgjedhjes së drejtorëve.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme