Kulturë

Përurohet shtatorja e Dedë Gjon Lulit në Muzeun e rinovuar në Bardhaj të Malësisë së Madhe

Përurohet shtatorja e Dedë Gjon Lulit në Muzeun e rinovuar  në Bardhaj të Malësisë së Madhe

Tuz, 26 gusht - Në Bardhaj të Malësisë së Madhe në Mal të Zi, të dielën është bërë përurimi i shtatores së Dedë Gjon Lulit, në shtëpinë-muze të heroit kombëtar. Shtëpia e tij disa herë ishte djegur dhe nga gërmadhat e saj ishte krijuar ajo që mund të shihet sot, e që brenda shpalos historinë e familjes së Dedë Gjon Lulit.

Veprimtari Gjokë Gojçaj ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të kompletohej një objekt i tillë, në pajtim me kërkesat muzeologjike, për faktin se shtëpia origjinale kishte qenë e përmbysur dhe shkatërruar sa e sa herë nga armiqtë e shumtë, dhe nuk kishte mbetur asgjë prej saj, përveç një rrënoje totale, e mbuluar me ferra e shkurre. Ai së bashku me shumë mërgimtarë të tjerë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar që të kompletohet shtëpia-muze, por edhe që të ndërtohet shtatorja.