Gushgulçuesit në universitet, dëmet në shoqëri

Gushgulçuesit në universitet, dëmet në shoqëri

Arsim Canolli Arsim Canolli 24 August 2019 23:08

Universiteti është një prej institucioneve kryesore të ushtrimit të fjalës së lirë, mendimit të lirë, mendimit kritik e ballafaqimit të argumenteve. Universiteti është log i diskutimit të ideve. Kjo është vetia kryesore e universitetit. Por, së fundi, universiteti është marrë peng nga e majta radikale. Çfarë e shquan këtë të majtë radikale në universitetin e sotëm?

Falangat e trajnuara nga profesorët e së majtës radikale dëshirojnë ta pastrojnë universitetin nga “tradita prapanike” dhe ta krijojnë një “universitet të ri”, i cili shërben për afirmimin e ideologjisë së transformimit rrënjësor të shoqërisë. Sipas tyre, ky transformim duhet të bëhet kundër traditës akademike, në të cilën “kanë zënë vend fashizmi, patriarkalizmi, seksizmi, racizmi ” e me radhë. Kjo traditë duhet të “korrigjohet” dhe amëz e shabllonit korrigjues duhet të jetë “relativizmi moral, teorik e politik”, ku rrafshohet gjithë skena dhe askush nuk “dominon”. Studentët duhet të mësojnë vetëm “si të kritikojnë, si të reagojnë, si të korrigjojnë” çdo mbetje prapanike. Vetë studentët duhet të trajnohen të bëhen vetë “kirurgë të shërimit të universitetit”, duke kritikuar, duke denoncuar shkeljet e “korrektësisë politike” të instaluar në universitet, duke krijuar rregullore për çdo gjë që potencialisht mund të ndodh në sjelljen e përditshme në universitet.

Kjo dukuri ka nisur në universitetet amerikane, kryesisht për arsye të marrëdhënieve shoqërore në kontekst të racës, gjinisë e klasës në SHBA e disa vende tjera perëndimore. Fillimisht ka nisur si synim liberal për barazi të mundësive dhe betejë kundër racizmit, seksizmit e diskriminimit klasor. Kjo është për t’u çmuar si ide e veprim, sepse këto gjëra kanë ekzistuar dhe ekzistojnë sot e kësaj dite. Por, kjo betejë nuk duket të jetë e njëjta më, sepse gjërat kanë dalë nga binarët normalë dhe kanë eskaluar në ekstrem. Tani synimi nuk është të reagohet kundër racizmit, seksizmit e diskriminimeve mbi baza tjera, por kontrollimi i gjuhës dhe mendjes. Për shembull, ka pasur raste kur në universitete amerikane ka pasur tentime të vendoset me rregullore për “mikroagresionet” që mund t’i ndjejnë studentët. Kjo përkthehet në penalizim potencial për çdo fjalë që mund ta nxjerrësh nga goja, përfshirë fjalët “i shkurtër”, për dikë që është i shkurtër, “i nxehtë” për diçka të nxehtë, por që dikush, sipas qejfit të tij mund ta kuptojë si “atraktiv” apo “atraktive”, apo edhe fjalën “i mirë”, sepse mund të diferencojë dikë nga tjetri dhe t’ia lëndojë ndjenjat tjetrit. Në disa universitete mbahen kurse kundër mikroagresioneve, duke ua shpjeguar studentëve që vijnë në universitet se cilat fjalë nuk duhet thënë kurrë, duke ju dhënë fjalorthe të fjalëve që nuk thuhen sepse përbëkan mikroagresion ndaj dikujt. Një trajnim i studentëve për t’u mos ofenduar dhe për të mos ofenduar. Kjo kalon çdo përmasë sepse në këto lista ofendim konsiderohet edhe fjalia “Amerika është vend i mundësive”. Pse? Sepse Amerika paska qenë dhe qenka vend i shtypjes së zezakëve, grave dhe të varfërve, se qenka një vend kapitalist e kapitalizmi është i keq, se qenka vend i të bardhëve sundues dhe ata kanë qenë dhe janë të këqij, se është vend i patriarkalitetit dhe çdo burrë është agresor dhe i keq, një dhunues potencial. Andaj, duhet bërë rregullore, trajnime e lista të tilla, për të parandaluar të gjitha agresionet dhe mikroagresionet.

Kjo gjendje e instaluar nga radikalët e majtë që vijnë nga profesorati, shoqëria civile dhe politikanët, ka shkaktuar një paralizë mendore në shoqërinë akademike amerikane. Si e tillë, ka dhënë model edhe në shoqëritë tjera joamerikane. Madje edhe në Kosovë. Fatkeqësisht, profesorë e eksponentë të shoqërisë civile, të cilët përkrahen nga politikanë servilë e të paintegritet moral, po marrin për model të majtën radikale për të “transformuar” universitetin te ne. Së fundi, madje ka pasur raste kur eksponentë të tillë syçakërdisur e gushgulçues kanë përpiluar rregullore të reja në Universitetin e Prishtinës, kinse kundër ngacmimit seksual, por në esencë ato kanë qenë rregullore kundër fjalës së lirë e lirisë akademike. E njëjta ka ndodhur edhe me rregulloren për avancime akademike, ku është zbatuar një diktat akademik: profesori duhet të botojë aty ku i përcaktohet nga institucioni punëdhënës dhe nga politikani mbikëqyrës i saj se ku duhet të botojë. Kjo është një shkelje flagrante e lirisë akademike. Pra, këto ide e modele të një krahu radikal në Amerikë e Evropë, po merren si baza të transformimit të institucionit universitar. Në vendet perëndimore ka universitete të shkëlqyeshme që nuk pranojnë të bien pre e ideologjive radikale. Por, nuk merren modelet e universitetit ku ka kritikë të mirëfilltë përmirësuese, liri akademike, menaxhim të mirë, etj. Pse? Sepse shumica e atyre që sjellin modelet radikale janë vetë radikalë dhe mundohen të fitojnë vetëm me utopi të pasprovuar sepse me punë të provuar përmirësuese nuk ia dalin. Nuk janë punëtorë as të zotë as nuk kanë staminë akademike.
Për të parë se çfarë po ndodh në SHBA, duhet lexuar një studim të thukët të dy profesorëve amerikanë, Jonathan Haidt dhe Greg Lukianoff, të botuar si libër me titullin “Llastimi i mendjes amerikane: si synimet e mira dhe idetë e këqija po e përgatisin një gjeneratë dështuese” (The Coddling of American Mind: How Good Intentions and Bad Ideas Are Setting Up a Generation for Failure, 2018). Libri rrok këtë temë specifike, por ndërlidhet me jetën kulturore, politike e ekonomike amerikane në kande të gjera, për ta shqyrtuar shkakun e mundshëm të llastimit të mendjes amerikane, siç e quajnë ata. Jonathan Haidt njihet si një ndër psikologët më produktivë në vitet e fundit, i cili ka shkruar për tema të ndryshme, përfshirë moralin, emocionet, etikën e tema të ndryshme. Ai po ashtu njihet si themelues i akademisë heterodokese, një platformë digjitale e komunikimit ku synohet të promovohet diversiteti akademik, si kundërpeshë e uniformitetit ideologjik brenda akademisë. Greg Lukianoff është avokat dhe drejtor i “Fondacionit për të Drejtat Individuale në Arsim”, organizatë joqeveritare që synon mbrojtjen e lirisë së shprehjes në universitetin amerikan, dhe publicist në revistën “The Huffington Post”. Eseja “Llastimi i mendjes amerikane”, që pati shkruar me Haidt-in, pati nisur një konverzacion të gjerë në SHBA dhe, si thotë ai vetë, ka qenë baza dhe inspirimi për të hulumtuar më tutje dhe për të shkruar këtë libër të bazuar në studim më të gjerë së bashku.

Sipas tyre, e majta radikale është shndërruar në një vetëdije krejtësisht trushpëlarëse, efekti i së cilës shihet në universitetin amerikan. Ata kanë bërë një hulumtim empirik mbi gjendjen në universitetet amerikane dhe rrezikun që iu kanoset atyre. Pse u dashka që studentët të rregullojnë gjithë marrëdhëniet universitare? Kush i shtyn këto ide dhe pse? Kujt i ndihmojnë ato? Në libër tregohet për tri të pavërteta të mëdha: e pavërteta mbi fragjilitetin (çka nuk të mbyt të bën më të dobët), e pavërteta mbi arsyetimin emocional (gjithmonë beso në ndjenjat tua) dhe e pavërteta që na ndan në “ne” kundrejt “ata” (jeta është betejë mes njerëzve të mirë dhe të këqij). Obsesioni për të garantuar siguri për studentët se nuk preken nga dhuna që mund të shkaktohet nga gjuha, është simptom i traumës e jo kurë për të. Ata tregojnë se si në kolegje të caktuara amerikane ekzistojnë udhëzime e rregullore që diktojnë profesorët që të mos përdorin fjalë të caktuara që mund të jenë ofenduese për studentët. Për shembull, tregojnë se si në kolegjin Oberlin ka pasur udhëzime që u thonë profesorëve se duhet përdorur përemri “they” (ata) ose “zhe” (shpikje për gjini asnjanëse) e jo përemri “he” (ai) ose “she” (ajo), sepse studentët kanë ndjenja të përziera dhe mund të ofendohen nga përemri që konoton një gjini. (Na kujtohet rasti që bëri bujë në botë me refuzimin e profesorit kanadez të psikologjisë Jordan Peterson). Pra diktohet gjuha nga fakti se dikush ka ndjenja për diçka. Por, edhe nëse profesori nuk e përfill këtë udhëzim, kjo nuk do të thotë se studenti është në rrezik. Në anën tjetër, autorët tregojnë se si studentët janë mësuar të ofendohen (mësim ky i dhënë nga profesorët radikalë, por edhe fryma e krijuar në kulturën amerikane në dekadën e fundit) nga fjalët që konotojnë me diskursin racist, patriarkal e klasor. Ata tregojnë rastin e profesorit Derlad Wing Sue nga University i Kolumbias që definoi mikroagresionin që, thënë shkurt, e përfshin edhe gjuhën dhe veprimin joqëllimor apo aksidental. Por, agresioni nuk është joqëllimor. S’ka logjikë. Nëse padashje përplasesh me dikë në korridor, nuk është akt agresiv, ndonëse personi me të cilin je përplasur mund ta marrë si akt agresioni. Agresioni gjithmonë ka qëllim. Këtë e sqarojnë shumë mirë autorët. Pastaj vazhdojnë të flasin për polarizimin e mendimit politik e kulturor në SHBA, që nga vitet e ‘80, për faktin se prindërit amerikanë po bëjnë një lloj prindërimi të tipit të “bulldozerit” e “helikopterit”, duke tentuar ta lehtësojnë, kontrollojnë e vëzhgojnë çdo lëvizje të fëmijës, jo vetëm nga ndonjë grip i vogël, por edhe nga mizat e therrat e zakonshme që dalin përpara. Këtë e quajnë edhe prindërim paranoik. Ata këtë e shohim si problem të madh. “Nëse i mbrojmë tepër fëmijët tanë, ne i fusin ata në rrezik. Nga natyra, fëmijët janë antifragjilë, kështu që mbrojtja e tepruar apo llastimi i bën ata më të dobët dhe më pak të qëndrueshëm”, thonë autorët. Andaj, ndonëse synimet janë normale, idetë prindëruese janë të këqija.

Të gjithëve na kujtohet libri klasik i Johan Huizinga-s “Homo ludens”(Njeriu që luan), në të cilin argumenton se loja është elementi fundamental i kulturës njerëzore. Haidt e Lukianoff theksojnë se në SHBA-të e sotme loja është duke rënë si aktivitet i lirë, si në sport ashtu edhe në art e aspekte tjera të kulturës e jetës amerikane. Loja jashtë shtëpisë është aktivitet në rënie kudo. Lojërat virtuale e interneti ka kapluar këtë element fundamental të kulturës njerëzore dhe i ka dhënë formë tjetër, ballafaquese jo me natyrën e tjetrin real, por skenografinë dhe tjetrin virtual dhe kolltukun. Ky zëvendësim nuk është i qëndrueshëm dhe shkakton efekte anësore, një ndër të cilat është edhe ajo kur fëmijëve të rritur të sotshëm (gjeneratave mileniale) “u del gjak për një fjalë”. Pastaj, institucionet universitare kanë hyrë në “burokracinë e sejfetizmit” apo “burokracinë e rojës”, si masë preventive dhe po shkaktojnë dëme edhe më të mëdha, sidomos kur kolegjet amerikane janë të lidhura me idenë e korporatës, ku klienti (në të rast studenti) gjithmonë ka të drejtë. Në fakt, Eric Adler, profesor i studimeve klasike në Universitetin e Marilendit, thekson se “shkaku fundamental i mosdurimit dhe jotolerancës në universitet, nuk është majtizmi ekstrem i studentëve apo ndonjë ideologji tjetër politike, por vendimi i universiteteve për t’i trajtuar studentët si klientë, të cilët paguajnë deri në 60 mijë dollarë në vit”. Madje, autorët theksojnë se ideja e konsumerizmit shkon edhe më larg, duke dashur që t’i mbajnë studentët gjithmonë në edukim, sikurse kishte deklaruar presidenti i Universitetit të Luizianës: “Nuk dua ta lëni kurrë universitetin, do të bëjmë çmos t’ju mbajnë këtu dhe t’ju mbajmë të sigurt. Do t’ju japin çfarë të doni”. Këso fjalësh autorësh evidentojnë në shumë universitete dhe theksojnë se janë në përhapje graduale. Paramendojeni t’iu thuhet studentëve: “Rrini në universitet, bëni BA, MA dhe PHD, sepse shteti është i poshtër, shoqëria është e dobët, kapitalistët ta marrin shpirtin, baballarët dhe vëllezërit tuaj janë patriarkalë dhe agresorë, familja jote është shtypëse”. Mos paramendoni. Kështu ju thuhet në shumë klasë ku ligjërojnë profesorët e së majtës radikale. Edhe në Kosovë dëgjohen këso ligjërimesh pikërisht nga ata që janë trushpërlarë nga postmodernizmi e feminizmi e filozofia e mohit e këtyre falangave të mbarësuara nga e majta radikale neomarksiste. Nuk orientojnë studentët të kritikojnë duke u bazuar mbi kritikë konstruktive përmirësuese, por të kritikojnë duke u bazuar mbi kritikë destruktive dhe “përmirësuese sipas utopisë së majtë”. Si? Ta shndërrojnë universitetin në kamp trajnimi për të luftuar “kundër” çdo gjëje që është ndërtuar me sistem, traditë, kulturë etj. Pse? Sepse tradita e kultura e historia na ka penguar, e nëse e shkatërrojmë, mund të përparojmë. Nuk kërkohet përmirësimi e meremetimi i ngadaltë, që është i nevojshëm, por shkatërrimi i së vjetrës dhe ndërtimi i mendësisë së re shoqërore, që sillet sipas ideologjisë utopike të barazisë e moskompentencës.

Nëse syçakërdisurit e gushgulçuesit mendojnë se efekti Trump vërehet edhe në Kosovë, pse nuk u vërejtka edhe efekti i ideologjisë mohuese të së majtës radikale amerikane në universitetin? Por, fatkeqësisht ideologjia e së majtës ekstreme që operon në sferat publike të Kosovës vërehet, njihet, refuzohet dhe nuk ka arritur të fitojë betejën deri më tani. Kjo për faktin se ka plot të majtë paradoksalë: kanë ide kozmopolitane, por luajnë me retorikë nacionaliste. Grupi tjetër është vetëm gushgulçues dhe nuk ka potencë të madhe, ndonëse është grup dinak dhe synon të operojë nënmëngshëm.

Jonathan Haidt dhe Greg Lukianoff na kanë dhënë një monografi mjaft të thukët për atë se çfarë është duke ndodhur në SHBA. Ata marrin guximin që të rekomandojnë se çfarë duhet të bëjnë prindërit për ta parandaluar llastimin e mendjes amerikane, gjë që është jo aq e lakmueshme në tagrin e akademikut distancues. Megjithatë, po lëmë rekomandimet e tyre (në tabelën më poshtë) për t’i diskutuar në konverzacionin tuaj të lirë.

Image

Qëndrimet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e redaksisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme