Kulturë

Në 105 vjetorin e lindjes, kompletohet vepra e Sterjo Spasses

“Më në fund e mbarova bibliografinë e krijimtarisë së babait…”- më tha në korrik, Prof. Dr. Ilindeni, djali i vetëm i Sterjo Spasse, ose “Hija mbi tokë e Sterjos” siç e ka quajtur një matjan i mençur pasi lexoi me ëndje librin tashmë mjaft të njohur në rrethet e lexuesve shqiptarë “Im atë Sterjo”.

Të dy këta libra, monografia dhe bibliografia, plotësojnë njeri-tjetrin, apo mbushin një thes me dije rreth figurës së madhe e vlera shumë të Sterjo Spasses, jo vetëm si shkrimtar. Me hollësi krijimtaria e tij shtrihet në mbi gjashtëdhjetë vjet, nga fundvitet njëzet të shekullit të njëzet deri në fundvitet ’80 (1989) kur u nda nga jeta.

E tani, rastisin disa 30-vjetorë, derisa u arrit t’i mbeten fondit të dijeve e kulturës shqiptare,- e plotë, figura e sidomos krijimtaria e tij: Kështu, në vitet tridhjetë u bë i njohur, i dashur dhe model i ëndërruar i rinisë me romanin social- filozofik “Pse?”; Në 30-vjetorin pasues, autor i dashur i teksteve mësimore dhe romaneve frymëzues për shndërrimet dhe arritjet e jetës kudo, sidomos në fshat; në 30-vjetorin e tretë, iu fut me rrënjë luftës së popullit për liri, dije e kulturë dhe e pasqyroi në disa romane rresht, që edhe e lodhën! Kjo ishte dhe arsyeja kryesore që e mbylli jetën në gjysmën e atij 30-vjetori, kur ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç, 1989.

Tridhjetë vitet pasues u shndërruan nga i biri, “djalë për kokë të djalit!”, siç thotë populli ynë, në vite përpjekjesh sistematike të pandërprera, derisa, sot, gusht 2019, tridhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit e njeriut të madh Sterjo, kemi në dorë edhe bibliografinë e plotë! Kjo bibliografi e ka fillesën në fund vitet 1920 kur shkrimtari ishte nxënës shkolle të mesme dhe sapo kishte filluar të cicërinte si krijues i ri… I takon urim e përgëzim Prof. Dr Ilindenit për veprën aq shumë të vyer në dobi të brezave, të kulturës së mbarë popullit tonë. Por, le te përqendrohemi në dy rrafshe të krijimtarisë së Sterjo Spasses, në atë si shkrimtar dhe sidomos në atë si mësues dhe edukator në kuptimin e gjerë.

Lindi me l4 gusht l9l4 në fshatin Gllomboç të Prespës në rrethin e Korçës. Për arsimimin, me dorën e vet ka shkruar: “Pasi kreva tre klasë fillore shkollë greke në fshatin tonë Gllomboç e ne Nivicë (që sot është nën Greqi ) mbarova shkollën plotore në Korçe l925-27; pastaj kreva shkollën “Normale” të Elbasanit l927-32; pas dy vitesh dhashë provimet dhe mora stazhin, një certifikate pjekurie për mësues,l934. Në vitin l939 bëra kursin e gjuhës italiane ne Universitetin e të huajve ne Peruxhia të Italisë ku mora certifikatën e kursit te dyte “I aftë për të dhënë italishten në shkollat jashtë Italisë”;në l939-43 vazhdova me korrespondencë të jepja provimet në Magjistraturën e Firences d.m.th në Universitetin në degën e Pedagogjisë.

Nga vazhdimi i luftës më mbeten pa dhënë provimet e fundit. Midis viteve l954-57 dhashë provimet gjer në vitin e tretë për letërsi në Universitetin e Tiranës. Në vitet l958-60 kreva kursin e lartë të letërsisë pranë Institutit “Gorki” në Moskë”. Nga shkollimi i tij deri në moshën 45 vjeç kuptojmë veç të tjerash, se ai zotëronte jo më pak se 5-6 gjuhë të huaja; shqip, maqedonisht e bullgarisht, greqisht, italisht, rusisht, frëngjisht. Në punë e sipër i përdori dijet e asimiluara prej tyre për ndriçimin e mendjes se shqiptarëve deri në Diasporë, u bë i njohur në shumë vende me veprat letrare të përkthyera dhe u ngrit lart si figurë e artit-shkrimtar, i kulturës në tërësi dhe jo më pak edhe i pedagogjisë e didaktikës; gjuhët e huaja i dhanë mundësi të sillte të përkthyera në shqip shumë vepra me vlerë nga kultura e historia botërore.

Në vitin l980 u botua në Shqipëri “Vepra letrare” e Sterjo Spasses në 9 vëllime, ku secili vëllim përmbante; I:prozë e shkurtër e para e pasçlirimit deri në vitet ‘7O; II: romanet “Aferdita” dhe “Aferdita përsëri në fshat”; III: romani “Ata nuk ishin vetëm”; IV:Tregime për të rinj e pionierë ( Të fala nga fshati dhe Sokolesha) V: romani “Buze liqenit”; VI: romani “Zjarre”; VII: romani “Zgjimi”; VIII: romani “Pishtarë”’; IX romani “Ja vdekje, ja liri”. Në këtë renditje siç shihet mungon romani i tij i parë e me shumë jehonë edhe ne ditët tona, romani “Pse?” i cili zinte vendin qe i takon në serinë e botuar më parë në Kosovë si dhe dy romanet e botuara më vonë kushtuar ideve të rilindësve, “Kryengritesit”, l983, dhe “O sot o kurrë” l989.

Në tërësi ato kanë dalë nga shpirti i mësuesit edukator, nga thellimi i vazhdueshëm e me përgjegjësi në problematikën e zhvillimeve historike të kohës,nga dëshira për t’ia bërë të njohur artistikisht historinë e viteve vendimtare për fatet e Shqipërisë, brezave që erdhën e do të vijnë.E denjë të thuhet se si askush ky personalitet jetoi e luftoi dhe vdiq me penë në dorë dhe nuk ka se si të mos i përulet kujtimit te tij çdo njeri që i përkushtohet mbarësisë së popullit të vet! Edhe sikur vetëm kaq të kishte shkruar, Sterjo Spassja do të meritonte te nderohej si njeri i madh i kombit tonë. Por kjo përbën afro gjysmën e krijimtarisë. E krahasueshme me të për nga sasia,përbën edhe krijimtaria pedagogjike,didaktike e konkrete praktike për shkollën, në dobi të ngritjes së saj në nivelin e kërkesave të kohës.

Kjo fillon që në bankat e shkollës “Normale” ku ishte njëri nga redaktorët e parë të revistës “Normalisti”.Akoma nxënës, ishte nismetar i shëtitjes nëpër Shqipëri te klasës së tij në vitin 1932 me moton “Që ta duash vendin tënd duhet ta njohësh atë”. Këtë shëtitje e përshkroi dhe e botoi po vetë si libër me titullin “Normalisti shëtitës”.

Kur filloi punën si mësues në Gjirokastër mori nismën dhe mblodhi ndihma nga mësuesit për ndërtimin e varrit të Koto Hoxhit, njërit nga te parët mësues te masakruar të shqipes. Në vitin 1936 filloi punën pranë Inspektoratit të Arsimit ne Korçë, ku mori nismën për krijimin e bibliotekës pedagogjike, e cila më vonë shërbeu si bërthamë e kabineteve pedagogjike.Atë bibliotekë e krijoi, e drejtoi vetë dhe e pasuroi me libra shqip e në gjuhë të huaja. Që këtu lindi iniciativa për konferenca pedagogjike dhe filloi hartimi i ditarëve ne mënyrë sistematike që u quajtën “Fleta e punës e ditës”. Për krijimin e kësaj biblioteke pedagogjike e nismave të tjera këshillohej, merrte rekomandime e literaturë nga profesori i tij i adhuruar me kulturë perëndimore Aleksandër Xhuvani. Në ato vite fillon të botojë mjaft artikuj si shënime kritike e letrare me karakter pedagogjik në revistën “Rilindja” (“Bota e re”) në gazetën e Korçës e “Zëri i Korçës”.

Në vitin 1940 u transferua në Tiranë Drejtor didaktik ne Ministrinë e Arsimit. Nga raportet e tij të asaj kohe si inspektor dalin përpjekjet për mbarëvajtjen e shkollës në Mat e Shëngjergj për shtimin e numrit te shkollave,ngritjen e sa më shumë ndërtesave shkollore dhe lehtësimin e nxënësve të varfër me mjete mësimore e ushqim. Në këto vite organizoi,shkroi e drejtoi udhëzuesin “Puna në shkolle”,vëllim prej 1016 faqe lënde praktike për mësuesit. Vetë ai hartoi udhëzuesin metodik për klasën IV e V dhe redaktoi materialet e përgatitura nga mësuesit e tjerë.

Mori pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin I të arsimtarëve antifashiste (Korçë 25-27 nëntor 1944) ku foli për metodën e punës se mësuesve partizanë dhe ngriti mjaft probleme per organizimin e shtypit e krijimin e letërsisë pedagogjike,për detyrat e te drejtat e arsimtareve, njohjen e vendlindjes e forcimin e dashurisë për çdo gjë shqiptare. U zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Arsimtarëve Antifashistë. Këtej e tutje, veprimtaria e tij u inkuadrua në zbatimin e planit perspektiv të zhvillimit të arsimit të ri shqiptar.

Në dhjetor 1945 , ishte një ndër nismëtarët kryesorë për hapjen e revistës së parë pedagogjike pas çlirimit “Shkolla e re” (më vonë “Arsimi popullor”). Në vitin 1946 u emërua anëtar i Këshillit të Arsimit, i krijuar për zbatimin e Reformës Arsimore dhe anëtar i Komisionit Pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit për drejtimin dhe hartimin e programeve e teksteve të shkollave unike dhe të shkollave të mesme të çdo kategorie.

Në këtë komision ku punoi deri në vitin 1954, Sterjo Spasse drejtoi, organizoi dhe hartoi, në bashkëpunim edhe me arsimtaret më të mirë, programet dhe udhëzimet e lëndës Gjuhë e Letërsi për shkollat unike dhe te mesme te çdo kategorie dhe për kurset e arsimtareve me variante te ndryshme qe kërkonte reforma.

Puna e një grupi të vogël arsimtaresh në atë periudhe,barazohet me punën e një institucioni të tërë arsimor të sotëm. Për ta pasur të qartë këtë veprimtari, po citojmë titujt e teksteve dhe vitet e botimit: Antologji për klasën e I të shkollës unike (1946), Antologji për klasën II, III të shkollës unike (l946), Literatura e huaj, për shkollat e mesme (1947), Folklori shqiptar, dispencë për shkollat e mesme (1948), Elementet e parë të teorisë së letërsisë për shkollat e mesme (1951), Letërsia e huaj, vëllimi I me bashkëautor Mahir Domi (1951), Gramatika e Gjuhës shqipe për shkollat 7-vjeçare me bashkëautor L.Dodbiba (1951), Letërsia e huaj, vëllimi II me bashkautor M.Domi (1953), Antologji e Letërsisë Shqipe në frëngjisht dispence, me bashkautor Nonda Bulka (1960). Janë gjithsej 10 tekste, natyrisht të hartuar për herë të parë, sipas programeve të reja të kohës. Të gjitha këto tekste u ribotuan disa herë me përmirësimet e nevojshme. Kurse tekstet “Elementet e para të Teorisë se Letërsisë” dhe “Letërsia e Huaj “ në Kosove u ribotuan disa herë.

Vepra

Kurorë rinije. Biblioteka e të rinjvë Nr. 1. (Peppo & Marko, Korçë 1934, ribotim Prishtinë 1968)

Nga jeta në jetë – PSE?!, (Drita, Korçë 1935, rebotim Prishtinë 1968, 1986, Tiranë 1995)

Afërdita. Roman (Luarasi, Tiranë 1944, rebotim Prishtinë 1956, 1968)

Nusja pa duvak. Novela. (Luarasi, Tiranë s.a. [1944])

Ata nuk ishin vetëm, roman (Naim Frashëri, Tiranë 1952, rebotim Prishtinë 1968)

Afërdita përsëri në fshat. Roman (N.Sh.B., Tiranë 1954, rebotim Prishtinë 1968)

Buzë liqenit, roman 1965

Sokolesha, 1966

Të fala nga fshati, 1968

Roman. (Naim Frashëri, Tiranë 1972)

Ja vdekje, ja liri, roman 1978

Kryengritësit, roman 1983

O sot, o kurrë !, roman 1989

Letra nipit tim Arian në Tiranë nga Maqedonia dhe Kosova,1975

(Naim Frashëri, Tiranë 1974)

Pishtarët, roman

(Shkrim në gazetën "Shekulli" nga Prof. Dr. Hektor Veshi)