Kulturë

Bollywoodi në botën e fanta-shkencës

Në vitin 2014, India dërgoi satelit në Mars dhe u bë shteti i parë që e arriti këtë gjë qysh në përpjekjen e parë – duke e lënë në hije rivalen rajonale, Kinën, si shteti i parë aziatik që do të mbërrinte në Planetin e Kuq.

E veçanta e këtij projekti ishte se ai udhëhiqej prej një ekipi shkencëtaresh, njëjtë si edhe sonda e dytë lunare, “Chandrayaan-2”, që është lansuar muajin e kaluar dhe pritet të mbërrijë në hënë në fillim të shtatorit. Teksa shteti po pozicionohet si fuqi hapësinore, indianëve duket se iu është ngjallur apetiti për filma fantastiko-shkencorë, transmeton Koha Ditore.

Shpërfaqja e patriotizmit që e përcolli misionin për në Mars është temë e filmit më të ri indian: “Mission Mangal”. Është ky një rrëfim fiktiv i misionit “Orbiter” për në Mars. Me Akshay Kumarin, aktorin e Bollywoodit në rolin kryesor, filmi është shfaqur në ekrane më 15 gusht, Ditën e Pavarësisë së Indisë.

“I përcillja lajmet rreth misioneve hapësinore indiane dhe ndjehesha krenar me atë që po arrinim”, thotë Kumar. “Por përmes filmit ‘Mission Manhal’ supozoj se mund të thuhet se kam një perspektivë të brendshme”.

Kumar, njëri prej aktorëve më të paguar të botës, ka bërë të ditur se ka qenë ëndërr e tij e kamotshme të bashkëpunonte me Organizatën indiane të Hulumtimit të Hapësirës (ISRO). Roli në një film të tillë e ka detyruar që të ndjekë kurse në astrofizikë. “Tani kuptoj përpjekjet dhe planifikimet e domosdoshme për ta ndërmarrë me sukses një mision në hapësirë dhe ndiej respekt edhe më të madh për shkencëtarët dhe inxhinierët që punojnë në misionet e tilla”, thotë Kumar.

Fanta-shkenca nuk është zhanër i ri në kinemanë indiane, por filmat e këtij zhanri nuk mund të krahasohen me ata të Perëndimit. Në Indi ky zhanër ka nisur që të shfaqet relativisht vonë, pas liberalizimit të ekonomisë së shtetit, në vitet nëntëdhjetë, kur u përhapen kanalet satelitore dhe filmat e jashtëm, ashtu si edhe studiot filmike si “Disney” dhe “Warner”...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)