Kulturë

Lahaj beson në pafajësinë e Placido Domingos

Pas akuzave për ngacmime seksuale ndaj legjendës së operës Placido Domingo, ka reaguar edhe tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj.

Përmes një postimi në Facebook, Lahaj i ka dalë në mbrojtje Domingos, duke thënë se modeli më i mirë i të gjitha kohëve është Domingo, transmeton Koha.net.

Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale ndaj grave

Tetë këngëtare dhe një valltare pretendojnë se janë ngacmuar seksualisht nga tenori spanjoll, i cili vlerësohet si një nga këngëtarët më të mëdhenj operistikë të të gjitha kohërave, në fund të viteve të ’80-ta, sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku mjafton t’i mbledhësh, 2 apo 3 shoqe e të akuzosh dikë për gjëra të pabazuara, edhe krejt farë lehtë mund të vësh në mëdyshje personalitetin e dikujt. Kjo po ndodh edhe me Maestro Domingon”, ka shkruar Lahaj në një postim në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se, “nuk di nëse ka artist në botën e operës të këtë pas sado pak talent e të mos jetë mbështetur nga Maestro Domingo. Për të gjithë, që kishim fatin ta takojmë e të punojmë me të, e dimë mirë se çfarë personaliteti ka ai dhe kush është ai. Lirisht mund të them për të gjithë ne artistët e rinj, ai është Baba i mirë, që në mënyrë specifike është kujdes për secilin prej nesh”.

Lahaj e quan atë hero, derisa thekson se do ta mbështetë Domingon deri në frymën e fundit.

“Maestro, ti je heroi ynë, ti je shembull dhe po ashtu modeli më i mirë i të gjitha kohërave. Ne të duam dhe e dimë mirë se kush je, do të të mbështesim deri në frymën e fundit”, ka shkruar Lahaj.