Kulturë

Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale ndaj grave

Descriptive Text

Ndaj legjendës së operës Placido Domingo janë ngritur akuza për sjellje të pahijshme seksuale ndaj grave gjatë dekadave. Disa nga akuzueset ankohen se ai i ka ndëshkuar profesionalisht kur ato kanë refuzuar sjelljet e tij.

Tetë këngëtare dhe një valltare pretendojnë se janë ngacmuar seksualisht nga tenori spanjoll, i cili vlerësohet si një nga këngëtarët më të mëdhenj operistikë të të gjitha kohërave, në fund të viteve të ’80-ta, sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

Vetëm njëra nga to, mezo-sopranoja Patricia Wulf, është pajtuar që t’i përmendet emri.

Domingo ka mohuar akuzat, dhe “Los Angeles Opera” – të cilën ai e drejton – është zotuar se do të hetojë këtë rast me ndihmën e “jashtme”.

“Është e dhimbshme të dëgjosh se mund të kem zemëruar dikë apo t’i kem bërë të ndihen të parehatshme pavarësisht se sa kohë më parë ka ndodhur dhe pavarësisht qëllimeve të mia më të mira”, ka thënë Domingo, transmeton Koha.net.

“Njerëzit që më njohin apo kanë punuar me mua e dinë se unë nuk jam tip që i bëj keq, ofendoj apo turpëroj dikë qëllimisht”, ka vazhduar ai.

Sipas AP-së, janë edhe gjashtë femra tjera që po ashtu pretendojnë se tenori i ka bërë të ndihen në siklet duke bërë “uvertura seksuale” ndaj tyre, ka raportuar AP-ja.

Zonja Wulf ka thënë se ai nuk e ka prekur fizikisht por i është afruar sa herë që ajo është larguar nga skena dhe e ka pyetur nëse ajo “duhet të shkojë në shtëpi sonte”.

Një grua tjetër ka thënë se Domingo ia ka futur dorën nën fustan në një rast. Tri të tjera thonë se ai i ka puthur dhunshëm.

Incidentet thuhet të kenë ndodhur në vende të ndryshe, përfshirë një dhomë të zhveshjes, një dhomë hoteli, gjatë një takimi dhe në kompanitë operistike ku Domingoja mbante pozita menaxheriale.

“Një drekë afariste nuk është e çuditshme. Por, nëse dikush tenton të të kap dorën gjatë një dreke afariste apo të vendos dorën në gju, është e çuditshme. Ai, në njëfarë mënyre, gjithmonë të prekte, dhe gjithmonë të puthte”, ka thënë një prej këngëtareve për AP-në.

Domingo është pritur të paraqitet në natën hapëse të koncertit të Orkestrës së Filadelfias më 18 shtator, por organizatorët thanë se, si pasojë e pretendimeve, ftesa ndaj tij është tërhequr.