Kulturë

Dy anët e Prizrenit dhe ardhja e botës në Kosovë përmes filmave

Mëngjesi i së dielës në Prizren pas “DokuFestit” ishte i qetë. Rreth 20 mijë vizitorë sipas organizatorëve e kanë frekuentuar qytetin gjatë edicionit të 18-të të mbajtur nga 2 deri më 10 gusht. Pas ndarjes së çmimeve të shtunën, mysafirët e shumtë të Festivalit janë bërë gati dhe janë larguar në vendet nga kanë ardhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mëngjesi i së dielës ka zënë shumë pak nga këta mysafirë dhe vizitorë të Festivalit në Prizren. Samita Tharoor ka qenë një nga ndjekëset e edicionit të 18-të. Ajo kishte ardhur në Prizren për të parë filma dhe ishte shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe i biri.

Bashkëshorti i Tharoor, regjisori Seamus Murphy, ka shfaqur filmin e tij “A dog called money” në kuadër të “DokuFestit”, ndërsa djali i saj ka shfrytëzuar këto ditë të Festivalit për të shkruar për “DokuDaily”. Ajo është një nga vizitorët që ka përjetuar qytetin dhe qetësinë e tij pas përfundimit të Festivalit. Pamja e qytetit ia ka kujtuar njohjen që ka arritur ky organizim, por i ka ngjallur edhe një ndjenjë të trishtë për qytetin plot jetë e që, sipas saj, nuk është i tillë edhe pas Festivalit.

Të dielën në mëngjes Tharor ka lënë valixhen e saj të recepsioni i hotelit, ku ka qëndruar këto ditë, për të pirë një kafe para se të largohet nga qyteti jugor.

“E kam kuptuar që Prizreni është një qytet tjetër për një javë sa zgjat ‘DokuFesti’. Po ashtu ka ndikuar edhe te njerëzit. Kam parë edhe një kafene me emrin ‘Doku Cafe’. Për shkak të punës që po bën Vetoni, ky vend po bëhet i njohur përmes Festivalit. Sot pamja e qytetit është pak e trishtueshme dhe do të dëshiroja të dija se si ndikon kjo te vendasit këtu”, ka thënë ajo.

Tharoor përmes filmave ka parë histori të ndryshme, filma nga Balochistan, historinë e një algjeriani duke kaluar nëpër kufij. “Ishte sikur bota ka ardhur në Kosovë”, ka thënë ajo.

Dallimin e qytetit e kanë vënë re edhe mysafirët e “DokuFestit”. Të dielën në mëngjes, regjisorja Nora Agapi, fituese e çmimit “Best Ballkan” me filmin “Timebox”, ka treguar se ka dëgjuar nga miqtë për ndryshimin që pëson qyteti. Regjisores nga Rumania qyteti i Prizrenit i ka lënë shumë mbresa dhe ajo nuk ka dashur që ta shohë zbrazët.

Sipas vlerësimit të jurisë, regjisorja Agapi duke kombinuar incizimin e ditëve të sotme me arkivin e gjerë shpalos një portret intim familjar bashkë me një koleksion personal të pamjeve që dokumenton ndryshimin brenda një strukture politike.

Filmi të cilin e ka parë Veselaj të premten kur kishte ardhur, “The Reformist – A Female Imam” i regjisores Marie Skovgaard ka marrë Çmimin e publikut. Skovgaard ka treguar se filmi do të vazhdojë të shfaqet në Kosovë dhe do të përdoret në programe të ndryshme.

Në mesin e vizitorëve të Festivalit ka qenë edhe Audrey Johnson, e cila ka origjinë gjermane. Ajo ka treguar se filmat dokumentarë janë shumë të rëndësishëm, pasi që përmes tyre mund të mësojë për njerëz të tjerë, vende dhe perspektiva të ndryshme.

Gjatë festivalit është shpalosur edhe puna e regjisorëve shqiptarë përkrah atyre të huaj. Çmimi kombëtar i ka shkuar regjisorit nga Kosova Dritëro Mehmetaj për filmin e tij “Zgjedhe një emër”. Sipas jurisë, ky çmim i ka takuar regjisorit Mehmetaj për shkak të rrëfimit të fortë, që adreson çështje moderne të imigrantëve kosovarë jashtë vendit, aktrimit të mirë, dhe skenave që në mënyrë të vetëdijshme përdorin fuqinë e kinematografisë. Filmi përcjell fatin e Norës 20-vjeçare, që largohet nga vendlindja pasi që familja nuk i pranon atë dhe vajzën e saj. Emigron në Çeki. E rrezikuar që të kthehet prej nga ka ardhur, pranon rrugë alternative në këmbim të qëndrimit.

Nga kategoria kombëtare Çmimin e distribuimit nga “Radiator Sales Ip” e ka marrë filmi “Dëshmia” nga Lum Radoniqi. “Le të dalë e vërteta në pah”, ka thënë Radoniqi pas pranimit të këtij çmimi. Në filmin e Radoniqit dy personazhet, Besniku dhe Linda, kalojnë një ditë të lodhshme për të shkuar në Ministri dhe për të dëshmuar që Xheva është gjallë, ndryshe ata do të humbin pensionin e saj. E njëjta ditë përfundon në një situatë mjaft dramatike.

Të gjithë filmat në edicionin e sivjetshëm të “DokuFestit” kanë theksuar temën “E vërteta”, që ka qenë në fokus për këtë vit. Çmimin special në kategorinë “Best Ballkan” e ka marrë regjisori Goran Deviq për filmin e tij “On the Water”. Regjisori përmes lumit dhe njerëzve që kalojnë kohën përgjatë brigjeve të tij shpalos gjithë konfliktet sociale të një shteti në transicion. Çmimi “Best Balkan Newcomer” i ka shkuar filmit “Centar” nga Ivan Markoviq, një dokumentar i cili sipas jurisë paraqet mënyrat sesi njerëzit po vuajnë për të mbrojtur objektet dhe arkitekturën e ndërtuar nga sistemi. Çmimin ndërkombëtar për dokumentar të metrazhit të gjatë e ka marrë filmi “Present. Perfect”. Një film për të cilin juria e festivalit për këtë kategori ka thënë se harrohet vazhdimisht se kush në të vërtetë po filmon dhe se gjithçka shpaloset drejtpërdrejt.

Çmimin ndërkombëtar për dokumentar të metrazhit të shkurtër e ka marrë filmi “Wild Berries”, realizuar nga Hedda Bednarszky dhe Marianna Vas. Çmimi për dokumentarin për të drejta të njeriut u ka takuar filmit “Tiny Souls” dhe regjisores Dina Naser.

Regjisorja Dina Naser, përmes një videomesazhi, në natën e ndarjes së çmimeve, ka thënë se shpreson që historia e filmit të ketë ndryshuar perspektivën e njerëzve që e kanë parë.

Në kategorinë “Green Dox” ka fituar filmi “Earth” i Nikolaus Geyrhalter, një paraqitje e fuqishme filozofike për natyrën njerëzore. Çmimin special në këtë kategori e ka fituar filmi “The hottest August” nga Brett Story dhe “Acid Forest” nga Rugilė Barzdžiukaitė. Në kategorinë e filmave të shkurtër ndërkombëtarë është shpërblyer filmi “Brotherhood” nga Meryam Joobeur.

Në këtë kategori Çmimi special i ka takuar filmit “All Inclusive” nga Teemu Nikki, pasi që është gazmor, shpikës, satirë e mprehtë me një përshkrim të kujdesshëm i asaj çka ndodh kur një burrë e merr pushtetin.

“DokuFest” nga edicioni i 19-të do të jetë festival kualifikues për çmimin BAFTA për filmat e shkurtër.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)