Kulturë

“Sunny Hill Festival” pret 50 mijë vizitorë në tri netët e yjeve

Prishtinë, 1 gusht – Njerëz që nxitojnë, kabllo të shpërndara gjithandej e zinxhirë të mëdhenj që do të ngrenë skenën e madhe. Kështu duken përgatitjet e fundit për të akomoduar rreth pesëdhjetë mijë vizitorë që organizatorët presin të vijnë në Gërmi gjatë tri netëve të “Sunny Hill Festival”, që në edicionin e sivjetmë, të dytin me radhë, ka zgjuar interesim të madh. Me reputacionin se po e vë Kosovën në hartën botërore të ngjarjeve më të rëndësishme kulturore, artistja amerikane Miley Cyrus, DJ skocez Calvin Harris dhe reperi shqiptaro-amerikan Gashi do të jenë yjet që do ta përcjellin “Sunny Hillin”, shkruan sot Koha Ditore.

“Interesimi është i jashtëzakonshëm, ka kërkesa prej të gjitha vendeve të rajonit, madje edhe nga Evropa dhe Amerika”, ka thënë për “Kohën Ditore” Alban Kastrati nga “Republika”, agjencia që e organizon festivalin.

Në faqen zyrtare të "Sunny Hill Festival", shumica e biletave figurojnë të shitura. Kështu ngjan me ato treditore nga 40, 60 dhe 80 euro, njësoj si me ato VIP që kanë kushtuar 200 euro.

“Jemi pothuajse në 10 përqindëshin e fundit të rreth 15 mijë biletave sa kemi pasur në dispozicion”, ka thënë Kastrati.

Qysh në edicionin e parë, “Sunny…” u dëshmua si një alamet festivali. Tash provon 52 milionë rezultate në makinat e kërkimit si Google. Gazeta e revista botërore si “The New York Times”, “The Guardian”, “MTV UK”, “Areavip”, “Rolling Stone”, “Anabel Magazine” dhe “MTV Italia”e kanë përmendur “Sunny Hillin” si ngjarje të rëndësishme, në të cilën defilojnë emra të rëndësishëm të artistëve botërorë.

Në fakt “Sunny…” qysh në zanafillë do të paralajmërohej si i tillë, nga këngëtarja e famshme Dua Lipa që ia dha Kosovës këtë ngjarje. Ajo do të besonte se me “Sunny…” do ta çojë mesazhin se Kosova duhet të njihet më shumë për gjëra të mira dhe të mos mbetet nën hijen e luftës së fundit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)