“Luftë fashistëve!”, thirrja e këngëtares intriguese turke

“Luftë fashistëve!”, thirrja e këngëtares intriguese turke

21 July 2019 21:06

“Kjo është zemra e pop-kulturës në Stamboll”, thotë Gaye Su Akyol. “Këtu jam rritur dhe këtu jetoj. Këtu i kam miqtë dhe kujtimet. Dhe kur politika ua vështirësoi punën muzikantëve, mu këtu ikën ata”.

Kantautorja më intriguese psiko-folk-rock ligjëron historinë e muzikës, teksa ma shëtit lagjen e saj – Kadikoy – një zonë e rrugicave të ngushta, kafeterive dhe lokaleve të natës përgjatë pjesës aziatike të Stambollit, larg atraksioneve kryesore turistike matanë Bosforit, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Shpjegon se si skena muzikore e qytetit dikur përqendrohej përgjatë ujërave të anës evropiane, në zonën e Taksimit dhe rrugës së famshme, Istiklal.

“Njerëzit vinin për t’u takuar dhe pirë”, thotë ajo. “Ishte qendra kulturore. Por Qeverisë religjioze nuk i pëlqente kjo punë”.

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, synonte transformimin e zonës dhe ndërtimin e një xhamie në Gezi Park – hapësirë kjo ku Akyol thotë se “njerëzit mund të takoheshin me njëri-tjetrin”. Më 2013, këto plane nxitën demonstrata, në të cilat ajo mori pjesë, dhe përgjigjen e dhunshme policore që gjeneroi të lënduar dhe të vdekur, pas të cilave protestat e mëtutjeshme anti-Erdogan rregullisht u shoqëruan me gaz lotsjellës.

Për muzikantët u bë e pamundur që të veprojnë në Taksim. Disa u larguan nga vendi, ndërsa të tjerët zbarkuan në Kadikoy, një zonë kosmopolitane, larg më mbështetëse për skenën muzikore. Por këtë verë qejfi në Stamboll ndryshoi. Kalojmë pranë një afisheje të Ekrem Imamoglut, prefektit të ri, nga radhët e partisë opozitare CHP, i cili në qershor i rifitoi zgjedhjet më herët të anuluara, kësaj radhe me rritje masive të shumicës. Kjo ishte një goditje e fortë për Erdoganin, e cila u përshëndet nga popullata.

“Njerëzit u çmendën fare”, tha Akyol. “Është hap shumë i madh. Është fillimi i gjërave. Erdogani tha se nëse e humb Stambollin, e humb krejt Turqinë”.

Sonte Akyol luan në terrenin e saj – në Kadikoy, në “Moda Sahnesi”, një holl i madh bodrumi, i ngjyrosur në të zezë, e me shitësit e birrave të stacionuar anekënd. Bendi i saj katëranëtarësh, i udhëhequr nga partneri i saj dhe kitaristi Ali Güçlü Şimşek, bartin syze të errëta dhe vishen në të zeza, me mantele si të priftërinjve, ndërkaq Akyol zbret si një flutur ekzotike, e veshur me çizme dhe pantallona të shkurtra, të zeza, barkun gjysmë të zbuluar dhe krahët transparentë, të bardhë, të lidhur për kyçe të duarve.

Pamja mund të duket pop ama muzika nuk është asgjë tjetër pos një rocku të errët, të përgjakshëm baladash, kriposur nga pak me tinguj telash kitare, përmes ndikimit të folkut turk dhe nderimeve për heronjtë e saj muzikorë turq. Herë pas here i referohet këngëtares folk-rock, Selda Bagcan, e cila ishte burgosur në vitet ‘80, dhe jo rrallë ua thotë këngëve të Erkin Koray, “babait të rockut psikodelik turk”, si dhe të këngëtarit dhe moderatorit televiziv, Baris Manço.

Ndër kompozimet e saj është “Istikrarli Hayal Hakikattir” (Ëndrra e paharrueshme është realiteti), që është edhe titulli i albumit të saj të ri. Pastaj e këndon furishëm “Develerle Yasiyorum” (Po jetoj me devetë) dhe zemërueshëm “Nargilen”, që ngërthen vargun: “Gërmoje thellë varrin tënd, trupi yt është i pavlerë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme