Ky shekull nuk qenka me fat Foto: Ilustrim/Koha

Ky shekull nuk qenka me fat

20 July 2019 13:00

1. Pse ta çoj deri në fund? Fytyrës së njeriut i ra fasada. Edhe gjuha në gojë po bën zhurmë, zhurmë. Përtej fjalëve, pse t’i lutemi Zotit! Kënga e dëshpërimit preku fundin.

Për gabime të vogla pse ta fajësojmë pasqyrën? Kjo përsëritje helmon kohën. Atje ku rrugët ndahen na pret përshëndetja me dorë. Si mund të themi diçka më mirë. Mos u përzieni më shumë. Njeriu deri tani nuk e ka provuar këtë jetë, jashtë burgut të vet, shkruan sot Koha Ditore.

Disa herë ai ka ikur nga realiteti dhe prapë është kthyer ta kërkojë realitetin e vet.

Për ta kërkuar si vlerë që i mungon. Duke shpresuar se është më lehtë, e kapërcen shekullin. Në kufijtë e legjendës, si të vendlindjes. Te qyteti i dy kuptimeve. Mes lumit Drin dhe lumit Drin. Në fund të liqenit, mes gërmadhave nga ai qytet vetëm Ura e Vezirit ende qëndron në këmbë. Te kufijtë e legjendave e të musteqoshëve të kështjellave e të rrugëve të gjata pa gur kilometrik e pa shenja se ku të çojnë. Kuptimi i parë është se si jemi nisur për të shkuar ku dikush të thërret, ku dikush të pret. Para lëndinës së liqenit tani është qyteti i ri i qetë si lepuri. Po më vjen keq ta them pse ende s’e kam parë mirë. Diçka që vjen si kupë, më duket se ka rënë mbi të. Pse e dua aq shumë është sëmundje e bukur…

2. Çfarë të them pas kësaj që nuk di as ta harroj e as ta them. Në kohë të paqëndrueshme shumëçka largohet. Për të sakrifikuar idenë e shkuarjes, idenë e kthimit, kur nuk na ecën, nuk na ecë. Dashuria e programuar del në skenë. Çfarë largësie na pret nuk e kuptoj.

Pse besova aq shumë nuk e di. Ka edhe më keq. Bibla e të gjitha besimeve lexohet shpejt.

Profetët, falë Zotit, kanë lindur me famë. Para Teatrit Kombëtar, duke na i lexuar ëndrrat, na flasin për parashikimet e tyre. Ato parashikime tani i kemi të njohura. Jeta është një rrugë që nuk është e drejtë për të gjithë. Në harkun dramatik të historisë, asnjëri nuk e kupton pse. Ata që harrojnë nuk kanë pse të besojnë. Pa thënë një, nuk thonë dy... E thefshin qafën! Nuk po sheh Zoti çka po bëjmë.

3. Për një peng në zemër, ndryshe do t’i kuptojmë durimin, dashurinë, dëshirën.

Për herë të tretë pse kemi qëndruar pa folur. Për shekullin fatkeq, kur zbutet gjaku.

Kur humbet besimi. Për një ide që duhet ta realizoj në ditët e sotme shpejt e shohim dhe shpejt e vlerësojmë rrugën e xhenetit. Duke menduar edhe diçka tjetër, dola nga mirësjellja urbane. Me ligje e pa ligje, shumë detaje konkrete s’kam se si t’i kuptoj.

Për të pranuar atë që kërkohet, atë që thuhet, duhet të bëhem i fortë. Hapin ta bëjmë kilometër. Edhe kur ëndrrat na paralizohen për një kohë të humbur, të gjitha rrugët na çojnë drejt një rruge të humbur. Edhe pse nuk e kam dashurinë e përparshme, mbaj mend kohën kur vdekja ishte më e fortë se jeta. Fundi i fjalës nuk është fundi i fundit…/Rexhep Ferri

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme