Kulturë

Bota e larmishme e animacionit në pesë ekrane të mëdha

Pejë, 19 korrik – Ndezja e ekranit në kinemanë “Urbane”, në hapje të edicionit të dhjetë të “Anibarit” në fillim të javës, disa vjet pasi që ajo ishte jashtë funksionit, qe një mesazh i qartë: aktivizmi me art.

Prej asaj dite, qyteti perëndimor i Kosovës, për të sjellë me të mirat e animacionit që ka përzgjedhur sivjet, ka ndezur pesë ekrane. Tash katër ditë dhjetëra filma janë shfaqur e shumë të tjerë priten që të shfaqen edhe në tri ditët në vazhdim. Filma që janë pjesë e festivalit sjellin laramani të temave, por edhe të teknikave të animacionit. Aty gërshetohen veprat e animatorëve shkollash e gjeneratash të ndryshme.

“The Ostrich Politic”, “Mom’s Clothes” dhe “Matches”, tre filmat të cilët e shënuan hapjen e edicionit të sivjetshëm nuk ishin një zgjedhje e rastësishme.

Ekipi organizativ i “Anibarit” që në fillim potencoi disa çështje shumë të rëndësishme duke theksuar se animacioni nuk është thjesht vetëm një mënyrë tjetër e të bërit filma. Në fakt, përmes tij, shkurt dhe pa shumë elemente e ndoshta edhe më shumë metafora, mund të vihen në pah gjëra mjaft të rëndësishme për shoqërinë dhe komunitetin.

Regjisori Mohamad Houhou, përmes filmit të tij “The Ostrich Politic”, solli jetën e një komuniteti të strucëve.

Në fakt, shumë artistë që “Anibari” ka sjellë punojnë duke reflektuar mbi jetën e tyre e i tillë është edhe artisti dhe regjisori Holger Lang i cili së fundi ka realizuar filmin “One Frame Film”. Shumica e punës që ai bën në fakt nuk publikohet dhe për të kjo është thjesht një mënyrë sesi ai i qaset punës.

I tillë është edhe programi “Tricky Woman: Vende të ndritshme dhe duke shtyrë kufijtë”, që sjell animacionet e fundit të realizuara nga gratë artiste të Austrisë. Mirëpo filmat brenda edicionit të sivjetshëm të “Anibarit” shkojnë edhe më thellë duke eksploruar shpresat, frikët dhe dëshirat e njerëzve.

“Ruben Brandt, Collector” i regjisorit Milorad Krstiq, sjell historinë e Ruben Brandt një fizioterapeuti i cili detyrohet që të vjedhë 13 piktura nga muzetë me të famshme të botës në mënyrë që të ndalojë dhimbjet që i vijnë nga ankthet.

E natyrshme, një pjesë e programit u është kushtuar edhe fëmijëve. Çdo ditë nga ora 12:00 në teatrin “Istref Begolli” ata kanë mundësi që të shohin së paku katër filma të animuar.

Kinematë “Jusuf Gërvalla”, “Liqeni”, “Kubat”, “Urbane” dhe teatri “Istref Begolli” do të vazhdojnë deri më 21 korrik të sjellin në Pejë botën e larmishme të animacionit.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")