Kulturë

Në Ferizaj hapet ekspozita e fotografit Reka

Fotografitë e Hazir Rekës të kosovarëve në ikje gjatë luftës së vitit 1999 tregojnë fytyra të trishtuara, shikime të humbura. Të gjithë të kapura prapa dritares.

Në sytë e personazheve të këtyre fotografive, mund të lexohet tmerri, frika, por edhe shpresa dhe shpëtimi.

Kështu e përshkruan Nerimane Kamberi rrugëtimin e përbashkët me bashkëshortin e saj Hazir Reka, disa prej fotografive të të cilit erdhën në një ekspozitë mbrëmë në Ferizaj.

Kësaj ekspozite i ka paraprirë një trajnim i fotografit Reka me të rinjtë, raporton “Express” i KTV-së.

Portretet e nxënësve të buzëqeshur, pranë atyre të trishtuarve synojnë të tregojnë një realitet tjetër nga ai i luftës.

Kjo ekspozitë përmban një gërshetim të fotografive origjinale të fotografit Hazir Reka, dhe pikturave të nxënësve të Shkollës së Arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

Fotografitë i takojnë periudhës së vitit 1999, ndërsa pikturat janë të vitit 2019. Jeta Neziri e ka sjellë përmes ngjyrave një nga portretet e përzgjedhura të fotografit.

Kjo ekspozitë organizohet nga Hazir Reka në bashkëpunim me Sh.m.a “Çesk Zadeja” Ferizaj dhe MuralFest, ndërsa përkrahet nga Qendra Multimedia në Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë në Galerinë e Arteve në Ferizaj.