Kulturë

Universi në realitetin virtual, sfida e të rinjve në “Anibar”

Universi në realitetin virtual, sfida e të rinjve në “Anibar”
Foto: Elmedina Arapi

Pejë, 17 korrik – Edicioni i dhjetë i “Anibarit” ka bërë bashkë disa të rinj për të mësuar më shumë për teknikën VR (Realiteti virtual) të animacionit. Nën mbikëqyrjen e ligjërueses Mari Jaye Blanchard, këta të rinj janë duke mësuar një teknikë, e cila së fundi ka filluar që të zhvillohet edhe në botë. Të rinjtë shqiptarë që janë pjesë e kësaj punëtorie janë në hap me të ardhmen sa u përket realitetit virtual dhe animacionit.

Ari Zharku, 21 vjeçar, i cili studion pikturë në Universitetin e Prishtinës, ka krijuar një lidhje edhe me animacionin. Ai së fundi ka qenë pjesë e studentëve të cilët kanë ndjekur ligjëratat në Akademinë e Animacionit në Prishtinë, e cila ka filluar në shkurt e ka përfunduar në korrik të këtij viti. Tani ka ardhur në Pejë, për të ndjekur edicionin e 10-të të “Anibarit”, por edhe për t’u bërë pjesë e punëtorisë.