Kulturë

“Alan Baby” për rastin tragjik të imigrantit të mbytur trevjeçar nga Siria

Vdekja tragjike e Alan Kurdit, djaloshi trevjeçar nga Siria, i cili ishte gjetur i mbytur në brigjet e një plazhi turk gjatë vitit 2015 do të shpaloset hollësisht në një film.

Xhirimet për filmin “Alan Baby” kanë filluar tanimë në jugperëndim të vendit, ku trupi i njomë i vocërrakut ishte gjetur pa shenja jete, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Pamjet e vdekjes së tij kishin tronditur botën mbarë dhe e kishin ngritur alarmin për fatin e imigrantëve, të cilët vdisnin në ujërat e Mesdheut gjatë përpjekjes për të ikur nga lufta e varfëria dhe gjetur strehim në ndonjë vend të Evropës.

Filmi në përpunim e sipër drejtohet nga Omer Sarikaya, autor i dramës autobiografike “Islamophobia” (2018), është trimëruar nga toleranca ndërfetare dhe në rol kryesor do ta ketë aktorin e njohur belg të filmave aksion, Jean-Claude Van Damme.

Në “Alan Baby”, film ky që po ashtu është menduar ta mbajë titullin “Deti i vdekjes”, rol do të marrë edhe një tjetër yll i filmave aksion të viteve ‘80, Steven Seagal.

Regjisori Sarikaya ka deklaruar për agjencitë turke të lajmeve se kur i pa për të parën herë fotografitë e Alanit të mbytur nuk ka mundur të bënte gjumë natën.

“Nuk mund të flija për sa kohë. Pamja e vogëlushit më sillej gjithë kohës nëpër mendje”, ka thënë ai. “Po mendoja se mbase dikush do ta xhirojë një film për këtë ngjarje dhe t’i dërgojë një mesazh të fuqishëm botës. Ama askush deri më tani nuk e bëri. Andaj do ta bëj unë”.

Filmi parashihet që të jepet premierë në qytetin bregdetar Bodrum, ku dhe po xhirohet, më 2 shtator. Afati kohor lë të kuptohet se filmi do t’i nënshtrohet një periudhe të përshpejtuar të redaktimit dhe postproduksionit. Përfitimet prej tij do të jepen si donacion për ndihma humanitare imigrantëve, ka thënë regjisori.

Alan, emri i të cilit fillimisht është raportuar të jetë Aylan, ka vdekur bashkë me vëllanë e tij, Galib, dhe nënën Rehana pasi një barkë e vogël me të cilën ata udhëtonin me shpresën për të mbërritur në ishullin grek, Kos, u rrokullis dhe u fundos rreth pesë minuta pa mbërritur në breg.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)