Regjisori i njohur spanjoll, Pedro Almodovar fitoi çmimin e ”Luanit të Artë” për karrierën, në Festivalin e Filmit të Venecias të këtij viti, bënë të ditur organizatorët.
Në një shënim, drejtori i festivalit Alberto Barbera e quajti Almodovar “një regjisor i cili na ofroi portretet më shumëformëshe, kontroverse dhe provokuese të Spanjës post Franko”.
Filmat e tij përballen me “shkeljet, dëshirën dhe identitetet” dhe janë të mbushura me “humor gërryes” dhe të stolisur me një “shkëlqim vizual”, që shprehimisht i referohet estetikës së fushës dhe artit pop’’, tha Barbera.
“Ky luan i artë do të bëhet kafsha ime shtëpiake, së bashku me dy macet me të cilat jetoj. Faleminderit nga thellësia e zemrës për dhënien e këtij çmimi,” u shpreh Almodovar.
Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Gratë në prag të një shkatërrimi nervor” në vitin 1988, “Gjithçka për nënën time” në vitin 1999 dhe “Volver” në vitin 2006.
Filmi i tij më i fundit, “Pain and Glory” gjysmë autobiografik u shfaq në Festivalin e Filmit të Kanës në maj, ku protagonisti i tij kryesor, Antonio Banderas, fitoi çmimin e aktorit më të mirë.
Venecia pret festivalin më të vjetër të filmit në botë, i themeluar në vitin 1932, dhe edicioni i këtij viti është planifikuar nga 28 gushti deri më 7 shtator/ATSH-DPA.