Unë dhe vëllai, Şevketi, u regjistruam në shtatorin e 1959-s në shkollë fillore franceze në Zvicër. Babai Gündüz, inxhinier turk me talent për matematikë, ishte punësuar në I.B.M. në Gjenevë, dhe prej se kishin mbërritur nga Stambolli në Gjenevë në qershor, nëna Şekure ishte munduar me mish e me shpirt të na mësonte frëngjishten.
Frëngjishtja e saj ishte e mirë – e kishte mësuar prej murgeshave në Dame de Sion, shkollë katolike në Stamboll – ama nuk ishte pedagoge. Ishte e zorshme të impononte farë disipline te bijtë e pashtruar shtatë e nëntë vjeç, e lëre më t’u mësonte njëherësh një gjuhë të re, shkruan sot Koha Ditore.
Kishte shumë fëmijë të huaj si puna jonë në qytet, të cilët nuk e flisnin frëngjishten; i shihnim në brigjet e Liqenit të Gjenevës, në parqe e në rrugë. Afërmendsh se ne do ta mësonim gjuhën eventualisht, nëse jo ndryshe, edhe duke folur me fëmijët në shkollë? Nëna po mundohej goxha shumë duke u marrë me ne dhe me punët e shtëpisë; mbase nuk do të bëhej nami nëse nuk do t’ia dilnim ta mësonim frëngjishten prej saj.
Prapëseprapë, më kishte kapur frika kur nëna na çoi në ditën e parë në shkollë. Në oborrin e shkollës, isha ndarë prej vëllait dhe po prisja në rresht me nxënës të tjerë të klasës së dytë. Shumë shpejt hymë në rresht në klasën e pastër dhe të ndritshme.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)