Kulturë

Fatos Kongoli: Ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët, jo politikanët

Descriptive Text

Prishtinë, 6 qershor – Me 75 vjet moshë, shkrimtari Fatos Kongoli, i përkthyer në afro 20 gjuhë botërore, mendon se ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët dhe artistët, porse jo politikanët. Sipas tij, gjithçka do të jetë kalimtare dhe e harruar, përpos disa emrave nga fusha e letrave që do të mbahen mend kurdo.

Të mërkurën ai ka dhënë autografe në hapjen e edicionit të 21-të të Panairit të Librit “Prishtina2019”, ku është i ftuar special. Pa përtesë vinte firmën në romanin e tij më të ri “Gënjeshtarë të vegjël”.

Rikujton botimin e romanit “Ne të tre” në Kosovë dhe kritikat pozitive që kishte marrë atëkohë. Lidhjen me Kosovën e pasoi, më 2005, kur nga Botimet KOHA, doli romani “I humburi”, në kuadër të kolanës së shkrimtarëve të shekullit XX. Ndërkaq më 2011, Kongoli me “Iluzione në sirtar” fitoi shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar.

Kongoli vlerëson se në Kosovë është më e konsoliduar poezia, porse jo edhe proza. Dikur ka lexuar, porse tash e pranon se nuk ka njohuri për letërsinë që krijohet në Kosovë.

Letërsinë shqipe e sheh me dy origjinalitete, të prodhuara nga shkaqe historike. Porse, nuk e konsideron të integruar. Ai e pranon se ka shkrimtarë të mirë nga Kosova që nuk kanë pasur sukses në Shqipëri, porse nuk ka ndodhur e njëjta me ata nga Shqipëria në Kosovë.

Kongoli është një refuzues i rrjeteve sociale. Nuk beson se një shkrimtar virtual mund ta konkurrojë një që boton libër në letër. Teksa letërsinë e cilëson sfidë në vete.

KD: Së fundi i keni sjellë lexuesit romanin “Gënjeshtarë të vegjël”. Bota, duket gjithnjë e më shumë po noton në gënjeshtra. Në relacion me këtë, mund të ketë gënjeshtra të vogla, apo nuk ka masë për gënjeshtrën. Ajo ose është, ose nuk është gënjeshtër...

Kongoli: Në roman unë merrem pikërisht me ata që i quaj gënjeshtarë të vegjël. Të tilla janë personazhet e librit.

KD: Por në roman ju keni trajtuar gënjeshtrën në dashuri. Dashurojmë për të jetuar, apo dashurojmë për të gënjyer?

Kongoli: Kjo pyetje me përmbajtje filozofike. Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje. Por libri është i ndërtuar në dy plane. Një pjesë e madhe e librit zhvillohet në veten e tretë. Pjesa tjetër e tij, në veten e parë...

KD: Mirë, shkrimtari nuk jeton jashtë realitetit. Keni trajtuar gënjeshtrën në dashuri. Sot qytetarët e këtij cepi të Ballkanit po i vuajnë gënjeshtrat më së shumti nga politika. A është afektuar jeta jonë nga zhvillimet politike e sociale dhe a po mbetemi peng?!

Kongoli: Më fute në një terren në të cilin nuk kam fort dëshirë të flas. Por ky është një problem i sotëm shumë i madh. Unë thashë merrem me gënjeshtarë të vegjël. Ata më interesojnë. As personazheve të mi nuk ju interesojnë gënjeshtarët e mëdhenj.

KD: Por tendenca e shoqërisë shqiptare është t’i thurë lavd gënjeshtrës? A mund ta fisnikërojë letërsia shoqërinë në relacion me gënjeshtrën?

Kongoli: Nuk mendoj se letërsia mund ta luajë këtë rol. Letërsia, sigurisht, ka rol. Por efekti i letërsisë jepet me kohë e breza, nuk është i atypëratyshëm. Siç mund të jetë efekti i një artikulli gazete, apo një fjalimi. Por qëllimi im është t’i jap disa personazhe karakteristike të ditëve tona... Në këtë pikëpamje, jam një çikë pesimist në rolin që mund të luajë letërsia. Kjo është pasqyrim i ndërgjegjes kombëtare. Politikanët le të bërtasin sa të duan, por nuk e bëjnë ndërgjegjen kombëtare. Ata s’janë ndërgjegjja kombëtare, megjithëse kanë frenat e gjithçkaje në dorë. Ndaj, duan apo nuk duan, ata nuk janë ndërgjegjja e kombit. Ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët dhe artistët. Këtë s’ma heq askush nga mendja.

KD: Rrjedhimisht, zoti Kongoli, ku mbetet fati i kombit: në ndërgjegjen e politikanëve apo të shkrimtarëve?

Kongoli: Nuk mund ta diskutoj çështjen kështu, por në retrospektivë. Politikanët e sotëm, në retrospektivë, pas disa vitesh nuk besoj se do t’u kujtohet emri. Edhe ne shkrimtarëve nuk do të na kujtohet emri, por disa gjithsesi po...

KD: Megjithatë, një pjesë të madhe të jetës suaj e keni jetuar në periudhën kur gënjeshtra ishte institucionale e regjimit të kohës. Si ishte jeta në rrenat e komunizmit?

Kongoli: Unë e kam shkruar librin “Iluzione në sirtar”. Një libër prej 400 faqesh, të cilin e konsideroj më autentik, më me vlerë në gjithë krijimtarinë time. Kur u botua, zgjoi debate të mëdha, siç është zakoni. Por jam i lumtur, sepse ai libër është ballafaqim i jetës sime me krijimtarinë time, librat e mi...

KD: Me këtë libër, më 2011, ju keni fituar shpërblimin “Rexhai Surroi”, të Grupit KOHA. Para tij, më 2005, “I humburi”, është botuar në kuadër të kolanës së shkrimtarëve të shekullit XX. Si janë pritur në Kosovë?

Kongoli: Kënaqësia ime është që në Kosovë m’u nda një çmim prestigjioz. Ky qe një kompensim dhe unë jam shumë mirënjohës. Dy vjet më parë, ky libër u botua në italisht. Atë libër mund ta kisha titulluar ”Në kërkim të kohës sime të humbur” mbi jetën dhe letërsinë. Ky një titull prustian. Romani “Gënjeshtarë të vegjël”, ka një ngjashmëri me atë “I humburi” i botuar edhe në Kosovë.

KD: Me romanin e fundit keni bërë njëfarë shmangieje nga motivi paraprak. Romanet “Lëkura e qenit”, “I humburi”, “Kufoma”, “Dragoi i fildishtë”, “Ëndrra e Damokleut”, i keni cilësuar “burgje të kujtesës”. Në secilin nga to ka copëza historie tuat. Po te “Gënjeshtra...”?

Kongoli: Të gjitha romanet e mi vijnë nga përvoja ime. Sigurisht ka nga jeta ime. Unë jam dhe nuk jam te personazhet e mi...

KD: A bartet stresi i autorit te lexuesit?

Kongoli: Jo. Nëse ti ia kalon stresin lexuesit, nuk lexohet libri. Stresin duhet ta kesh vetë dhe lexuesit t’ia bësh të lexueshëm librin. Po hyjmë tash në atë që quhet hile zanati. Lexuesit duhet t’ia hedhësh grremçin që në fjalën e parë. Pra, unë gjatë kam bërë një jetë vetëm në shtëpi e shumë rrallë kam dalë pas viteve ‘90. Kush do t’i bënte gjithë këto libra. Isha i mbushur shumë. Kisha çfarë të shkruaja. Pata edhe fat që librat e mi u pëlqyen. Në Kosovë jam pëlqyer gjithmonë qysh nga libri im “Ne të tre”. Ky libër në Shqipëri u prit me këmbë të para. Kjo është e vërteta. U shkruan artikuj se kjo nuk është jeta e rinisë shqiptare e ku ta di unë. Deri këtu shkoj puna. Më hyri frika se më bëjnë ndonjë gjë. Mirëpo, në Kosovë libri u botua dhe u ribotua në një botim shumë të bukur. Kosova ishte para nesh. Më ka ardhur libri dorë pas dore dhe kam fjetur gjithë natën me të nën jastëk, aq i bukur ka qenë. Çfarë kënaqësie ka qenë për mua. U shkrua një artikull shumë i mirë në gazetën “Rilindja”. Këtë e kam shkruar edhe te libri “Iluzione në sirtar”. Në Shqipëri pësova një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Thashë: ‘Ç’më duhet mua të çaj kokën’. Thashë pse e lashë profesionin tim si mësues matematike. Mirëpo, më shpëtoi Kosova.

KD: Në njëfarë forme Kosova ua dha hovin?

Kongoli: Jo në njëfarë mënyre, por në dy momente shumë të vështira të jetës sime unë kam pasur shpëtimin këtu me romanin “Ne të tre” dhe me “Iluzione në sirtar”.

KD: Si e shihni bashkëpunimin letrar midis Kosovës dhe Shqipërisë?

Kongoli. Më bëtë një pyetje shumë të vështirë. Unë bëj një jetë të tërhequr e në 7 a 8 vjetët e fundit kam jetuar më shumë në Amerikë se në Shqipëri, më shumë mund të flas për kohën kur kam punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Kryesisht atëherë i kam njohur më shumë autorët kosovarë. Kam punuar në redaksinë e letërsisë për fëmijë.

KD: Sot a e njihni letërsinë shqipe që krijohet në Kosovë?

Kongoli: Pak. Pak. Shumë pak. Vitet e fundit nuk kam pasur mundësi të lexoj. Nuk kam pasur kohë. Kohën e kam të kopsitur deri në grykë. Ka qenë një kohë që unë lexoja dhe atë kohë e kujtoj me mall. Atëherë kam lexuar shumë autorë të njohur kosovarë. Vinin librat. Tash lexoj më pak edhe letërsinë në Shqipëri. Sot leximi është kthyer në një luks për mua.

KD: Nga ky prizëm, a është letërsia shqipe një e tërë, apo kemi dy letërsi: një në Shqipëri dhe tjetrën në Kosovë?

Kongoli: Është një pyetje e vështirë. Ne jemi një komb. Por për arsye historike ne kemi origjinalitetet tona. Kemi ndryshimet tona. Është diçka shumë e thjeshtë. Kam dëgjuar emra të mrekullueshëm në Kosovë e në Maqedoni. Emra si Edon, Liridon, Liridona, Vjosa, Saranda, Vlora e të tjerë. Janë këta emra që në Shqipëri nuk i gjen. Ne nuk kemi ndonjë vajzë që quhet Prishtina, apo Gjakova. Përse? Ka një lloj perceptimi e gjykimi. Unë kam një mendim. Mund të jetë gabim, por le të ma thonë. Ndjenja patriotike të paktën deri më tani në Kosovë është më e zhvilluar se në Shqipëri. Kjo ka shpjegimet e veta historike. Ju keni pasur shtypjen kombëtare dhe jeni më patriotë. Në krahun tjetër ne kemi pasur një shtypje nga diktatura. Shqipëria ka qenë një burg i të gjithë shqiptarëve...

KD: Ku po çalon letërsia shqipe e Kosovës?

Kongoli: Nuk e di. Ka shkrimtarë të Kosovës që më pëlqejnë shumë. Shkurt hesapi, Kosova ka poetë të mëdhenj sipas meje. Ka poetë shumë të fuqishëm, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Xhevdet Bajraj e të tjerë. Në bindjen time Kosova e ka shumë të fuqishme poezinë e sigurisht që ka edhe autorë të fuqishëm në prozë. Kjo është një përshtypje personale e sipërfaqshme/ Bekim Kupina,Shaban Maxharraj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")