Veprat e panjohura për publikun gjithmonë krijojnë ethet e një përfytyrimi të ri për autorin, i ndryshëm nga ai që thuhet e shkruhet në biografi. Artdashësit njohin stilin ekspresionist e impresionist të Muslim Mulliqit, por jo edhe qindra vizatime të tij të bëra gjatë gjithë jetës së tij krijuese, shkruan sot Koha Ditore.
Siç pëlqente ta thoshte në të gjallë, vepra e tij ngjizej nga frymëzime të çastit, reminishenca të zgjuara të fëmijërisë dhe ndjeshmërisë intuitive të njerëzve për jetën. Motive nga më të ndryshmet, trille frymëzimi të çastit, revijëzim ndjesish e mendimesh përshkojnë këto vizatime që nisin qysh në vitet ‘50.
Ky sharm krijues filloi në Gjakovë, aty, ku sipas fjalëve të profesor Rexhep Ferrit, secili dinte t’i binte një instrumenti. Plot 100 vizatime të tij u shpërfaqën në ekspozitën “Home+”, të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare në Kosovë.
“Vizatimi ka qenë një armë e fortë e krijimtarisë së Muslimit”, ka përkujtuar i biri i tij, profesor Visar Mulliqi. “Për 85-vjetorin e lindjes së tij kemi vendosur t’i paraqesim vetëm vizatimet e tij si një vizatues bashkëkohor që ishte. Vizatimet janë të periudhave dhe vendeve të ndryshme, të bëra në shtëpi, gjatë kohës sa ishte në punë, në zyrë apo në atelie. Ekspozitën e quajtëm ‘Home+’, meqë e kemi konceptuar si të ishte në mjediset e shtëpisë”, ka thënë ai për gazetën. /Salih Mehmeti
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)