Kulturë

Ekspozohen vizatimet e papublikuara të Muslim Mulliqit

Descriptive Text

I njohur më shumë si piktor, Muslim Mulliqi, në trashëgiminë e tij artistike ka lënë edhe vizatime.

Të ekspozuara për herë të parë para publikut, këto vizatime sollën në Galerinë Kombëtare të Kosovës faza të ndryshme nga krijimtaria artistike e tij.

Në një ambient të modifikuar për t’u dukur sa më familjar, janë prezantuar vepra që pasqyrojnë përditshmërinë e artistit që ka lënë gjurmë në historinë e artit pamor shqiptar, raporton “Express” i KTV-së.

Ekspozita e titulluar “Home+”, shënon edhe një datë të rëndësishme për familjen Mulliqi.

Stili i vizatimit, trajtimi i temave sociale dhe paraqitja e realitetit kosovar përmes artit, kanë bërë që arti i Mulliqit të cilësohet i veçantë dhe i papërsëritshëm.

Ekspozita “Home+” do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor, për t’u lënë vend organizimeve e aktiviteteve të tjera të planifikuara nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Nga vitet e 50’ta e deri në fund të jetës së tij, Muslim Mulliqi ka prezantuar artin e tij në dhjetëra ekspozita në Kosovë dhe jashtë saj.