Kulturë

Në Beograd, protestë kundër festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”

Descriptive Text

Forumi Rinor i Partisë Demokratike të Serbisë në opozitë, mbajti në Beograd një protestë për të kundërshtuar mbajtjen e festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, që është planifikuar të fillojë më 29 maj.

Përfaqësuesit e kësaj partie u mblodhën para Qendrës për dekontaminimin kulturor në Beograd, ku pritet të mbahet festivali, dhe vendosën fotografi të manastireve ortodokse të djegura në Kosovë.

Kryetari i të rinjve të kësaj partie, Zdravko Veselinov, tha se arsyeja e protestës është se organizatorët e prezantojnë Kosovën si shtet dhe kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

“Ne këtë festival e shohim si provokim”, tha ai, transmeton rel.

Festivali i kulturës së Kosovës “Mirëdita, Dobar dan!”, është mbajtur nën tensione edhe gjatë viteve të kaluara.

Vitin e kaluar, rreth dy orë para se të niste festivali, në afërsi të Qendrës për dekontaminimin kulturor, ishte mbajtur protestë e organizuar nga Partia Radikale Serbe, e të dënuarit të Hagës, Vojisllav Sheshelj.

Ndërkohë policia serbe i kishte bastisur artistët shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin nisur për në festivalin “Mirëdita, Dobar dan!”.

Festivali ka filluar në vitin 2014 dhe qëllimi i tij ishte të prezantojë aktualitetin kulturor të Kosovës në Beograd në mënyrë që të dyja shoqëritë të përafrohen përmes kulturës dhe artit.