Tenori Lahaj gati për debutim me “La Traviata” në Los Angeles

Tenori Lahaj gati për debutim me “La Traviata” në Los Angeles

Donjeta Mejtani 09 May 2019 12:02

Prishtinë, 9 maj – Tenori kosovar Ramë Lahaj do të performojë në “Los Angelos Opera House” në operën “La Traviata” në qershor të këtij viti. Lahaj në datat 1, 9 dhe 13 qershor do të debutojë në skenën e Los Angelesit me këtë kryevepër nga kompozitori italian, Giuseppe Verdi, i cili u bë i njohur për aftësitë e tij në krijimin e melodisë dhe në përdorimin e thellë të efektit teatror. Alfredoja, është roli që do ta ketë Lahaj. Sopranoja rumune Adela Zaharia, fituese e “Operalias” më 2017, është në rolin e Violettas.

Edhe kjo paraqitje do të vijë si bashkëpunim me tenorin dhe dirigjentin e njohur spanjoll Plácido Domingo. Veçanti e kësaj shfaqjeje, sipas Lahajt, është se regjinë e saj do ta bëjë gruaja e Domingos, Marta Domingo.

Lahaj bashkëpunon me tenorin Domingon tash e disa vjet dhe kanë pasur disa paraqitje së bashku nëpër vende të ndryshme.

“Kam udhëtuar në vitet e kaluara së bashku me Domingon e kam performuar në vende si Meksika e Franca”, ka thënë Lahaj, i cili është i entuziazmuar për performancat që do t’i ketë në Los Angeles, provat për të cilën i ka filluar këtë javë. Dirigjent është James Conlon.

Plácido Domingo, i cili ka të regjistruara mbi njëqind vepra të plota dhe është i njohur për shkathtësinë e tij në performim, ka thënë fjalë të mira edhe në të kaluarën për aftësitë artistike të Lahajt.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme