Kanë udhëtuar me tren nga Tirana drejt Shkodrës, për një festë. 4 orë e 30 minuta në një mjet transporti pothuaj të harruar në Shqipëri, që merr jetë mbi shinat e hekurudhës së vjetër, të inauguruar në vitin 1947.
I konceptuar si rikthim në vitet '40-'50, qytetarë të të gjitha moshave u bënë bashkë në udhëtimin më të bukur dhe ritmik, atë të “Swing Marathon”, kushtuar ditës ndërkombëtare të jazz-it.
Festivali i organizuar për herë të katërt në Shqipëri, eventi kulturor, që gjallëroi rrugët e qytetit përmes ngjyrave, muzikës dhe vallëzimeve.
“Unë tani jetoj në Tiranë, por ndjehem i gëzuar sa herë kthehem në Shkodër sepse vërtet është qyteti më i bukur në Shqipëri”, thotë një qytetar italian, raporton Oranews.
Duke i përshkuar në këmbë akset kryesore, ndalesa e parë e festimeve ishte në sheshin përpara “Kafes së Madhe”, një prej simboleve të kryeqendrës së veriut.
Të gjithë i duan këto ritme, kërcejnë me to dhe për orë të tëra vendosin t’i ikin rutinës së përditshme.
“Jam i lumtur që gjendem këtu sepse është një festë unike në botë. Më pëlqeu edhe sepse shqiptarët janë të mrekullueshëm, na dhuruan atmosferë. Ishte nder për ne, organizim perfekt, shkoi çdo gjë mirë”.
Teatri “Migjeni” ishte ndalesa e fundit, aty ku për orë të tëra muzika, vallëzimet dhe ngjyrat që na kthyen pas në kohë u shkrinë në një.
Nuk munguan as interpretimet e këngëve shkodrane të riorkestruara sipas tingujve të jazz-it.