Kulturë

Pse u grind Fan Noli me Mbretin Zog e Kostë Çekrezin

Viti 1942. Shqipëria është e pushtuar nga Italia. Dy udhëheqës të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli i “Vatrës” dhe Kostë Çekrezi i “Shqipërisë së Lirë”, ulen të bisedojnë në kishën shqiptare të Bostonit, për të ngritur një front të bashkuar me përkrahjen e Amerikës. Faik Konica nuk merr pjesë. Edhe pse është bërë mik me Nolin, ai nuk e duron dot Çekrezin. Noli dhe Konica duan në krye të frontit të bashkuar Mbretin Zog, që jeton në Londër. Çekrezi nuk e duron Zogun, i cili dikur e ka dënuar me vdekje në mungesë.

Në këtë bisedë që kam rindërtuar në bazë të dokumenteve, shkruan gazetari i "Zërit të Amerikës" Ilir Ikonomi, dëshira e udhëheqësve për t’i bërë mirë vendit pengohej nga egoja dhe kokëfortësia e secilit prandaj, në fund, nuk u arrit gjë.

Ishte e dielë, 12 korrik. Noli dhe Çekrezi u takuan në kishën e Shën Gjergjit në Emerald Street të Bostonit për të arritur bashkimin e shqiptarëve nën një plan të vetëm.

Në orën 3 pasdite, rreth 15 veta u ulën në tryezën e gjatë të kishës. Nga njerëzit e Çekrezit ishin: Ilo Tromara, John T. Nasse, Kosta Isaak dhe Vangjel Sotir. Ndërsa Vatrën e përfaqësonin Vasil Pani, Peter Tyko, Shefqet Bënça dhe Peter Kolonja. Palët ishin marrë vesh që Noli të ishte i paanshëm në atë mbledhje. Faik Konica nuk merrte pjesë sepse nuk denjonte të ulej në një tryezë me Çekrezin.

Noli foli i pari:

– Shqipëria nuk ka se si bëhet edhe një herë përveçse me një front të përbashkët, të cilin duhet ta kryesojë Zogu. Sado i keq të ketë qenë Zogu për Shqipërinë, puna e do që ta vemë edhe një herë në krye të lëvizjes kombëtare për formimin e një qeverie në mërgim.

Çekrezi u përgjigj me një fjalim bombastik që zgjati një orë e gjysmë e që herë-herë i largohej temës së mbledhjes.

– Nga bisedat që kam pasur deri tani, mund të deklaroj botërisht se Zogu nuk përfillet as nga Amerika dhe as nga ndonjë prej aleatëve të saj. Propozoj që disa prej nesh që janë në këtë mbledhje të vijnë bashkë me mua në Uashington për të dëgjuar me veshët tanë se cili është mendimi i qeverisë amerikane dhe angleze për Zogun.

Fjalët e Çekrezit e ngacmuan Nolin dhe gjakrat u nxehën. Në zemërim e sipër, peshkopi i ra tryezës me grusht.

– Po të ishte për të bërtitur e për të rrahur tryezën, njerëzit e mi dinë ta godasin atë më fort se ju, – tha Çekrezi.

– Goditja e tryezës ishte thjesht një gjest oratorik, – u përgjigj Noli disi i zbutur.

Duke qenë se mbledhja hyri në rrugë pa krye, Çekrezi propozoi që dy grupet t’i kërkonin së bashku qeverisë amerikane njohjen e Shqipërisë si fuqi aleate dhe, në qoftë se amerikanët ose anglezët shprehinin dëshirën që ky bashkim të kishte në krye një përfaqësues të ligjshëm, atëherë ky përfaqësues le të ishte Zogu. Çekrezi propozoi gjithashtu që ai vetë dhe Faik Konica të ishin delegatë fuqiplotë të shqiptarëve të Amerikës në Uashington, me Nolin si këshilltar. Sytë e të gjithëve u drejtuan nga Noli.

– Ky është një plan i çmendur, – tha peshkopi. Nuk pranoj të hyj në bisedime për një plan të tillë.

– Janë të çmendur vetëm ata që nuk pranojnë bisedime mbi propozime të bëra me vullnet të mirë për bashkim të vërtetë, sepse e kanë vendosur që më parë që Zogu gjakatar të pranohet në krye të lëvizjes tonë, tha Kostë Çekrezi.

– Në qoftë se nuk merremi dot vesh, ndërhyri një delegat nga Nju Jorku, – të paktën të mos përdorim fjalë jashtë edukatës, si ‘i çmendur’ e të tjera.

– Më falni zotërinj, por paskam bërë një gabim të madh, – tha Noli. Tani po e kuptoj që e paskemi thirrur këtë mbledhje pa ditur mirë se përse po mblidhemi.

– Me sa shikoj, – tha Çekrezi, – na paskeni thirrur jo për të biseduar se si mund të bëhet bashkimi, por për të na kandisur të pranojmë Zogun që këtë minutë, në kohën kur “Shqipëria e Lirë” gjendet në marrëveshje me qeverinë amerikane për njohjen e të drejtave të Shqipërisë. “Shqipëria e Lirë” do të njihet nga Departamenti i Shtetit brenda tre muajve.

– A mund të na tregosh dokumentet zyrtare që ke për këtë marrëveshje? – u hodh Shefqet Bënça i Nju Jorkut.

– Eja në zyrën tonë dhe do t’i shohësh, – ia ktheu Çekrezi.

Njerëzit e Nolit nuk duruan dhe iu sulën Çekrezit:

– Je i çmendur!

– Je agjent greko-serb!

– Ik ore mbytu!

Ora kishte shkuar 7 e 30 e mbrëmjes. Çekrezi, i bërë ujë në djersë nga të folurit e tepërt, doli nga kisha bashkë me të tijët.

Çekrezi nuk u shkurajua. Dy javë më vonë, i dërgoi një tjetër letër Departamentit të Shtetit me kërkesën për njohje. Letra i drejtohej Sekretarit Cordell Hull dhe tonet e saj ishin më pajtuese për kundërshtarët e tij politikë.

“Mund të argumentohet – shkruante Çekrezi – se shqiptarët jashtë vendit, të vetmit që mund të flasin për popullin e tyre që ka mbetur pa zë, janë të përçarë mes vetes. Nëse kjo është e vërtetë, ata janë të përçarë vetëm në çështjet e brendshme, por janë plotësisht të bashkuar, që nga ish-Mbreti e deri te shqiptari më i fundit, në vendosmërinë për të luftuar deri në fund në krah të Kombeve të Bashkuara”.

Për t’u bërë më i besueshëm, Çekrezi shkruante se, po ta donte puna, ishte gati të hiqte dorë nga kërkesa për t’u bërë udhëheqës i një organizimi të shqiptarëve jashtë vendit, në favor të cilitdo njeriu tjetër, duke përfshirë Zogun/BW.