Kulturë

Institucionet e pafuqishme, Prizreni humb edhe një objekt historik

Institucionet e pafuqishme, Prizreni humb edhe një objekt historik

Rrënimi i shtëpive me vlera të trashëgimisë nuk ka të ndalur në Prizren. Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka reaguar të premten lidhur me rrënimin e shtëpisë me vlerë historike në rrugën “Aleksandër Fleming”, duke e cilësuar këtë veprim si një tjetër humbje të vlerave të trashëgimisë. Njëkohësisht është kërkuar që institucionet përgjegjëse të angazhohen në drejtim të zbatimit të ligjit, shkruan sot Koha Ditore.

“Në rrugën ‘Aleksandër Fleming’ është bërë rrënimi i objektit me vlerë historike. Për këtë çështje janë kontaktuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me kryerjen e këtyre punimeve dhe përgjigjja e ofruar nga ky institucion na lë në dijeni se këta të fundit kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe kanë refuzuar dhënien e pëlqimit për zhvillimin e punimeve”, shkruan në reagimin e EC-it. Aty theksohet se edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Prizrenit përmes shkresës zyrtare ka njoftuar monitoruesit se nuk ka lëshuar pëlqim për këtë lëndë.