Kulturë

Projektohet Muzeu i Kulturës Françeskane

Në Shkodër është themeluar muzeu “Lin Delija” ku është prezantuar projekti i Muzeut të Kulturës Françeskane. Veprat e piktorit të njohur i janë dhuruar këtij muzeu, që do të shërbejnë për të kujtuar e promovuar veprën e jetën e tij. Historia e pranisë dhe e veprimtarisë françeskane në Shqipëri ka një shtrirje 800-vjeçare dhe përbën një nga formatet e rëndësishme sa të besimit katolik ndër shqiptarë, aq edhe të historisë politike e shoqërore të vendit, shkruan sot Koha Ditore.

Lin Delija u lind në Shkodër më 3 janar 1925. Kur ishte 10 vjeç hyri në Shkollën e Fretënve Françeskanë dhe më pas në liceun "Illyricum", ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studioi në fillim në Herceg-Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. U arratis më 1949 drejt Italisë me ndihmën e Koliqit, i cili i siguroi bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtërit e tij ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Në vitin 1969, Lin Delija themeloi akademinë e artit "Gjergj Fishta" dhe në vitin 1983 krijoi akademinë e artit "Carlo Cesi" në vilën “Mentuccia” në Antrodoko.

Vdiq në Romë më 1994, ndërkaq veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në muzeumin “Lin Delija” në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, e në shumë vende të tjera.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)