Një sarkofag i Egjiptit të lashtë pritet të hapet gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë në “Discovery Channel”. Emisioni live për rrënojat e piramidave të lashta egjiptiane do të drejtohet nga Chris Jacobs dhe hulumtuesi dhe eksploruesi Josh Gates, të cilët do të udhëtojnë përgjatë rrjetit nëntokësor të dhomave dhe tuneleve, ku besohet se gjenden mumiet e 40 personave, asokohe pjesëtarë të elitës shoqërore në Egjiptin e lashtë. Bashkë me ta do të jetë edhe egjiptologu Zahi Hawass, si dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, Mostafa Waziri, shkrua sot Koha Ditore.
Gjatë këtij transmetimi, shikuesit do ta kenë mundësinë t’i shohin drejtpërdrejt pamjet e këtyre dhomave në rrënojat e piramidave.
Arkeologët kanë gjetur aty disa hyrje vertikale që çojnë në tunele dhe monumente varri që nuk janë gjetur për mijëra vjet. Shikuesit, gjithashtu, do ta kenë mundësinë ta shohin hapjen e një sarkofagu apo arkivoli misterioz, duke identifikuar mumiet që datojnë para tre mijë vjetësh.
Dy vjet më parë arkeologët kishin gjetur një dhomë të madhe dhe të fshehtë në brendësi të piramidës së madhe të Gizës.
Programi “Expedition Unknown Egypt LIVE” do të transmetohet të dielën, në orën 20:00, dhe do të shfaqet po ashtu edhe në “Travel Channel” dhe “Science Channel”, në të njëjtën kohë.
Folegjenda: Në emisionin “Expedition Unknown Egypt LIVE”, të dielën, prezantuesi Chris Jacobs dhe hulumtuesi e eksploruesi Josh Gates do të udhëtojnë përgjatë rrjetit nëntokësor të dhomave dhe tuneleve ku besohet se gjenden mumiet e 40 personave, asokohe pjesëtarë të elitës shoqërore në Egjiptin e lashtë