Kulturë

Muzika tradicionale amerikane gjallëron qendrën e Prizrenit

Foto: Koha

Tingujt e muzikës tradicionale amerikane të enjten i kanë dhënë energji “Sheshit të Lidhjes” në Prizren. Madje banorët vendës dhe vizitorët nga vendet e tjera, edhe pse nuk kanë qenë të shumtë në numër, nuk janë përmbajtur dot nga vallëzimi.

Ekzekutimet në violinë, një kitarë dhe një kontrabas të muzikës folk kanë krijuar atmosferë festive në qendrën e qytetit të vjetër. Për më shumë, anëtarët e bendit “Kyle Dillingham & Horseshoe Road” nga Oklahoma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin e mbajtjes së koncertit në Prizren e kanë vlerësuar si njërin prej më të bukurve në karrierën e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Interpretuesit amerikanë të folk-muzikës janë duke vizituar Kosovën në kuadër të një programi të mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, në partneritet me Zërat e Amerikës – Muzika amerikane jashtë vendit. Prej 4 deri më 8 prill ky grup muzikor do të mbajë koncerte publike dhe punëtori për nxënës në tërë Kosovën. Vendndalimi i parë për Kyle Dillingham (violinë), Peter Markes (kitarë) dhe Brent Saulsbury (kontrabas) ka qenë Prizreni, përkatësisht shkolla e muzikës “Lorenc Antoni” dhe pak orë më vonë skena e vendosur te “Sheshi i Lidhjes”. Në këtë shesh është realizuar koncerti publik nën qiell të hapur, me ç’rast Kyle Dillingham peizazhin urban të qendrës historike e ka vlerësuar si “njëri prej vendeve më të bukura ku kemi mbajtur koncert”.

Muzikanti amerikan tregon se bendi i tij ka ardhur në Kosovë pas aplikimit për të qenë pjesë e një programi të Departamentit Amerikan të Shtetit që quhet Muzika Amerikane Jashtë Vendit.

Ai ka theksuar se bendi të enjten në mëngjes ka pasur një përvojë të mahnitshme në saje të punëtorisë për krijimin e këngëve dhe shkrimin e teksteve në Shkollën e Muzikës në Prizren.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)