Një kombinim mjeshtëror të kryeveprave me nxjerrjen në pah të solistëve ka bërë Filarmonia e Kosovës në koncertin që ka ardhur si bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar “DAM” në natën e parafundit të tij.
“Koncert për piano dhe orkestër nr. 20 në D-mol” e kompozitorit gjenial Wolfgang Amadeus Mozart e kompozuar në 1875 dhe performuar për të parën herë në shkurt të atij viti në Vjenë, nga vetë kompozitori, qe vepra me të cilën u hap koncerti i së shtunës mbrëma në Sallën e Kuqe. Nën dirigjimin e dirigjentit polak, Szymon Makowski, kryepersonazhe e kësaj vepre qe pianistja gjermane Olga Zadon, soliste e koncertit, ashtu sikurse Kristel Karagjozi nga Shqipëria, fituese e çmimit “Pianisti i Ri 2018”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vepra tjetër që solli krejt ritme të tjera qe “Koncert për piano dhe orkestër nr.2 në b-mol” e Ludwig van Beethovenit, e cila nis me hapje triumfuese orkestrale, duke mbajtur gjallërinë deri në fund. Duart e pianistes 13-vjeçare, Karagjozi, kanë luajtur mjeshtërisht mbi taste. Kulminacioni i mbrëmjes është dhënë në fund me simfoninë e Robert Schumanit “Simfonia nr 4 në D minor”.
Me të përfunduar koncerti i Filarmonisë së Kosovës, kontrasti mes zhanreve muzikore u thellua edhe më, ngase në ish-mensën e “Ramiz Sadikut” ka performuar DJ Oda Haliti me tinguj eksperimentalë, të cilët shquhen si vulë në stilin dhe rrugën profesionale të saj si DJ, nisur para 9 vjetësh.
Dirigjenti Szymon Makowski ka thënë që ka qenë vërtet nder të bashkëpunojë për herë të parë me Filarmoninë e Kosovës, ngase i ka dhënë energji pozitive falë optimizmit enorm për punë të anëtarëve të saj. Kjo qasje e tyre ka thënë ta ketë bërë të lumtur atë si dirigjent, ngase gjithmonë emocionet pozitive që i merr nga muzikantët ua kthen fillimisht atyre, e së bashku ia përcjellin publikut. Kjo është vizita e parë e këtij dirigjenti në Kosovë dhe ka thënë se i ka lënë mbresa fluksi i njerëzve, multikulturalizmi i qytetit.
Pianistja Olga Zado, e quajtur shpesh “magjia në piano”, ka thënë se ka luajtur veprën e Bethoveenit edhe për arsyen se viti që vjen shënon 250-vjetorin e lindjes së tij.
Pianistja e re shqiptare Kristel Karagjozi, njëherësh fituese e disa çmimeve vendore dhe konkurseve ndërkombëtare, ka thënë se do të donte t’i rikthehej bashkëpunimit me Filarmoninë e Kosovës.
Para koncertit të Filarmonisë, në vazhdën e aktiviteteve të “DAM”-it kanë performuar “Klubi Muzikor 01” nga Kaçaniku, i realizuar nga programi “BRICK”, financuar nga CDF dhe implementuar nga organizata joqeveritare “Integra”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)