Kulturë

Pianistja Kravos me kryevepra e vulos talentin

E vlerësuar si njëra nga pianistet më premtuese të gjeneratës së re, Zala Kravos qysh në momentet e para të koncertit të saj në Prishtinë e ka dëshmuar këtë. Përderisa është ulur pranë pianos pas duartrokitjeve të publikut që e kanë përcjellë, koncertin e parë të natës së tretë të festivalit “DAM” e ka nisur me “Sonatën nr. 8 në a-mol, KV 130”, që është një prej veprave më në zë të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart, shkruan sot Koha Ditore.

Me një siguri të lartë e lojë të përkryer teknike, Kravos ka marrë me vete publikun në një horizont muzikor të nivelit të Mozartit sa i përket përmbajtjes e të një niveli të lartë sa i përket interpretimit. Pjesën e parë të koncertit e ka vazhduar me dy balada të Frederic Chopinit. Ka interpretuar atë “Nr.1 në g-mol, Op.23” dhe “atë “Nr.3 në As-Dur, Op.47”. Nëpërmjet tyre e ka dëshmuar veten për nivelin e lartë që ka pavarësisht moshës 16-vjeçare. Ia ka dalë që ta fitojë simpatinë e publikut duke sjellë dy prej veprave që në repertorin e Chopinit janë ndër më të njohurat.

I është kthyer pjesës së dytë të koncertit me dy vepra të tjera bashkëkohore. Kompozitorja Albena Petrovic-Vratchanska para disa muajsh ka shkruar dy vepra, të cilat ia ka kushtuar pikërisht pianistes Kravos. Janë aso vepra që kërkojnë krejt tjetër teknikë të interpretimit. Pos pianos janë përfshirë edhe tinguj të perkusioneve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)