Kulturë

“MiMiC” për shërim nëpërmjet muzikës

Prishtinë, 28 mars − Se muzika e shëron shpirtin thuhet shpesh, e për dhembjet e trupit janë ilaçet. Se nuk është gjithmonë kështu mëton të dëshmojë projekti “Meaningful Music in Health Care” (MiMiC), për të cilin violonçelisti holandez, René van Munster, ka rrëfyer të mërkurën në kuadër të aktiviteteve të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “DAM”.

Fizikani i njohur, Albert Einstein, kishte thënë se nëse nuk do të bëhej fizikan, me shumë gjasë do të bëhej muzikant, ndërsa filozofi gjerman, Friedrich Nietzche, kishte thënë se jeta pa muzikë do të ishte një gabim. Edhe për Munsterin, i cili ka master në muzikë klasike, muzika pa qëllim të zbutjes së dhembjes së tjetrit nuk do të ishte fort kënaqësi. Ai ka thënë se projekti tashmë ka rreth tre vjet jetë qëkur është implementuar në spitalin e Groningenit të Holandës, dhe falë tij kanë mësuar se si të përjetojnë çaste gëzimi e tronditjeje së bashku me pacientët nëpër dhoma dhe reparte të ndryshme të spitaleve, të cilëve ata u luajnë pjesë muzikore. Rëndom klasike, por nganjëherë ka edhe pop ose funk. Repertorin e kanë të paracaktuar, mirëpo Munster ka thënë se rastet e veçanta e bëjnë ta ndërrojë atë.

Projektin deri më tani e kanë realizuar vetëm në spitalin e Groningenit në veri të Holandës, mirëpo ai ka theksuar se dëshira e tij është që projekti të përhapet kudo nëpër botë si praktikë e re që do të ndihmojë muzikantët, mjekët dhe pacientët.

Ai ka thënë se është muzikant profesionist e jo terapist muzikor.

Para diskutimit është shfaqur edhe dokumentari “Resonans”, ku tregohet si lindi projekti dhe si u përjetua ai fillimisht.

është një projekt inovativ i vazhdueshëm kërkimor i Spitalit Universitar në Groningen (Holandë) në bashkëpunim me Conservatorin Princi Claus.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")