Kulturë

Vetëm njëri nga objektet e kompleksit “Eminxhiku”, i qasshëm për vizitorë

Muzeu Etnologjik, vendi më i rekomanduar për t’u vizituar në kryeqytet nga mediet ndërkombëtare, për më shumë se 1 vit, ka mbetur thuajse jofunksional.

Sherri i bllokimit të punës në restaurim, qysh prej dhjetorit të vitit 2017, objekti që njihet si shtëpia e familjes në kompleksin “Eminxhiku” nuk është i qasshëm për vizitorë.

I mbyllur është edhe objekti që njihet si ahur, raporton “Express” i KTV-së.

I vetmi objekt të cilin mund të vizitohet është shtëpia e mysafirëve që i takon shekullit tetëmbëdhjetë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, njëherësh ushtruese e detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës, që ka nën menaxhim edhe “Eminxhikun”, thotë se projekti restaurues do të finalizohet së shpejti.

Sipas Aliut, përveç restaurimit të objektit, do të riorganizohet edhe ekspozita e përhershme.

Gazetari i “Kohës Ditore”, Shaban Maxharraj, thotë se arsyeja e bllokimit të projektit restaurues të Muzeut Etnologjik, është keqmenaxhimi institucional.

Sipas tij, bllokimi i punëve në kompleksin “Emingjiku” ka ndikuar edhe në përgjysmimin e numrit të vizitorëve.

Për ndërhyrje në dy objekte të kompleksit, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, për këtë vit, ka ndarë 30 mijë euro.