Kulturë

“DAM” i sivjetmë përtej koncerteve e punëtorive

Prishtinë, 26 mars – I njohur tashmë si festival që mbështet ide të reja e kreative, sivjet festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” vjen me gjashtë mbrëmje koncertale e tri ligjërata. Edicioni i 14-të i festivalit, që nis sot (e martë) me performancën e Kuartetit të Parisit, do ta ketë fokusin te Gara Ballkanike e Kompozitorëve. Pak para nisjes së këtij edicioni, “DAM” ka fituar etiketën EFFE Label si festival i dalluar i arteve për cilësi. Kjo vulë u jepet festivaleve pas vlerësimit të bërë nga ekspertë ndërkombëtarë në botën e festivaleve. Për t’u kualifikuar për etiketën EFFE, një festival duhet të përmbushë së paku 7 nga 10 standarde të cilësisë.

Sipas njërit prej themeluesve të “DAM”-it dhe drejtorit artistik, Dardan Selimaj, edhe në këtë edicion artistëve u është krijuar hapësira si mundësi për të shkëmbyer pasionin, dashurinë, idetë e mendimet me vizionin e qëllimin e vetëm, për të krijuar art. Sipas programit të Festivalit, me pjesëmarrjen e mbi 100 artistëve, këtë edicion organizatorët janë fokusuar në tri programe kryesore: punëtori, koncerte dhe në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit. Finalistë të kësaj gare: janë Anda Kryeziu, Damjan Jovicin, Angel Spiroski, Nemanja Radivojeviq dhe Ylli Daklani.

“Gara paraqet shtyllën kryesore të festivalit këtë vit”, ka thënë Selimaj. Gara, konkursi për të cilën ishte hapur qysh vitin e kaluar, ka për qëllim krijimin i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")