Kulturë

Athanas Gegaj, dizertacioni për Skënderbeun

Në shekullin e XX shquhet një nga historianët më serioz të Skënderbeologjisë, Athanas Gegaj. Ai studioi në Francë dhe u doktorua në Universitetin e Lovenit në Dizhon. Doktoratura e tij flet dhe fokusohet tek Arbëria e shekullit të XV dhe tek figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Është një vepër disiplinore ku janë respektuar kriteret e perfeksionizmit të një historiani që i referohet dokumenteve dhe sintezës së analizave me anë të një metodologjie shkencore. Libri i Athanas Gegajt qe ndryshe nga shumë libra paraardhës me të njëjtin subjekt dhe mund të konsiderohet si një kuotë më e epërme, siç e ka cilësuar dhe Fan Noli “është ndofta më e mbaruara, që ka parë dritën gjer më sot si nga forma, nga lënda, edhe nga baza dokumentare”.Për Athanas Gegajn Arbëria ka qenë vendi që ka ndjerë kundërgoditjet e lëvizjeve që kanë tronditur popujt e Europës Juglindore por veçanërisht në shekullin e XV, bashkë me shtetet e tjerë ballkanikë ajo bëri qëndresë të gjatë dhe heroike, nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe kjo ka një rëndësi jo vetëm për historinë e saj por edhe për historinë Europiane. Në këtë rrafsh janë shkruar shumë vepra dhe punime por që mund të ndahen në dy kategori: nga njëra anë këto ngjarje janë evokuar nga kronikanët, veçanërisht arbërorë për të ringjallur guximin e bashkëkohësve të tyre, duke i kujtuar lavditë e stërgjyshërve, nga ana tjetër ato zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popujve të Europës në fund të Mesjetës dhe në fillim të epokës moderne, si dhe kanë rëndësi për studimin e rënies së Perandorisë Bizantine. Por, nën vështrimin e Athanas Gegajt “asnjë vepër deri tani nuk i është nënshtruar studimit kritik të këtyre ngjarjeve të para sipas pikëpamjes shqiptare. Por, qëllimi i tyre mbrojtës e shpreh vlerën historike, prandaj një shqyrtim i ri kritik është i nevojshëm”.

Historia e popullit shqiptar në shekullin e XV është një subjekt shumë i gjerë, ajo shtron pyetje të shumta dhe mjaft të ndërlikuara. Por shekulli i XV është aq i rëndësishëm saqë i vendos ngjarjet e Skënderbejadës në kuadrin e historisë Europiane aq më tepër që Arbëria në këtë shekull ishte në procesin dhe në rrugën e bashkimit nga pikëpamja politike, pra edhe të një vetëdije ftillëzuese kombëtare. Në rrafshin europian lufta e Skënderbeut është detyrimisht një ndërlidhje e pashmangshme në atë që quhet faktori europian, duke pasur parasysh raportet intensive për gati 25 vjet me Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut, Papatin, Raguzën dhe Hungarinë.

Është për t’u vënë në dukje se Disertacioni i Athanas Gegajt mbështetet mbi burimet historike të cilat ai i klasifikon si të dorës së parë dhe të dorës së dytë. Burimin kryesor (kuptohet të dorës së parë) Athanas Gegaj konsideron një vepër të hartuar në latinisht të një farë Antonio d’Antivari, ose Antibarensis (Tivarasin) që kinse e kishte hartuar sipas të dhënave të të vëllait, oficer i gardës së Skënderbeut. Këtë vepër në latinisht e përdori historiani italian Biemmi për veprën e tij kushtuar historisë së Gjergj Kastriotit që u botua për herë të parë në Brescia të Italisë në 1742 dhe pastaj në një botim tjetër të ri më 1756. Vepra e të ashtuquajturit Tivarasi siç thotë Biemmi qe gjetur vetëm në një kopje libri, në gjendje të keqe, kopje që i mungonin disa fletë. Biemmi jep titullin që gjendej në fund të veprës “Historia Scanderbegu edita per quendam Albanesem, Venetus impressa industria atque impenda Erhardi Radolt de Augusta, anno Domini 1480, die 2 mensis aprilis ducante Joanne Mocenyco inclyto Duce”. Biemmi përmend se shkrimi latin qe me shkronja gotike dhe botimi nuk qe i ndarë në libra, apo kapituj. Kjo histori fillonte me ardhjen e Skënderbeut në Krujë dhe mbaronte me rrëzimin e të njëjtit qytet nga Ballaban Pasha. Biemmi e ka shfrytëzuar gjerësisht dhe në substancë historinë e këtij Tivarasi, por ka shfrytëzuar edhe të dhënat e librit të Marin Barletit për të mbushur boshllëqet lëndore të burimit të tij, dmth., të veprës së Tivarasit. Athanas Gegaj e beson që vepra e Tivarasit është diçka e vërtetë. Prandaj shkruan: “Ajo përbën një punë të shquar për epokën, ajo na jep të dhëna të çmuara dhe të sakta për pjesën më të madhe të ngjarjeve pa e zmadhuar rëndësinë, larg apologjisë së Skënderbeut, shpesh ajo kritikon qëndrimin e tij, ajo nuk fsheh vështirësitë e brendshme të vendit dhe zbulon intrigat dhe komplotet e princërve të tij. Para së gjithash ajo na dhuron “një histori beteje”, por ajo na njeh gjithashtu me fakte shumë të rëndësishme për gjendjen e brendshme të vendit dhe zakonet e banorëve të saj”.

Për Athanas Gegajn Kronika e Tivarasit ka shërbyer dhe shërben si një kronikë me shumë vlera. Por Gegaj i njeh edhe kritikat mohuese, gjersa nuk harron të shkruaj: “Ka pasur hipoteza të ndryshme për të goditur autorin e Historisë së Tivarasit, por të gjitha këto duken të paqëndrueshme. Ajo që mund të pohojmë është që ai qe me origjinë nga Tivari dhe mesa duket ishte klerik. Faullmerajer e njeh autorin, por nuk e ka parë veprën e tij, ai ka dashur ta identifikojë me Pal Engjëllin, kryepeshkopin e Durrësit, por asgjë nuk e provon këtë njehsim, përkundrazi kjo duhet hedhur poshtë, sepse Pal Engjëlli kish vdekur më 1469, kurse vepra daton më 1480”. Pra Athanas Gegaj, kësisoj, nuk ka dyshime dhe beson plotësisht kompilimin historik të Biemmit të bazuar në një kronikë, të ashtuquajtur autentike, por që për shumë dijetare modernë nuk është gjë tjetër veçse një vepër apokrite që nuk ka ekzistuar kurrë. Burimi i dytë kryesor për Athanas Gegajn është vepra e Marin Barletit. Barleti është një historian humanist Rilindas, që shkruan për të ndezur ndjenjën kombëtare të bashkatdhetarëve të vet. Për të Skënderbeu është një Hero Kombëtar që duhet krahasuar me heronjtë e lashtësisë, Aleksandrin e Madh, ose Pirron, jeta e Skënderbeut ka qenë një dramë e vërtetë dhe si rrjedhojë detyra kryesore e historianit duhet të konsistojë që t’i bëjë të ringjallen episodet. Por për Athanas Gegajn “pohimet e Barletit nuk janë të gjitha të sajuara, madje duket që ai ka pasur në dispozicion dokumenta të shumta që i kanë shërbyer për shumë pjesë të veprës, njoftime me vlerë dhe shumë të sakta, por mënyra si e ka kuptuar detyrën e tij e ka çuar ta bëjë atë në një formë pak kritike”.Kurse burimi i tretë është ai i Gjon Muzakës, bashkëkohës dhe shok armësh i Skënderbeut. Gjoni iku në Itali, ku më 1510 harton një kronikë mbi familjen e tij dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës.

Ndonëse kronika e Gjon Muzakës ka dhe pjesë që nuk kanë interes të historisë shkencore siç është një histori mitologjike mbi origjinat e Stemave të Engjëllorëve, apo një gjenealogji e trilluar të familjes së Muzakajve, prapëseprapë kronika e tij përbën një dokument shumë të çmuar për Historinë e Arbërisë së shekullit të XV. Muzaka ka rrëfime të ngjashme me ato të Barletit për rininë e Skënderbeut, qëndrimin e tij në oborrin e Sulltanit, kthimin në Arbëri, kthimin në katolik dhe përpjekjet për formimin e Lidhjes së Lezhës. Por në pjesë të tjera Muzaka është krejt i ndryshëm nga Barleti. Mund të supozohet që Muzaka e ka njohur kronikën e Barletit dhe ndoshta ka kopjuar ose përsëritur pjesën që flet për Skënderbeun në rininë e tij. Por në fakt Gjon Muzaka nuk i kushton ndonjë vend të madh Skënderbeut dhe për më tepër duket qartë se ai nuk e simpatizon atë. Ja njeh vlerat ushtarake Skënderbeut, por nuk ngurron të thotë edhe pakënaqësitë, që Skënderbeu u rrëmbente tokat dhe pronat feudalëve të tjerë arbërorë, për arsye të qendërzimit të pushtetit të vet.Përsa i përket kronikanëve të dorës së dytë Athanas Gegaj përmend disa botime të vitit 1539 dhe 1545 të mbështetura “në dorëshkrimin latin të Abatit Demetrio Franco, thesarmbajtës të heroit Skënderbe, por këto vepra sipas Gegajt nuk kanë rëndësi të madhe sepse janë të varura nga Barleti”. Ndërkohë Athanas Gegaj përmend burimet bizantine, kronikanët turq si dhe burime të tjera arkivore.

Libri i Athanas Gegajt ka rëndësi edhe për sot nga pikëpamje e vështrimit të përgjithshëm, paraprijës dhe përshkrues për situatën e brendshme të Arbërisë në mesjetë. Kjo gjë nis që me kohën e copëtimit të Perandorisë Romake, ku vendet e quajtura më vonë Ballkanike u bashkuan me Perandorinë e Lindjes, gjë që ka përcaktuar fatin e tyre për shumë shekuj. Në shekullin e VII dobësimi i Bizantit stimuloi dyndje të madhe. Sllavët pushtues përqafuan qytetërimin e popujve që pushtuan, përqafuan fenë e krishterë. Por ky pushtim zhduku si të thuash racën ilire në pjesën më të madhe të gadishullit, një pjesë e madhe e banorëve të vjetër humbën gjuhën dhe traditat e tyre . Të vetmit në gjithë gadishullin, arbërorët, pasardhës të ilirëve mbetën mbijetues duke ruajtur individualitetin e tyre. Hapësirat e banuara nga arbërorët në mesjetë janë quajtur si Arbania, Arbanon, Rabon, Albania, Albanum si dhe Albanon. Termi “Arvania” del që në mijëvjeçarin e fundit të shekullit të VII. Në shekullin e X takojmë emrin “Arbanon” që bizantinët quanin territoret e vendosur ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit. Shekuj më vonë në kohën e Karl Topisë (1358-1388), të quajtur si “Dominus totius Albaniae (“zotëri i tërë Arbërisë”), Arbanoni i bizantinëve vendoset në jug të Arbërisë. Në mesjetë në shumë dokumente përmenden të dy emrat Arbania si dhe Albania. Në letrat e Papëve përmenden “Arbanensis Princeps” si dhe “Judex Albanorum” dhe në këto emra dallohen kryesisht feudalët e Arbërisë Qendrore. Deri në shekullin e XVI Gjon Buzuku e quan këtë tokë “Arbëri”.Gjatë mesjetës tokat e Arbërisë nga pikëpamja fetare i takonin Kishës së Perëndimit, por pas pushtimit sllav u bë e fortë tendenca e lidhjes me Kishën e Lindjes të Perandorisë së Bizantit. Megjithatë arbërorët i ruajtën lidhjet me kishën e Perëndimit dhe shpesh kronistët bizantinë e quanin Arbërinë si “Latinia”. Familjet e mëdha arbërore që luajtën rol në historinë mesjetare janë disa që meritojnë të përmenden. Në shekullin e XII Princi Progoni qeverisi në Arbërinë Qendrore jashtë ndikimit serb. Gjatë sundimit të tij ai u shkëput nga pushteti Bizantin. Të njëjtën gjë bëri dhe i vëllai Gjini dhe më pas Dhimitri.Familja e madhe e Topiajve përfshinë dy degë: atë të veriut që mban emrin Topiaj dhe atë të jugut të quajtur Araniti-Komnena. Sundimi i Topiajve shtrihet nga Durrësi deri në Artë, zotëron qytetin e Krujës deri në Ohr. Topiajt patën lidhje martesore me shtëpinë mbretërore të anzhuinëve të Napolit. Më i njohuri i kësaj familje Tanush Topiaj njihej nga Papa me titullin “Konti Imatias, titull ky i konfirmuar dhe nga mbreti Robert në 1838. Andrea Topiaj i biri i Tanushit u martua me vajzën jo të ligjshme të mbretit Robert të Napolit me gjithë kundërshtimin e tij që ia kish caktuar vajzën një Princi të Poleponezit. Andrea pati dy djem: Karli dhe Gjergji. Karl Topiaj më 1358 zotëronte Krujën dhe në 1363 mori pushtetin edhe në qytetin e Durrësit. Topiaj u bë një zot i fuqishëm, fortifikoi Krujën dhe Kalanë e Petrelës dhe pranë Elbasanit ndërtoi një Manastir ku vendosi reliket e shenjtorit Gjon Vladimirit si dhe u varros vetë në këtë manastir. Nga dy letra të Papës Grigori i XII del se Karl Topiaj ishte katolik. Ai vdes më 1388 duke lënë si pasardhës të birin Gjergjin, i cili vdiq më 1392 dhe Durrësi ra në duart e Venedikut.

Athanas Gegaj në rrafshin e sinopseve lakonike shkruan dhe për familjet e tjera të mëdha siç janë Balshajt, Dukagjinët, familja e Koja Zakarisë, familja Jonimëve, e Muzakajve, e Spatajve, por dhe për familjet arbërore më në jug në Janinë dhe në Artë, siç ishte familja e Zenebishtëve apo familja e Gropajve me qendër në qytetin e Ohrit. Gegaj ndalet edhe familja e Kastriotëve për të përshkruar disi më gjerë origjinën dhe rolin e kësaj familje në histori. Për Athanas Gegajn Kastriotët ishin një racë e pastër arbërore, sepse “kemi dëshminë e qartë të vetë Skënderbeut”. Emri i tyre më i vjetër është Mazreku, i panjohur nga kronikanët e kohës, më pas u zëvendësua nga mbiemri Kastrioti. Për Gegajn familja e Kastriotëve mbiemrin e parë e ka marrë nga fshati Mazreku që ndodhet midis Shkodrës dhe Drivastit, në bregun e djathtë të Drinit, kurse mbiemri Kastrioti që mbijetuar në histori lidhet padyshim me lokalitetin e Kastrit në Mirditë që ndodhet midis fshatrave të Dibrës, Minellës, Kashnjetit dhe Vigut. Kastriotët kanë zotëruar një pjesë të madhe të territoreve në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës dhe deri në Prizeren. Në perëndim takoheshin me pronat e Dukagjinasve që përfshinin fushën e Zadrimës dhe lokalitetin e Fandit. Por nuk mund të përcaktohen me saktësi kufijtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve. Në kohën e fuqizimit të shtetit të Balshajve Dukagjinasit dhe Kastriotët u shpronësuan nga pasuritë e tyre, por mbas rrëzimit të Balshajve, Kastriotët i fituan sërish pronat.

Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriotit njihet si “Zot i Matit”. Ai zotëronte prona në rrethinat e Shkodrës dhe të Lezhës. Por qyteti i famshëm i Krujës nuk bënte pjesë në pronat e tij. Gjon Muzaka pohon se Kastriotët zotëronin Matin, por nuk pranon që qenë dhe zotër të dy Dibrave. Gjoni kish disa kështjella si Petrelën, Stelushin dhe Zvedigradin në Dibrën e Sipërme. Gjon Kastrioti qe i lidhur me Republikën e Venedikut, në 1413 atij iu dha titulli ” i Qytetarit të Nderit”. Për të shpëtuar jetën dhe pasuritë e tij nga sulmet turke në 1417 Gjoni shpallet Vasal i Venedikut. Më pas Gjon Kastrioti i sprapsur nga forcat turke i dërgon djemtë e tij si peng në Adrianopojë. E njeh autoritetin e Sulltanit dhe e quan “miosignor”. Megjithëse i ka humbur shumicën e pronave Gjoni është akoma zot i një pjese të territorit të dikurshëm. Nga fundi i jetës Gjoni afrohet me Republikën e Raguzës. Vdiq më 1443. Pronat e tij u morën nga turqit dhe në Krujë u vendos Hasan Beu, ishte djali i Ajdin Beut dhe Elena Muzakës.

Për Athanas Gegajn gruaja e tij Vojsava qe “nga një familje me origjinë shqiptare”.

Ata lindën 4 djem, Reposhin, Stanishën, Konstandinin dhe Gjergjin dhe pesë vajza të cilat u martuan të gjitha me zotër arbërorë, Marina me Stefanin Princin e Malit të Zi, Vllaica me Gjin Muzakën, Angjelina me Vlash Aranitin, vëllain e Gjergj Aranitit, Angjela ose (Jella) me Pal Balshën, dhe Mamica me Muzak Topinë. Gjergj Kastrioti ka lindur rreth viteve 1404-1405. Në 1410 gjatë pushtimeve të Muratit të II, Gjoni ka lënë peng njërin prej djemve të tij, ndoshta Reposhin. Gjoni midis viteve 1421-1422, në emër të djemve i dhuroi Manastirit të Hilandarit në Athos dy fshatra. Athanas Gegaj e analizon kështu këtë fakt: “Ky veprim ka shtuar kureshtjen e historianëve, nëse Gjoni ishte katolik, ndërsa djemtë ishin kthyer në mysliman, pse babai i tyre i dhuronte këto fshatra një manastiri Ortodoks. Si mund të shpjegohet kjo? Së pari, bëhet fjalë për një akt të kryer para dhënies peng të djemve të Gjon Kastriotit. Pastaj, në qoftë se dihet me siguri që Reposhi dhe Gjergji janë kthyer në mysliman mund të dyshohet për të tjerët. Duke pasur parasysh fanatizmin e fesë në atë kohë, besohej se kthimi i tyre në fenë islame ka qenë i detyruar, sipas pikëpamjes së tyre, ai ishte një veprim oportunist, që i jepte Sulltanit siguri për besnikërinë e tyre. Përsa i përket dhuratës që iu bë Manastirit ortodoks bëhet fjalë në fakt për këmbim pronash midis Gjonit dhe murgjve. Por dhe mund të supozohet se ai ia ka bërë murgjve këtë dhuratë, për të cilën nuk është për t’u çuditur shumë sepse kishte ortodoks midis njerëzve të tij”.

Historinë e rinisë së Skënderbeut Athanas Gegaj e përshkruan sipas traditës, që ai ka shkuar si peng, arriti të bëhej i preferuari i Sulltanit, ka hyrë në trupën e Jeniçerëve dhe ka marrë pjesë në disa beteja në Azinë e Vogël. Që kur u kthye turk atë e quajtën Iskender dhe meqë ishte me origjinë të lartë i shtuan titullin bej ose beg dhe prej këtej vjen emri Skënderbej ose Skënderbeg. Pas vdekjes së Gjonit më 1443 Sulltani vendos guvernator të Krujës Hasan Beun dhe u dha urdhër atij të pushtoheshin të gjitha fortesat e Kastriotëve që u morën pa rezistencë. Nëna e Skënderbeut me vajzën e vogël Mamicën u fshehën në një vend të panjohur të Matit. Atje Vojsava vdiq para kthimit të të birit. Në 1443 në betejën e Kunovicës pranë Nishit ushtrinë turke e drejtonin Karabegu, Pashai i Rumelisë por dhe Skënderbeu. Skënderbeu i la pozicionet e tij dhe mbas shpartallimit të turqve, së bashku me të nipin dhe me 300 kalorës, mbasi i morën dhe Kancelarit të Sulltanit Urdhrin e falsifikuar që e emëronte zot të Krujës u kthye në Krujë. Sapo u kthye botërisht Skënderbeu e quajti veten të krishterë, pastaj mori fortesën e Petrelës dhe të Spellushit dhe pak më vonë të Stefigradit. Ky moment historik është quajtur në mënyrë dyfishtë si “Çlirimi i Skënderbeut dhe çlirimi i Arbërisë”. Pikërisht tani fillon epoka e madhe dhe e pashembullt Skënderbejane.

***

Ka përherë një lloj hapësire paraprijëse të çdo ngjarjeje të madhe historike, ku elementët përmbajtjesor shfaqen, duke bërë paralajmërimin e asaj që do të ndodh më pas.

Dy familjet e mëdha Aranitët dhe Kastriotët i kanë pasur lidhjet shumë më të hershme. Ka gjasa që Gjergj Araniti edhe Gjon Kastrioti edhe më pas Gjergji ishin njohur në rrethanat kur sundimi otoman përdorte institucionin e pengut, si një garanci besnikërie. Kështu Gjergj Araniti dihet se ka qenë në oborrin e sulltanit për ca kohë. Rreth viti 1427 u largua dhe erdhi në Arbëri. Në 1432 Andrea Topia bëri një sulm duke i shkaktuar humbje të mëdha turqve. Është pikërisht Andrea Topia ai, të cilit i takon merita e parë e shkatërrimit të një ushtrie turke. Sipas Gegajt Topiajt patën dhe një degë të familjes në jug, të vetëquajtur Aranit. Në të vërtet familja Aranitase është shumë e vjetër. Ajo përmendet që në kohën e Perandorit të Bizantit Bazilit II, kur një stratek i shquar David Araniti spikati në një betejë në perandorinë bullgare në 1016. Në shekullin XIII familja e Aranitëve u lidhën në një martesë me komnerët dhe kështu familja mbiquhej Aranit Komneni. Por vetëm në shekullin XIV mund të përcaktohet më me siguri historia e kësaj familjeje. Në shekullin XV Gjergj Araniti u bë i famshëm për fitoret e tij kundër turqve. Mbas revoltës të vitit 1432 menjëherë sulltan Murati i II dërgoi kundër Arbërisë një ushtri të fuqishme të komanduar nga Ali Beu. Prijësit Arbëror, u organizuan edhe nën komandën e Gjergj Aranitit, e pritën këtë sulm me vendosmëri dhe shkatërruan trupat turke ne 1433 në malet e thepisura të Kurveleshit. Disfata turke qe kaq e madhe sa lajmi i fitores së Gjergj Aranitit u përhap në europë dhe u përshëndet me entuziazëm të madh. Një vit më pas një tjetër ushtri turke erdhi në Arbëri, por dhe ajo u shkatërrua. Një ushtri e tretë, e drejtuar nga Isak Beu i Shkupit u kthye gjithashtu nga kryengritësit Arbëror. Këto tri fitore e shtuan hovin e revoltës. Në kështjellën e Gjirokastrës ndodhej një garnizon turk, një luftëtar i familjes Zenerdisi i sulmoi por fati i tij qe tragjik, udhëheqësi i kryengritjes, u kap u burgos dhe u vra. Pas kësaj disfate në muret e Gjirokastrës, Gjergj Araniti e vijoi rezistencën e tij në male.

Sulltani qe i detyruar që të njihte një farë autonomie për zotrit Arbëror, gjithmonë duke kërkuar garanci për besnikërinë bënte që të çoheshin djemtë e tyre si peng në oborrin e tij.

Disfata që pësuan Turqit në Nish nga forcat e Huniatit në 1443 u dha shpresa të reja Arbërve. Pikërisht në këtë laktë kohor Skënderbeu u kthye dhe mori pushtetin në Principatën e familjes së tij. Ndërkohë duhet thënë se Gjergj Araniti i sulmoi përsëri turqit rreth viteve 1443-1444.

Fama e Gjergj Aranitit u bë e njohur në Europë dhe kjo njohje bëri që ky zot i fuqishëm Arbëror të kishte raporte miqësore me Mbretin Alfons të Napolit, Republika e Raguzës dhe Papatit. Papa Eugjeni i IV i dërgoi mesazhe lavdërimi duke nxitur të rezistonte, në një kohë që ushtria Hungareze po kalonte Danubin dhe flota e Papës po mbërrinte në Galipoli. Lidhjet e Gjergj Aranitit me Gjergj Kastriotit bëhen më të forta pikërisht në këto momente. Araniti u lidh dhe u bashkua me Skëndërbeun në kuptimin e një aleance, por në çdo rast ai e ruante pavarësinë e vet. Në këto lidhje midis të dy krerëve të fuqishëm pati dhe ndryshime Araniti qe shumë i afruar më Republikën e Venedikut, kurse Skënderbeu duke e ndjerë e kuptuar qëndrimin aspak miqësor dhe të papranueshëm të Venedikut u lidh me Mbretin Alfons të Napolit, me të cilin bëri Traktatit të Gaetas 1451. Fill mbas kësaj Skënderbeu në funksion të një aleance më të konsoliduar i kërkoi Gjergj Aranitit dorën e së bijës Donikës. Interesante është intensiteti i ngjarjeve. Edhe Gjergj Aranititi, mbas Skënderbeut dërgon një ambasador, Filip Pantelo de Plezans, për të nënshkruar në 7 qershor 1451 një traktat me Mbretin Alfons. Me ndërmjetësin e ambasadorit Gjergj Araniti shpallet vasal i Mbretit të Napolit do ti bindej atij “Si në luftë ashtu dhe në paqe”. Traktati parashikonte që, kur Araniti të bëhej zot i qytetit të Beratit dhe i tokave të Myzeqesë që shtriheshin deri në lumin e Devollit, tërë kjo hapësirë do të konsiderohej si pronë e ligjshme e Mbretit Alfons nëse ndodhte një gjë e tillë Mbreti Alfons do të emëronte një Gurvenator në Berat dhe do të vendoste aty një garnizon siç kishte bërë dhe në Krujë. Njohja e vasalitetit nga Araniti ndaj Mbretërisë së Napolit tregon se, sipas Gegajt, që Arianiti mbetet zot jo i ligjshëm i Vlorës dhe i Kaninës. Nëse Skënderbeu bën traktatin me Alfonsin e Napolit në emrin e tij por edhe të një konfederate sado të vogël, Araniti përfaqësohet vetëm në emrin e tij. Athanas Gegaj vëren se “as Traktati midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit, as ai midis Aranitit dhe të njëjtit mbret nuk u analizua ndonjëherë, për rrjedhojë rëndësia e tyre juridike mbetet gjithmonë e diskutueshme”.

që mbas këtyre dy Traktate Mbretëria e Napolit të organizonte dhe të realizonte një ekspeditë ushtarake kundër turqve në hapësirat e Arbërisë. Një element të kësaj ekspedite të Aragonasve së bashku me arbërorët qe rrethimi i Beratit 1456 kur trupat rrethuese patën furnizime me ushtarë dhe armatime nga Mbretëria e Napolit. Por disfata e tmerrshme e Beratit bëri që Gjergj Araniti të humbas shpresat dhe të ftohet me politikën e Napolit. Ahere Gjergj Araniti rikthehet sërish tek Republika e Venedikut, për t’ju bindur urdhrave të Senatit Venedikut që do të japi atij 300 dukate ari të ardhura vjetore dhe emëron Kapiten Venedikut në Arbëri për territorin midis Shkodrës dhe Durrësit. Këto lidhje dhe detyrime u materializuan në formën e një traktati të Aranitit me Venedikut dhe Gegajt shton “Kjo politikë e shkëputi Aranitin nga Lidhja e Lezhës dhe nga politika e Skënderbeut”. Megjithëse fuqia e tij ishte zvogëluar, prestigji i tij ishte ende i madh dhe është e padiskutueshme, që duke bërë një marrëveshje me të Republika e Venedikut fiton pavarësi mbi politikën e Alfonsit te Napolit. Qe nga ky çast Araniti nuk del më në historinë Arbërore.

Në 1470 Gjergj Araniti vdiq mesa duket në Durrës, ndonëse Gegaj thotë “thotë nuk i dihet vendi ku dha frymën e fundit”.

***

Athanas Gegaj analizon me kujdes ngjarjen që u quajt Lidhja e Lezhës. Nënvizon se “Ky projekt koalicioni shënon mendje mprehtësinë e Skënderbeut, që ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun turk”. Tubimi i krerëve kryesor Arbëror u bë në Marsin e vitit 1444 në Katedralen e Shën Nikolles në Lezhë. Në të morën pjesë Dukagjinasit, Muzakajt, Topiajt, Spanët, Balshajt, Dushmanët, Gjergj Araniti dhe Lek Zaharia dhe princat e Malit të Zi. Në përfundim Gjergj Kastriot Skënderbeu u zgjodh udhëheqës i Lidhjes së Lezhës dhe Kapiten i Përgjithshëm i ushtrisë, krerët Arbëror në këtë marrveshje të përbashkët premtuan t’i jepnin Skënderbeut ushtarët që do ti duheshin dhe do ta mbështesnin atë financiarisht. Ndihma prej 200 mijë dukat ari si dhe i pjesë e të ardhurave nga kripa në Durrës do të bënte të mundur që të përballoheshin shpenzimet e luftës. Mbas kësaj ngjarjeje erdhi lajmi se Moisi Golem Dibra kishte marr kështjellën Svetigratit, duke e çliruar nga duart e turqve. Tashme Skënderbeut i duhej të merrej me organizimin e një ushtrie të fortë dhe shumë të disiplinuar. Athanas Gegaj duke iu referuar dokumenteve shprehej se kjo ushtri feudale, pjesa më e madhe e së cilës përbë hej nga njerëzit e Skënderbeut numëronte 12 deri në 15 mijë burra, gjysma e të cilëve ishin kalorës, “Por Skënderbeu kishte një ushtri të përhershme, për të cilën flet indirekte Barleti që e quan me emrin Karakteristikë “Pretorja Cohors”, padyshim kjo ishte garda personale e tij, që përbëhej nga burra më të shquar dhe arrinte dy deri në tre mijë kalorës. Kjo “Pretorja Cohors” ka luajtur një rol mbisundues në të gjitha fitoret e heroit Arbëror. Një ushtri tjetër deri në pesë mijë burra udhëhiqej nga Moisi Golem Dibra që ruante kufijtë e vendit dhe ky ishte një udhëheqës ushtarak, që krahasohej nga trimëria e vet Skënderbeut”.

***

Athanas Gega bën një portret të Alfonsit të pestë të Aragonit që ishte bërë Mbret i Napolit, si një nga njerëzit më të shkëlqyer të rilindjes në Itali. Ky mbret pati synime politike të guximshme. Ai qe një sovran i shekullit XV që diti ta kuptoj rrezikun turk dhe shfaqi ambicie të mëdha për organizimin e popujve në gadishullin ballkanik kundër ofensivës së tmerrshme turke. Ai synonte të krijonte një Politik Orientale. Ai donte të restauronte Perandorinë e Lindjes, duke synuar në fillim një bazë paraprake në gadishullin Ballkanik përtej Adriatikut. Mbreti Alfons u ndodh përpara gatishmërisë të Gjergj Kastriotit i cili me intuitën e madhe dhe vizionin politikë e mendoi Mbretërinë e Napolit si qendrën e aleancës kryesore në Itali. Në fillimin e muajit Mars në 1451 qe Skënderbeu që dërgoi i pari dy përfaqësues të tij në oborrin e Alfonsit, Stefani peshkop i Krujës dhe Demonikani Nikolla de Berguci. Këta ambasadorë të Skënderbeut kishin një mision special për Mbretin Alfons i V. Traktati u lidh dhe u nënshkrua në 26 Mars 1451. Ambasadorët e Skënderbeut përfaqësoheshin në statusin e tyre “në emrin e Gjergj Kastriotit dhe njerëzit e tij, baronët të Arbërisë” këta premtonin se do t’ia jepnin qytetin e Krujës dhe Kalanë e saj të dërguarit të mbretit Alfons i V, nëse “Mbreti i Napolit do të dërgonte ushtarë për të mbështetur dhe mbrojtur vendin”. Nga ana tjetër Skënderbeu si udhëheqës i koalicionit të krerëve Arbërore premtonte se do te vinte vet në vendin që do të caktonte Mbreti Alfons i V për të bërë betimin dhe homazhin për besnikërinë dhe vasalitetin, “por vetëm pasi të çliroheshin nga turqit me ndihmën e Alfonsit të V”. Në traktat, kjo është një nga pikat më të rëndësishme në kuptimin juridik, Mbreti Alfonsi i V-të detyrohej “Të respektonte privilegjet e qytetit të Krujës… Gjithashtu duhej të lejonte të kishin pushtet zotrit që do ti nënshtroheshin dhe do të vërtetonte privilegjet e tyre”.

Për Gegajn”Analiza e thjeshtë e këtij Traktati na zbulon që në kohën e bisedimeve të dy palët nuk ishin njëlloj. Në fakt, nga njëra anë rrethimi i fundit i Krujës e kishte zhytur Skënderbeun në një hidhërim të madh. Nga ana tjetër Mbreti Aragonas ishte në kulmin e fuqisë së tij. Para këtij traktati, në 5 shkurt 1451 , ai kishte nënshkruar një traktat të njëjtë me Demetrios Paleologun, Dhespot Temores kështu pakti me Skënderbeun ishte hallka e një vazhdimësie traktatesh qe do të siguronin aleanca të fuqishme, atij për të sulmuar pellgun lindor të Mesdheut. Për të sulmuar turqit këtej e tutje ai mund të zgjidhte si baze për sulmet e tij Arbërinë, apo Morenë. Çdo gjë të bën të besosh, që ai ëndërronte për Arbërinë, udhëheqësi i së cilës Skënderbeu i kishte mundur turqit dhe i bashkuar forcat e shpërndara”.

Në qershor 1451 Alfonsi i V-të dërgoi në Arbëri njeriun e tij, si një Oficer të Oficarit të quajtur Bernard Vaskeri të emëruar si komisar të posaçëm, së bashku me një trup të vogël prej 100 luftëtarësh. Ky m\komisar i Alfonsit të V pasi të paraqiste kredencialet Skënderbeut do të merrte në kontrollin e tij kështjellën dhe qytetin e Krujës. Historiani rumun Marinesko thotë se mbas muajit qershor 1451 Kruja, deri ahere qe e lidhur me Skënderbeut nuk do ti përkiste më luftëtarit Arbëror. Prej disa vitesh një garnizon Napolitan do ruante Krujën, ndërsa Gjergj Kastrioti larg kryeqytetit të tij që e bëri atë të famshëm.

Në 1452 kalorësi katalanas Ramon Ortafa i dërguar nga Alfonsi i V, u bë gurvenatori i Krujës. Në 1457, gjashtë vjet mbas Traktati të Gaetas Mbreti Alfonsi i V konfirmoj siç kishte premtuar privilegjet e “universitas oppidi croaun” në këtë diplomë nuk flitet për Skënderbeu. Diploma i drejtohet bashkësisë së Krujës që përbëhej nga peshkopi, klerikët, gjykata dhe njerëzit e lirë. Qyteti i Krujës i gëzonte këto privilegje jo vetëm brenda por dhe jashtë mureve të tij. Këto privilegje respektonin një traditë të mëparshëm, shekullore. Këto privilegje të qytetit të Krujës, të konfirmuar tashme nga Mbreti Alfonsi i V ishin lejuar që në kohën e Andronikut të dytë dhe Stefanit të Serbisë. Veç të tjerave qytetarët e Krujës nuk duhej të paguanin taksën e kripës.

Në vitin 1454 gurvenatori i Krujës Ramon Ortafa u autorizua të bëj në këtë qytet monedha prej argjendi. Pikëpamjet e Mbretit Alfonsi i V, siç thotë Gegajt “i kaluan klauzolat e Traktatit te Gaetas. Por thjeshtë ato u braktisën . Kjo ndodhi në 1455 kur ushtria Arbërore që u përforcua nga një kontingjent i mirë napolitan u mund dhe pjesa më e madhe e saj u asgjësua”. Gegajt mendon se pas rënies së Konstandinopojës në 1453 u zbehën dhe ambiciet e mëdha të Alfonsit të V për projektet e tij dhe Politikën e Orientit. Gegajt i jep rëndësi faktit se Mbreti Alfons i V bëri traktat jo vetëm me Gjergj Aranitin por edhe me zotër të tjerë Arbëror, në 1454 bëri bisedime me Gjin Zenebishin, zotit të Gjirokastrës. Një nga djemtë e Gjin Zenebishit që ai e kishte dërguar ne oborrin e Sulltanit u arratis dhe i ati e dërgoi në Napoli, kur në gusht 1454 u pagëzua nga Alfonsi i V që i dha emrin e tij. Gjithashtu edhe në bregun e Epirit një familje vasale e Alfonsit të V qe familja Toko (Tocco). Në 1456 Pjetër Spani largohet nga politika pro republikës së Venedikut dhe radhitet në krahun e bujarëve Arbëror të Alfonsit të V. Rivaliteti midis politikave te Venedikut dhe Napolit plot kontradikta dhe pabesira intriga u bë shkak për të nxitur shpesh ndarje të thella tek feudalët Arbëror. Në këto kushte konkludon Athanas Gegajt, “të habit qëndresa Skënderbeut qe pati një karrierë të lavdishme që i detyroj trimërisë dhe gjenisë ushtarake që me të drejtë radhisin atë midis gjeneralëve më të mëdhenj të historisë”.

Kapitulli i VI i veprës studimore të Athanas Gegajt quhet “Lufta e Arbërisë kundër sulltan Mehmetit të II, 1451-1461” argumentet dhe dendësia e fakteve shfrytëzimi i burimeve historike të besueshme e bëjnë këtë kapitull një dëshmi substanciale të rezistencës të jashtëzakonshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij. Pikërisht kjo ka të bëjë me thelbin e historisë se brendshme te vet Arbërisë dhe të Skënderbeut për të përballuar sulmet nga më të mëdha qe vinin nga perandoria osmane e lindjes. Vërtet ekzistonin ndihmat e Mbretërisë së Napolit por ato ishin krejt të pamjaftueshme dhe ishin pjesore, për arsye se tërë gravitacioni i mbrojtjes, i fuqisë ushtarake dhe i goditjes së Skënderbeut lidhej me njerëzit e tij që udhëhiqte me strategjitë dhe taktikat e tij të shkëlqyera.Në 27 qershor 1456 vdiq në Napoli aleati më besnik i Skënderbeut Alfonsi i V. Me vdekjen e tij zhduket një nga njerëzit më të shkëlqyer të Rilindjes por dhe ideatori vizionar për krijimin e një dige për të ndalur ujërat e vërshimit otoman. Në të njëjtin vit vdiq edhe konturani, një ushtarak i madh Arbëror, mik dhe këshilltar i ngushtë i Skënderbeut dhe mbrojtësi i Krujës gjatë rrethimeve të mëdha. Skënderbeu i dërgoi misin Mbretit Ferdinand, për ti shprehur ngushëllimet për vdekjen e të atit dhe për ta uruar për ardhjen e tij në fuqi. Shumë shpejt Mbreti Ferdinand u ndesh me kundërshtimin e baronëve azhuinë, që duke përfituar nga një situate anarkie dhe fuqie kërkonin ti rrëmbenin dhe ti merrnin fronin.

Papa Kalisi i III e kishte emëruar Skënderbeun si “Kapiten të Selisë së Shenjtë”, Skënderbeu nisi një mision në Romë për ta njoftuar Papën se për të ndihmuar Mbretin Ferdinad të Napolit duhej paraprakisht të bënte paqe me turqit ose për një armëpushim prej tre vjetësh. Në fakt ky i ashtuquajtur armëpushim qe filloi në 1461 zgjati vetëm gjashtë muaj.Kapitulli i VII i veprës së Athanas Gegajt “Skënderbeu dhe sundimi i Arangonasit në Napoli, 1458-1464” flet për ekspeditën e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Itali. Mbas vdekjes së Alfonsit të V i biri i tij Ferdinandi u ndesh në disa vështirësi të mëdha për tju njohur trashëgimia. Sapo u shpall mbret nisi një kryengritje e madhe drejtuar nga Rene Anzhuini, konkurrent i Ferdinandit dhe metonjës i fronit të Napolit. Këtë e përkrahte Karli i VII mbret i Francës. I biri i Renës, duka Jovani di Kalabria në një flotë prej 24 anijesh që i afrohej Karli i VII ankoroj në det para Napolit duke bërë një presion të madh me qëllim për të nxitur revoltën brenda Napolit. Pastaj u drejtua ne Volturno ku zbarkoi në tokë dhe shpalli sinjalin e kryengritjes me të cilën u bashkuan shumë senjor, feudal të mëdhenj, përkrahës së shtëpisë së anzhuinëve. Kaq e euforishme qe revolta dhe kundërshtimi sa çeshtja e mbretërimit te familjes së Aragonasit të Napolit. Në të vërtet kjo luftë që bëhej për të trashëguar fronit mund të stimulonte trazira të ngjashme dhe shumë reaksione në shtete të tjera të Italisë. Si Azhuinët ashtu dhe Aragonasit kishin përkrahës por dhe kundërshtar. Duka i Milanos Francesco Sforzza, aleat i Alfonsit të V e përkrahu Ferdinandin , më pas edhe Papa u bashkua në këtë përkrahje. Venediku dhe Tirenca mbajtën një qëndrim neutral kurse një prijës i famshëm si Giacomo Picinico, u bashkua me kryengritësit madje u bë kundërshtari me i rrezikshëm. Në 1460 u bën luftimet e para midis forcave kundërshtare. Ushtria e Ferdinandit që qe përforcuar nga trupat lombardezët të drejtuara nga Aleksander Sforzza vëllai i Dukës se Milanos dhe trupat ushtarake të Papës të komanduar nga Simonetto pësoi disa disfata. Në 7 qershor 1460 në Sorrento një pjesë e madhe e ushtrisë së Ferdinandit u zu rob nga armiku nga ai mezi mundi të shpëtoj. Ai ishte gati i braktisur nga senjor dhe nga qytetet e Campanias. Betejat u bën dhe në muajin korrik dhe shtator. Por në pranverën e vitit 1461 azhurinët pësuan humbje ne Gjenova, Mbreti Rene që drejtonte vet luftën u mund. Pavarësisht kësaj humbjeje familja Anzhu i ruajtën avantazhet që kishin. Këta mund të sulmonin përsëri pozitat e Ferdinandit të Napolit. Në këtë moment të paqartë dhe të mjegullt për fatin luftës Gjergj Kastriot ndërhyri në Itali. Në shtator 1460 Skënderbeu i dërgoi kontingjentin e parë të njerëzve të tij Mbretit të Napolit, në qershor 1461 Skënderbeu me anë të një ambasadori njoftonte se do vinte personalisht për ndihmë në Itali me 100 kalorës dhe 2000 këmbësor. Në gusht 1461 Skënderbeu me njerëzit e tij u nis me anije nga Ragusa dhe në 24 gusht trupat e para të ekspeditës u zbritën në tokën Italiane. Në 25 gusht 1461 vet Skënderbeu arriti në qytetin e Barletës ku Mbreti Ferdinand ishte i rrethuar. Skënderbeu e detyroi Giacomo Picinico-n të tërhiqej. Vete Ferdinandi qëndroi në Barleta deri në 5 shtator, pastaj u nis në Shën Bartalemeo për tu bashkuar dhe trupat e Aleksandër Sforzzes. Mbrojtjen e Barletës ai ia besoj Skënderbeut Athanas Gegaj shënon “Skënderbeu nuk qëndroi duarkryq ndaj armikut. Ai u hodh në sulm në ndjekje të trupave të armikut. Ushtria e tij shkatërroi vendin mbolli kudo zjarr dhe shkatërrim, lufta qe e përgjakshme. Armiku pësoi humbje të mëdha dhe u detyrua të braktisë pozicion. Princi i Tarantos u tremb aq shumë sa i propozoi Skënderbeut paqe.” Shumë shpejt u çliruan qytetet Nola, Atripalda dhe Monteforte. Skënderbeu sulmoi dhe në Pulie, arriti të çliroj dhe qytetin e Tranit. Tani të gjithë punët po shkonin në favor të Mbretit Ferdinand. Në fund të vjeshtës 1461 Mbreti Ferdinand tani i sigurt për rolin bëri në Napoli martesën e vajzës së tij jo të ligjshme me nipin e Papës, Antonio Picolominio. Është pikërisht kjo martesë që i forcon më shumë lidhjet e shtëpisë së Aragonës me Papiun e II. Antonio Picolomini tashmë u bë dhe dukë i Amalfit dhe Gjykatës i Mbretërisë së Napolit. Ekspedita ushtarake e Gjergj Kastriot Skënderbeut ne Itali mori fund ne ditët e para te Janarit 1461. Për studiuesin Athanas Gegajt kjo ekspedite “Ndikoi fuqishëm në përmirësimin e gjendjes ushtarake të Mbretit Ferdidand të Napolit dhe i hapi atij rrugën të kaloj në sulm… me pjesëmarrjen e tij Skënderbeu ndihmoi në suksesin përfundimtar.”Mbreti Ferdinand e çmoi shumë lartë ndihmën e Skënderbeut dhe u tregua mjaft mirënjohës ndaj Skënderbeut dhe familjes së tij. Pas vdekjes së Skënderbeut Ferdindandi e priti vejushën Donika me djalin për të siguruar një jetë të denjë mbretërore.Kapitulli i VIII “Kryqëzata e Piut të dytë dhe luftërat e fundit të Skënderbeut. 1462-1468” realizohet situatat e ndërlikuara dhe të tensionuara të sulmeve të ushtrive turke si dhe të kundërsulmeve me sukses të Skënderbeut. Skënderbeu ishte fitimtar në të gjitha rastet, i ruante forcat e tij dhe sulmonte me sukses. Në këto kushte sulltani propozoi Skënderbeut paqe, që u arrit në 27 prill 1463. Gegaj e trajton kështu aktin e paqes “Shumë pyetje janë bërë përse Skënderbeu deshi të bënte paqe, ahere kur ushtria e tij dilte gjithmonë fitimtare dhe kur ai mund të shpresonte me të drejtë të fitonte mikpritësit e huaj. Duket qartë që personalisht donte ta vazhdonte luftën por u detyrua nga kërkesat e njerëzve që e rrethonin, pjesa më e madhe e të cilëve e sidomos Tanush Topia të dëshironin paqe. Nga dëmet qe kishte pësuar, zotërimet qe u bën në kryqëzat ishin mashtruese, prandaj për ketë për te mbrojtur pavarësinë e atdheut ai duhet te mbështetej ne forcat e veta. Paqja e lejonte te siguronte integritetin e territorit të vet… arritja e kësaj paqe pati pasoja te renda jashtë vendit. Papapiu i II, që nuk kursente asgjë për të bërë kryqëzatën dënonte publikisht dhe ishte shume i brengosur.”Për të qetësuar shqetësimet e Papës Skënderbeu dërgoi Tanush Topinë ne Rome, që të shpjegonte rrethanat qe kishte shtyrë ta pranonte paqen. Por Papa përsëri nguli këmbe qe Skënderbeu ta rifillonte luftën kundër turqve. Ndërkohë Republika e Venedikut tregoi një shqetësim shumë herë më të madh aq më tepër që tashmë politika e saj kishte kuptuar që rreziku i forcave turke do ta kërcënonin për vdekje dhe vet pushtetin e saj mbi qytetet e bregdetit Arbëror. Venediku qe e interesuar të bënte një marrëveshje tashmë me Gjergj Kastriotin duke ndryshuar drejtimin e mëparshëm të saj politikë nga armiqësia dhe rivaliteti me Skënderbeun në njëlloj aleance të veçantë me Skënderbeun, për të pasur sukses në përballimin dhe rezistencën kundër turqve. Prandaj Venediku e nxiti Skënderbeun për ta prishur paqen me turkun. Gjithashtu Papiu i II dhe jo vetëm frymëzuesi dhe nxitësi kryesor i kryqëzatës por dhe vazhdonte ta nxiste heroin Gjergj Kastriotin për ta prishur paqen me turqit. Papa donte ta sendërtonte ëndrrën e tij te Kryqëzatës ai shkoi në Ankona nga mendonte që të përgatiste flotën për të sulmuar në bregun lindor të Adriatikut si dhe në brigjet mesdhetar. Por ky projekt nuk u realizua. Papapiu II 15 gusht 1464. Bashkë me te vdiq dhe projekti i Kryqëzatës.Athanas Gegaj i kushton kujdes luftërave që bën Skënderbeu, sidomos ndaj një kundërshtari të rrezikshëm dhe një ushtaraku të aftë në krye të forcave turke siç është Ballaban Pasha. Sulltan Mehmeti i II duke dashur të hakmerrej dhe i etur që ta shtrinte pushtetin perandorak të tij në Europë deri në kufijtë e Adriatikut. Vendosi që të vij vetë dhe të drejtoi luftimet kundër Skënderbeut. Në Pranverën e viti 1466 Sulltani Mehmeti i II me një ushtri shumë të madhe erdhi në trojet Arbërore duke pasur si synim pushtimin e Krujës. Ai ndërtoi kështjellën e Valmit, ose të Skampas duke e mbigjuajtur Elbasan për ta pasur si një qendër kryesore strategjike të përparimit dhe të vendosjes së kohëgjatë të sundimit osman edhe në Ballkan.Por ekspedita e Sulltan Mehmetit të II nuk e mori Krujën. Edhe këtë herë Skënderbeu doli fitimtar. Në muajin dhjetor 1466 Skënderbeu erdhi në Romë ku i bën një pritje të jashtëzakonshme dhe te shkëlqyer. Skënderbeu e ndërmori ketë udhëtime ne Itali ne Rome për shkak se ndihmat qe ishin dhënë nuk mjaftonin duke shpresuar që nëpërmjet famës dhe prestigjit qe kishte të kërkonte ndihma shumë herë më të mëdha. Gegaj nënvizon “Skënderbeu i veshur si ushtar i thjeshtë i shoqëruar nga një numër vogël kuajsh dhe nga një shpurë të pakët, i çuditi të gjithë me thjeshtësinë e madhe të tij . Ai u prit nga Papa, por mori prej Papës pak ndihma në të holla me pretekstin se ishte në gjendje të keqe financiare.”Nga Roma Skënderbeu shkoi në Napoli ku u prit nga Mbreti Ferdinand me mirënjohje dhe dashuri të veçantë .Pastaj Skënderbeu u rikthye në atdhe në muajin prill 1467 e mundi serish një ushtri turke, siç thotë Gegaj “Korri dafinat e fundit të karrierës së tij të lavdishme.”Sulltan Mehmeti i dyte zbriti për herë të dytë në trojet Arbërore në pranverën 1467. Ai e rrethoi sërish Krujën. Por dhe këtë herë nuk mundi ta merrte.Në 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti vdiq dhe u varros në katedralen e Shën Nikollës. Me vdekjen e Skënderbeut epoka madhështore e rezistencës Arbërore nuk mbyllet përfundimisht. Tashmë interesat e Republikës së Venedikut ishin më në unison me lidhjet e Arbërit për arsye se kërcënohej vet nga turqit. Në 23 maj 1468 Senati i Republikës së Venedikut e emëroi Gjon Kastriotin, djalin e Skënderbeut aleat të Republikës. Por ndërkohë e veja e Skënderbeut Donika së bashku me Gjonin u vendosën në Mbretërinë e Napolit.Rezistenca antiturke vazhdoi edhe për 10 vjet. Në vitin 1478 turqit rrethuan Shkodrën. Betejën për mbrojtjen e Shkodrës e ka përshkruar si askush në një rrëfim tronditës dhe epik Marin Barleti. Pas pushtimit të Shkodrës dukej se pushtimi turk po shtrihej në mënyrë më përfundimtare duke kërcënuar edhe qytetet e tjera ende të papushtuara siç ishte Lezha, Durrësi dhe Vlora. Kur turqit pushtuan Lezhën e hapën edhe varrin e Skënderbeut. Por Athanas Gega nuk e pranon cvarrosjen si një ngjarje që ka ndodhur me të vërtet te eshtrave të Skënderbeut por thotë “Sipas gojëdhënës së vendit ata (turqit) e nxorën kufomën e Skënderbeut dhe bën hajmali me kockat e tij”/Moikom Zeqo.