Kulturë

SHATK në mbrojtje të “Bordel Ballkan” dhe kundër kërcënimit të OVL të UÇK-së

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) reagon ashpër ndaj kërcënimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila dje, përmes një kumtese për mediat, ka ftuar publikun që të mos marrë pjesë në premierën e shfaqjes teatrore “Bordel Ballkan” (pjesë përbërëse e repertorit të rregullt të Teatrit Kombëtar të Kosovës), ndërkohë që, në emër të “mbrojtjes së Luftës së UÇK-së e të vlerave tona kombëtare nga denigrimi e bastardimi”, ka kërcënuar që ajo do ta pengojë këtë shfaqje, njofton reagimi i SHATK .

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se veprimet e këtilla të hapura, përmes kumtesave apo presionit të drejtpërdrejtë ndaj dramaturgut Jeton Neziraj dhe artistëve e krijuesve të tjerë të kësaj shfaqjeje, janë kërcënime të ulëta e primitive jo vetëm ndaj lirisë së shprehjes, të drejtës së fjalës dhe lirisë krijuese, por edhe ndaj jetës dhe integritetit njerëzor të artistëve. Në një vend demokratik, të lirë, sovran e të pavarur, kërcënimet e këtilla rrezikojnë seriozisht vlerat themelore demokratike dhe lirinë e krijimtarisë artistike, thotë reagimi, transmeton Koha.net.