Filarmonia e Kosovës sjell kujtimet e të pagjeturve

Filarmonia e Kosovës sjell kujtimet e të pagjeturve

04 March 2019 21:07

“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ekspozita që e solli tragjedinë e luftës së Kosovës në një perspektivë tjetër, të dielën mbrëma, u prezantua më ndryshe.

Protesta e familjarëve për ta zbardhur fatin e të pagjeturve erdhi përmes veprës së Arvo Part-it që u interpretua nga orkestra e Filarmonisë së Kosovës. Bashkëpunimi me organizatën Integra dhe forum ZDF, rezultoi si një ndër koncertet më prekëse të Filarmonisë së Kosovës, raporton “Express” i KTV-së.

Koncerti filloi me tinguj emocionalë, shoqëruar në sfond nga imazhet e video-ekspozitës dhe vazhdoi me dy vepra nga kompozitorët amerikanë të shekullit njëzet. Dirigjenti amerikan e cilësoi këtë lloj muzike si ndër më të vështirat për interpretim derisa në përgjithësi, sipas tij, koncerti ishte më se i suksesshëm.

“Sfida kryesore e këtij koncerti ishte që muzikantët kosovarë të mësojnë të lëvizin nga zhanri në zhanër dhe të performojnë edhe Jazz dhe Pop. Sfidë tjetër ishte vështirësia e performimit të këtij zhanri dhe ana teknike. Fillimi i javës ishte i vështirë, por përmirësimi dhe koncerti i sotëm, treguan profesionalizmin dhe suksesin e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës”.

Një tjetër veçanti e këtij koncerti ishte edhe ribashkimi i alt-saksofonistit Dardan Gjinolli, me Filarmoninë e Kosovës pas 10 vjetëve.

Projekti artistik “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, pas prezantimit me Filarmoninë e Kosovës, do të prezantohet edhe në forma të tjera. Së shpejti, do të shpaloset edhe më gjerësisht, në formë të një libri kujtimesh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme