Kulturë

Agona Shporta dhe Ilir Bajri paralajmëron edicion të ri të festivalit “DAM”

Me një rrugëtim të veçantë muzikor, në një hapësirë të re në kryeqytet, Agona Shporta dhe Ilir Bajri, paralajmëruan edicionin e ri të festivalit “DAM”. Dyshja, të premten mbrëma mbajti koncert në kuadër të “PRE DAM Fest 2019” në bashkëpunim me hapësirën e re kulturore “Menza Ramiz Sadiku”.

Muzika e Agonës solli kombinim të pasur dhe shumëllojshmëri të tingujve e kulturave, mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, Indisë e jazz standardeve amerikane, raporton “Express” i KTV-së. Performanca e saj që përfshiu edhe këngë të folklorit shqip, gërshetuar me ritme të muzikës jazz, i hapi udhë edicionit të 14-të të festivalit “DAM”.

Energjia pozitive e publikut i dha shumë kurajë Agonës gjatë performancës. Ajo thotë se kjo mbrëmje ishte shumë e veçantë.

Pianisti Ilir Bajri, i cili e shoqëroi Agona Shportën gjatë gjithë mbrëmjes, konsideron se edicioni i ri u “DAM Festivalit”, është ndër më të veçantit deri më tani.

Edicioni i katërmbëdhjetë i festivalit “DAM”, do të mbahet nga data 26 deri më 31 mars.