Kulturë

Mozaiku i artit kosovar në Bienalen e Artistëve të Evropës e Mesdheut

Prishtinë, 25 prill - Artistë të rinj nga Kosova do t’u bashkohen kolegëve të tyre nga vende të ndryshme në Bienalen e Artistëve të Evropës dhe Mesdheut. Jetullah Sylejmani, Alban Fejza, Yll Xhaferi, Leart Rama dhe grupi “Oborri”, në formacion të Arbër Salihut dhe Tomor Kuçit, do ta prezantojnë vendin në edicionin e 18-të të kësaj bienaleje. Për herë të parë Shqipëria do të jetë nikoqire e ngjarjes që bashkon artistë të rinj nga Evropa dhe Mesdheu. Kjo ngjarje multidisiplinare organizohet nga BJCEM (Biennale des jeunes créateurs de l’Europe et de la Méditerranée/Bienali i krijuesve të rinj të Evropës dhe Mediteranit), anëtare e të cilit rrjet tashmë është bërë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës. Pos artistëve, nga Kosova janë dhe dy kuratorë: Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i “DokuFest” dhe Alban Nimani, frontmen i “Asgjë Sikur Dielli”.

Me gjithë titullin bienale, katër edicionet e para ishin anuale, prej vitit 1984, kur u mbajt edicioni i parë në Barcelonë. Vetëm në vitin 1990, kur u mbajt në Marsej, nisi të organizohej çdo dy vjet dhe prej atij edicioni nisi të lëvizë prej një shteti në tjetrin. Artistët që prezantohen në këtë ngjarje i bazojnë veprat me temën e propozuar nga drejtori artistik që kësaj radhe është Drian Zeneli. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 230 artisë nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut, në mesin e të cilëve edhe artistët nga Kosova.